Deputetët shqiptare në Parlamentin malazez Vasel Sinishtaj dhe Genci Nimanbegu, dorëzuan sot Kuvendit të Malit të Zi iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për organizimin territorial e që ka të bëje me mundësinë e formimit të Komunës së plotë të Tuzit – Malësisë si dhe studimin/elaboratin mbi arsyetushmerinë për realizimin e kësaj ideje.
Kryetari i klubit shqiptar Genc Nimanbegu ka theksuar se që në shkurt nga kryeministri Luksic dhe nënkryetari i qeverisë, Dusko Markovic kanë marrë premtime konkrete se edhe ata konsiderojnë se Tuzi i ka të gjitha kapacitetet për komunë të plotë por duke respektuar procedurat ligjore.
“Ne në këtë rast kemi respektuar procedurën ligjore, por kjo nuk do të thotë se do të jetë e vetmja armë që përdorim që Malësia – Tuzi , të jetë komunë në vete”, ka theksuar ai. Nimanbegu mohoi se fjala është për ndonjë shantazh politik në pra të zgjedhjeve parlamentare dhe shtoi se kësaj herë shpreson se DPS do të mbajnë premtimet dhe do të jetësojnë nënshkrimet/marrëveshjet e shumta që janë bërë në këto dhjetë vitet e fundit.
Deputeti Vasel Sinishtaj ka theksuar se pret që Kuvendi me kohë ta dorëzoj iniciativën në Qeveri, gjegjësisht ministrisë për punë të brendshme. Ai po ashtu shtoi se pret nga Qeveria të mos përdorin praksën e vjetër të gjendjes se arsyeve të ndryshme si ajo e afërsisë me Podgoricën, mungesa e kuadrove, kapaciteteve ekonomike e fiskale për vetëqeverisje dhe arsye të ngjashme.
Elaboratin për formimin e Komunës së Malësisë e ka punuar Nikollë Sinishtaj i cili sqaron se projekt buxheti i Komunës së plotë për vitin e ardhshëm arrin në shifrën 2.2 milion euro.
“Ne nuk kërkojmë kurrfarë dhurate nga Qeveria, por kërkojmë të respektohet Kushtetuta, Ligjet dhe konventat ndërkombëtare të cilat i ka nënshkruar Mali i Zi. Në studim elaboratin kam theksuar të gjitha ligjet dhe konventat të cilat shteti i Malit të Zi nuk i ka respektuar me çka Malësisë me vite nuk i jepet Komuna e plotë”, tha Sinishtaj.
Ai më tej sqaron se banorët e Malësisë vetëm kërkojnë barazi me qytetarët e komunave tjera të cilat ekonomikisht janë më të dobëta se sa Malësia por megjithatë me dekada e kanë statusin e Komunës së plotë.
“Qeveria arsyetohet me mungesën e kapaciteteve fiskale, po në të njëjtën kohë 13 komuna në Mal të Zi kanë kapacitete më të dobëta se Malësia, e të cilat mbijetojnë dhe asnjërës deri me tani nuk ju ndërpre statusi i Komunës. Pra kemi të bëjmë me vullnetin politik dhe asgjë më shumë”, shtoi Sinishtaj. /Malesia.Org/