Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka theksuar se incidentet e fundit ndëretnike në Maqedoni paraqesin problem shqetësues.
“Është një problem shqetësues, pa diskutim është edhe situatë komplekse. Unë mendoj se bllokimi që i është bërë procesit të anëtarësimit në NATO dhe BE, ka një efekt negativ për shoqërinë maqedonase. Vendi është angazhuar dhe ka bërë një seri reformash”, theksoi Berisha në intervistën për emisionin “Opinion” të Televizionit Klan, raporton INA.
Ai shprehet se është fatkeqësi që të gjithë fqinjët e Shqipërisë kanë frikë nga shqiptarët, dhe sipas tij, arsyeja e kësaj frike qëndron në faktin se ata i kanë marrë tokat Shqipërisë.
Berisha nuk ngelet pa vlerësuar edhe rolin u UÇK-së në luftën e 2001-shit në Maqedoni duke thënë se “nuk ka pasur guerilë më të mirë dhe më preciz se ata të Maqedonisë të cilët luftuan për të marrë të drejtat të cilat u ishin mohuar pa të drejtë”.
Kryeministri shqiptar ka theksuar se interes kombëtar i shqiptarëve është edhe respektimi i kufirit ekzistues. /Telegrafi/