Himarë, 12 studentë të vdekur dhe 22 të plagosur

E plotësuar: Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të hënën rreth orës 16:30 në aksin rrugorë Himarë-Sarandë, ku një autobus me rreth mbi 40 studentë në bord ka rënë në humnerë 100 metra të thellë. Deri më tani janë konfirmuar 12 viktima dhe 22 të plagosur, 10 prej tyre rëndë.

Drejt vendit të ngjarjes, në zonën e quajtur Qafa e Vishës, janë nisur forca të shumta policore, autoambulanca dhe helikopterë. Deri më tani 10 studentë të plagosur rëndë janë transportuar me helikopterë në spitalin ushtarak në Tiranë.

Autobusi është identifikuar me targë El 2274 B, me të cilin po udhëtonin rreth 45 studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” nga Elbasani. Shumica e viktimave janë vajza.

Krahas ambulancave të shumta nga Saranda dhe Vlora, një pjesë e të lënduarve në gjendje kritike janë nisur drejt Spitalit Ushtarak ndërsa drejt vendit të ngjarjes janë nisur Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj.

Lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur në Himarë ku deri më tani rezultojnë 11 viktima, mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga kreu i Shtetit, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetari i opozitës Edi Rama dhe autoritete tjera të larta të shtetit shqiptar.

“Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe”, tha Topi.

“Duke ju siguruar që të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë, më lejoni t’ju shpreh edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional! Njëkohësisht u uroj shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur”, shprehet ndër të tjera presidenti Topi në mesazhin e tij.

Ndërkohë Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka marr vendim që dita e nesërme, e martë, të jetë ditë zie në Shqipëri për të nderuar viktimat e tragjedisë që ndodhi në afërsi të Himarës. /NOA/

Himarë, bie në humnerë autobusi me 40 studentë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur aksin Himarë-Sarandë, ku një autobus me rreth 40 studentë në bord ka rënë në humnerë 100 metra të thellë. Sipas informacioneve paraprake, kanë humbur jetën mbi dhjetë studentë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë të plagosur.

“Drejt vendit të ngjarjes, në zonën e quajtur Qafa e Vishës, janë nisur forca të shumta policore, autoambulanca dhe helikopterë. Mësohet se autobusi i rrëzuar është me targë Elbasani. Banorë të zonës deklarojnë se ka të paktën tetë persona të vdekur dhe të tjerë të plagosur”, raporton Top Channel.

Por sipas agjencisë së lajmeve NOA, autobusi i aksidentuar në Himarë në vendin e quajtur Qafa e Vishës numëron së paku 12 viktima, numër ky i pakonfirmuar zyrtarisht ndërsa flitet për afro 30 studentë të tjerë të lënduar.

Burime zyrtare nga policia thanë për noa.al, se autobusi është identifikuar me targë El 2274 B, me të cilin po udhëtonin rreth 45 studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Krahas ambulancave të shumta nga Saranda dhe Vlora, një pjesë e të lënduarve në gjendje kritike janë nisur drejt Spitalit Ushtarak ndërsa drejt vendit të ngjarjes janë nisur Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. /NOA/

Furra Tahiri