Në shkurt të këtij viti në fshatin Reç të Ulqinit e vizitova atdhetarin e mirënjohur Kolë Ejll Zagreda. Kisha menduar prej kohësh të shkruaj diçka për të. Pasi shijuam peshkun e lumit Buna të pjekur në skarë, produktet e ndryshme ushqimore dhe verën shtëpiake disavjeçare, u tërhoqëm për t’u nxerë me dru para oxhakut në shtëpinë e tij të bukur trikatëshe, ku njëzet e katër orë hedhë shtatin Flamuri Shqiptar, i cili nuk mund të shihet në asnjë pullaz të ndonjë shtëpie shqiptare në komunën e Ulqinit dhe jo vetëm Ia rishfaqa interesimin tim. Me atë thjeshtësinë e tij karakteristike e të veçantë u mundua të më bind që të mos shkruaj për të, si shumë herë të tjera, duke më thënë me buzëqeshje “ nuk ka çfarë të thuhet për mua, unë jam peshk i vogël në oqeanin e madh të çështjes shqiptare”. Por këmbëngulja, argumentet dhe vendosmëria ime më në fund e theu. Dhe, si pa pritur e pa kuijtuar ashtu në bisedën e shtruar, spontane, të natyrshme, i drejtova disa pyetje të cilave iu përgjigj shkurt, më shumë kam bindjen për të plotësuar kërshërinë dhe dëshirën time.
Jeta familjare
Nga Kola mësova se ka patur një fëmijëri kryesisht të mirë për kohën. Prindërit, babai Ejlli dhe nëna Gjystja e kanë rritur me kujdes e dashuri, ashtu si edhe fëmijët e tjerë të trye. E edukuan në frymën e dashurisë për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe, për vlerat universale njerëzore. Familja e tij u largua nga Reçi, komuna e Ulqinit, në Itali në vitin 1968, kur ai ishte adoleshent, 12 vjeçar, e më pas në Amerikë, në Nju-Jork. Ditët e tij të para në mërgim ishin të vështira, sikur të çdo mërgimtari tjetër. Por me kalimin e kohës arriti të integrohet në një shoqëri krejtësisht ndryshe nga ajo që e jetuan prindërit e tij. Në fillim punoi punë të ndryshme. Më pas iu qas biznesit familjar – tregtisë së ushqimit, ndërsa më vonë bleu disa banesa, veprimtari të cilën e vazhdon edhe sot. Kola nuk vrapoi pas parasë për t’u bërë i pasur ekonomikisht. Por punoi për të krijuar një mirëqenie stabile ekonomike të familjes, gjë e cila nuk i ka munguar asnjëherë. Pasanik, thotë Kola, është ai person që është i pasur shpirtërisht.
Mbarësinë në jetë, në punë e në shoqërinë amerikane Kolës ia solli martesa fatlume me Vera Çotaj nga fshati Shëngjergj në vitin 1979, bashkëshorte dhe nënë shembullore. . Një çift për t’ua patur lakmi Zoti ua fali tri vajza të bukura dhe të shëndetshme: Engjulla ( tani avokate), Veronika (profesoreshë e gjuhës angleze) dhe Nikollën, (studente).
Dashuria për kombin dhe kulturën shqiptare
Çifti Çotaj, Kola dhe Vera, i edukuan fëmijët e vet në frymën e traditës familjare të të parëve, duke i ushqyer ata me ndjenjën e dashurisë për popullin e vet, për gjuhën shqipe, për kulturën, trashëgiminë dhe identitetin shqiptar. Nuk hezituan t’i inkuadrojnë fëmijët në aktivitetet kulturore që janë organizuar në Nju-Jork. Pjesëmarrja e tyre në Festivalin folklorik të këngës, valles dhe melodisë shqiptare në Nju Jork, i cili vlerësohet si një ndër evenimentet më të mëdha kulturore që mbahet në diasporë, tregon se familja e Kolë Ejllit të Bregut të Bunës është familje që e don dhe din të respektojë folklorin autentik kombëtar shqiptar, edhe në një largësi kaq larg nga vendindja e tyre. “Festivali folklorik i këngës, valles dhe melodisë shqiptare në Nju – Jork, është një pasuri e madhe dhe një famë e madhe, për gjithë folklorin e bukur shqiptar. Pikërisht, ky manifestim i madh kulturoro-artistik na bënë ne shqiptarëve në Amerikë të dallohemi nga popujt e tjerë këtu. Asgjë tjetër nuk mund të bashkojë njerëzit kaq shumë, ashtu siç i bashkojnë e i lidhin vallet tona dinamike, këngët e bukura dhe meloditë e ëmbëla të folklorit blirant shqiptar nga të gjitha trojet etnike, nga Shqipëria, Kosova, Plava, Gucia, Ulqini, Malësia, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Tetova, Gostivari, Struga, Kumanova, Dibra, Çamëria e tërë diaspora”, shprehet Kola.
Malli për atdhe
Kola asnjëherë emocionalisht nuk është ndarë nga vendlindja e tij.
„Në Reç kam jetuar 12 vjet. kam dashuri e mall për fshatin e lindjes, për njerëzit e këtij fshati, sepse janë punëtorë, të dashur, bujarë, besnikë, fisnikë, mikëpritës, mirënjohës dhe të etur për dije e përparim“.
Kola pas ca vitesh në mërgim, në tokën amerikane, i kujton me shumë dashuri ditët e fëmijërisë, jetën shkollore në Shtoj të Ulqinit, shoqërimin me shokë dhe shoqe të shkollës dhe mësimdhënësit, për të cilët edhe sot ka konsideratë jashtëzakonisht të madhe. Jo vetëm kaq, por financiarisht ka kontribuar në të gjitha investimet që nuk janë të pakta në vendlindjen e tij së bashku me familjarët dhe bashkëfshatarët në Amerikë.
Veprimtar i çështjes kombëtare
Etja e tij për ta njohur gjeografinë e atdheut, historinë, ekonominë, gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare, ishte jashtëzakonisht e madhe. Kjo e ka frymëzuar Kolën që si jashtëpartiak në Nju-Jork të veprojë njësoj, si për çlirimin e Kosovës, poashtu edhe për përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të Kosovës Lindore. Në kohën e lëvizjeve atdhetare, demostratave gjithëpopullore për Kosovën Republikë, atdhetari Zagreda së bashku me babanë dhe me patritotët e tjerë të diasporës shqiptare ishte në ball gjithmonë, duke përkrahur kështu me dashuri dhe krenari kërkesat atdhetare të demostruesve. Ishte I bindur se diaspora shqiptare në Amerikë është një zë i fuqishëm për çështjen e ecjes përpara të kombit shqiptar në analet e kohës diplomatike, politike në institucionet e shtetit amerikan dhe më gjerë në botë. Këto ide nuk i ka ndryshuar as sot dhe as nesër. Ai i ka dhënë besën vetes: “Deri sa të jam i gjallë, do të jam me shpirt e me zemër shqiptar”.
Ndjesia e humanizmit
Ndjesia e Kolës për të ndihmuar shqiptarët në nevojë dëshmohet sidomos në periudhën e gjenocidit serb në Kosovë, kur qindra mijëra vëllezër kosovarë ishin shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër shtete fqinje dhe kishin mbetur në mëshirën e fatit. Ky humanist në ato vite të katastrofës shqiptare erdhi në Ulqin me të shoqen dhe babanë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve nga Kosova. Ata me paratë e tyre që I kishin fituar me shumë vështirësi, arritën të strehojnë qindra familjarë – të pa strehë nga Kosova, që kishin ikur nga plumbat e regjimit të egër e barbarë millosheviqian. Kola nuk dëshiron të flasë për shumën e të hollave që ua ka ndarë asokohe nga buxheti I tij nevojtarëve kosovarë në Mal të Zi, edhe pse ato kapnin shifrën e dhjetëra mijëve dollarë. Për të e rëndësishme është se ia doli, bashkë me donatorët e tjerë shqiptarë bamirës nëpër botë, të zbusin sadopak atë plagë të rëndë që e mbanin nën shpatulla dhe e ndjenin thellë në zemër të gjithë ata kosovarë që luftonin për jetë a vdekje pa kurrfarë faji, përveç se e ëndërronin dhe e dëshironin një Kosovë të lirë e të pavarur. Ndihmesa e Kolës për Kosovën është shumë më e madhe se kaq. Ai dhe familja e tij rregullisht kanë paguar edhe tre përqindëshin për çlirimin e Kosovës dhe për këtë veprimtari humaniste janë të nderuar dhe të respektuar nga I gjithë populli I Kosovës dhe më gjerë.
Promotor i futbollit shqiptar
Kola përveç aktiviteteve të çështjes shqiptare kontribuoi edhe në jetën sportive dhe promovimin e futbollit shqiptar – ulqinak në Nju –Jork. Ai në vitin 1977 themeloi Klubin Futbollistik “ Ulqini” me fanellat kuq e zi, në të cilin njëkohësisht ishte edhe pronar, trajner dhe lojtar. Sipas fjalëve të tij aktiviteti i këtij klubi, në radhët e të cilit iluajtën shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, dy vite e gjysmë u paraqit në mënyrë të suksesshme në Ligën italiano amerikane, ku garuan skuadra me kombësi të ndryshme të shtetit të Nju-Jorkut. “Formimi i këtij klubi nuk ka qenë i rastësishëm. Shqipatrët e Nju-Jorkut kishin nevojë për t’u treguar sportdashësve të tjerë në mërgim se posedojnë frymë sportive dhe se në veçanti e duan futbollin”, pohon Kola.