Bardhi priti ambasadorin Tonin Beci

Të enjten, më 6 shtator 2012,  Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, me bashkëpunëtorët, zotërinjtë Saubih Mehmeti, sekretar, Ali Gjeçbritaj, Daut Ceka, Hajredin Kovaçi dhe Agron Mehmeti,  anëtarë të Kryesisë së LD në MZ-së, pritën në Ulqin ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, zotëri Tonin Beci.

Në një bisedë të ngrohtë dhe vëllaznore kryetari Bardhi, me bashkëpunëtorët, e informoi ambasadorin Beci me situatën aktuale politike në Malin e Zi e sidomos me pozitën e shqiptarëve, në dritën e disa ligjeve diskriminuese, sidomos të atij Zgjedhor, i cili na mohon të drejtat jo vetëm ato natyrore e historike nacionale, po edhe të drejtat e arritura për përfaqësimin politik, e të gjitha këto me rastin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat i provokuan  dhe i realizuan me një procedurë të shpejtuar, pa asnjë arsye valide, partitë në pushtet, të cilat pastaj kryetari, i cili është edhe nënkryetar i partisë, i shpalli për 14 tetor 2012,  dhe, situatën brenda  dhe në mes subjekteve politike shqiptare në këto zgjedhje, për të cilën çështje në këtë çast ishte sidomos i interesuar zotni Ambasadori, edhe

si diplomat shqiptar po edhe si një ndërmjetësues apo koordinues, qoftë edhe i momentit, për të pasur mundësi të flitet  dhe të veprohet me një zë për çka, subjektet politike shqiptare në MZ e më gjerë, kanë aq shumë nevojë. Sa i përket Lidhjes, për këtë, ajo nuk ka dilemë.

LD në MZ, e falënderon nga zemra zotni ambasadorin Beci, për interesimin, sinqeritetin dhe  mundimin e tij në këtë drejtim.

Në bisedën e mëtejshme, Bardhi  tha, se, si politikan dhe si kryetar i partisë më të vjetër, e ka iniciua dhe i ka ftua në një mbledhje të përbashkët përfaqësuesit e të të gjitha subjekteve politike, e cila është mbajt në Ulqin më 20 korrik, një javë përpara se shumica qeveritare pruni vendimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të MZ-së, për t’u hapë rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ku është analizua situata politike në MZ-në, pozita e shqiptarëve me theks të veçantë  – subjektet politike shqiptare në dritën e  Ndryshimit dhe Plotësimit të Ligjit Zgjedhor, diskriminues për shqiptarët, të aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar nga shumica malazeze serb pravosllave në pushtet dhe në opozitë, përkundër kundërshtimit dhe protestës së përfaqësuesve autentikë shqiptarë,  madje edhe antikushtetues, pasi nuk siguron “…përfaqësimin autentik proporcional…”, ku shkruan qartë në atë Kushtetutë (19 tetor 2007), megjithëse nuk e votuan asnjëri prej tre deputetëve, përfaqësues autentikë të shqiptarëve (M. Bardhi, V. Sinishtaj e F. Dinosha). Në këtë mbledhje, ku u hodh ideja edhe e bojkotimit të zgjedhjeve, kryesisht për shkak të Ligjit Zgjedhor diskriminues (ide e deputetit Bardhi),  të gjithë të pranishmit u dakorduan që nëse shqiptarët, gjegjësisht subjektet e tyre politike, duan dhe e vendosin të kenë përfaqësuesit e vet politikë në Kuvendin e MZ-së, duhet të bashkohen, duhet të dalin me listë zgjedhore të përbashkët, ku zgjidhja dhe zgjedhja më e mirë do të ishte dalja në zgjedhje me një listë

Mëtej ambasadorin Beci e njoftuan me përpjekjet që po bën LD në MZ-ja  në bisedime për të dalë të bashkuar. Në anën tjetër apeloi që në këtë drejtim duhet dhe mirë do të ishte që të ndihmojë edhe diplomacia e politika  e shtetit amë e Shqipërisë dhe e Kosovës, pa anësi. Por kësaj, pikë së pari duhet t’i ndihmojnë subjektet politike shqiptare në MZ, duhet t’i ndihmojmë vetë ne,  me bashkëpunim, bashkëveprim e bashkërreshtim, që të lehtësohet edhe ndihma e tyre.

SHËRBIMI PËR INFORMIM i LDnëMZ