Në vend të urimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit Shqiptarë – nga Mark Lucgjonaj

Letërsia është histori, historia është letërsi.        

Në nëntor të këtij viti (2012), Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave, nxjerri numrin e dytë të revistës “KOD” . Në redaksinë e kësaj reviste bën pjesë edhe shkrimtari, poeti dhe kritiku Mr. Anton Gojçaj i cili punon në Entin për Shkollim si Pedagog për mësimin në gjuhën shqipe. Në këtë numër të revistës, Gojçaj na paraqitet si përkthyes i fjalës artistike gjë e cila nuk është fare e lehtë për tu bërë. Për këtë numër, Gojçaj ka përzgjedhur  pesë poezi të poetit nga Malësia Nokë (Ndue) Sinishtaj. Mendoj se nuk është një rastësi, që i njëjti poet nga Malësia, trajtohet edhe në një Monografi të sapo botuar në Prishtinë nga shkrimtari, poeti dhe studiuesi Dr. Agim Vinca i cili Nokën Sinishtaj, e futë në mesin e njëqind poetëve që kanë bërë historinë e letërsisë shqipe në të gjitha trevat shqiptare. Gojçaj, ka përzgjedhë pesë poezi, që unë do t’i cilësoja pesë perla të autorit Sinishtaj, që përmes tyre të tregojë shpirtin e Malësorit në këto njëqind vite, të tregojë gjendjen tonë në këtë shekull e gjithashtu të dëshmojë edhe larminë e tematikave që Sinishtaj i trajton në krijimtarinë e tij të gjerë letrare.

Poezia e parë titullohet “VUKSAN GELA”, e cila përmban dhjetë vargje të formës së çrregullt, që është edhe forma e poezisë ligjëruese të Nokë Sinishtaj. Poeti në këtë poezi, pikturon një simbol të vendit tonë, Sukën e Grudës, të cilën e paraqet vetëm përmes figurave të tjera natyrore, duke e krijuar një vend hyjnor, një parajsë e cila freskohet nga lumi Cem. Këtë vend tokësor, Sinishtaj e kthen në një pikë kontakti mes tokës dhe qiellit, mes Perëndisë dhe njeriut kurë thotë:

Edhe matanë le të më freskojë
Flladi yt, o Cem.

Sinishtaj me këtë poezi na tregon se varri i shqiptarit (Malësorit) e ka vendin në vendlindje e këtë na e argumenton me poezinë tjetër “VËLLAUT TIM LEKËS”, që Gojçaj i ve përballë njëra tjetrës këto dy poezi duke krahasuar dy kohë, dy epoka të popullit tonë.

Poezia në fjalë, ka si bazament kryesorë fjalën i HUAJ të cilën autori e ka përdorur për të treguar se si duket varri, vdekja e një shqiptari në një vend të huaj, që autori e përcakton, në Detroit.

Një grusht dhe nga trolli i HUAJ
Ia qita përmbi arkivol të punuar
Nga pylli i Huaj

…………………….

Përsëritja e fjalës së njëjtë në letërsi njihet si epifora, që e hasim edhe të poetët e mëdhenj si për shembull te “Korbi” që Noka përçon emocionin kryesor përmes kësaj fjale. Pra  me fjalën i HUAJ, Noka krijon melodinë e të qajturit të burrit që e bën pa zë por me një dhimbje të madhe.  Poezia është edhe më e dhimbshme pasi është plotësisht personale, pasi i kushtohet vëllait të poetit gjë të cilën e thekson përmes vargjeve :

Tabut i HUAJ, katafalk i HUAJ
Ajër i HUAJ, gjuhë e HUAJ
Litani trishtuese me të HUAJ pa fund
Jashta dorës sime nga zemra e nji nane
Jashta lotëve të mi nga gjëndra e të njëjtit Gen

Përkthimi i letërsisë është shumë i vështirë pasi brenda poezisë bashkëveprojnë shumë figura stilistike, të cilat është akoma më vështirë që të përshtatën dhe të pasojnë ashtu si në origjinal.

Noka në rrëfimin e tij poetik, është bombastik me fjalët e përzgjedhura, por që përçojnë një emocion të fortë te lexuesi. Me gjithë egërsinë që paraqet në krijimtari duke pasqyruar jetën, traditën e doket Malësore, ai arrin të jetë i butë në ligjërim. Fjalët e tij poetike do ti konsideroja si shkëmbinj gjigant që janë gdhendur në figura shenjtash, fëmijësh dhe lulesh.

I tillë është Noka edhe te poezia “LUGA E SHENJTIT” në të cilën, paraqet një traditë burimore të Malësisë që vetë autori ka pas rast ta jetojë, të veshur edhe me disa rite tjera që formojnë një mozaik smeraldesh kulturorë të etnokulturës tonë unike të pasur.

Poezia fillon me një pjesë të paraqitur nga bota e femrës, nga kultura e gatimit popullorë, përmes bukës së mirë të kakinit që e bënte nëna, e pastaj ritin e prerjes së bukës ku autori thotë:

Aajo s’e prente kurrë bukën me thikë.
E thyente me duer të pastërta, e ofshante
‘’  Fale Zot!… Beriqet, beriqet!  ’’

Ndërsa raportin mes burrit dhe gruas, autori e paraqet me vargun:

Tim eti ajo i thirrte vetëm:- O Ti !

që është një traditë në gjithë Malësinë, gruas mos t’i thirret në emër.

Poezia e arrit kulminacioni përmes “lugës rezervë” që autori e quan luga e shenjtit pasi çdoherë kur është shtruar bukë në shtëpi, malësori ka menduar të jetë i gatshëm që ta presë mikun.

Kurse fjalët përfundimtare, janë fjalët më të dhimbshme, një realitet që e prekë edhe vetë autorin, që burojnë nga goja e nënës:

Pastaj tue nda kosin, përshpëronte si në lutje:
“Po s’pate dikë me e nda kafshatën e bukës,
Po s’ke ndonji edhe djersët e ballit me i përzie,
Po s’asht ndokush me i perzie gaz e lotë,
Jeta sht vetëm jetë qeni, jeremi!”

Në poezinë “NJË LETËR SHEGËS”, Sinishtaj krijon një poezi përmes metaforës , me një motiv dashuriet të hollë të lidhur me traditën dhe me mërgimin e dhimbshëm, temës qëmdrore të krejt krijimtarisë së poetit. Bashkë me metaforën, poeti përdorë edhe figurën simotër të saj që është krahasimi.

Autori i drejtohet shegës si femër, e butë e dashur, me ngjyra të kuqe të zjarrta karakteristike për vajzërinë duke e krahasuar me “fllanxa”, me fuqinë e diellit, zjarrit, dhe arit. Por njëkohësisht, ai i drejtohet shegës si bimë, sa e egër, aq edhe e butë, duke e krahasuar tani shegën me vashën çobaneshë, që e kalojnë kohën si shoqe bashkë. Shega, paraqitet si një diçka e fortë, që e lidhë jeten me vendin ku mbin, qoftë edhe te gryka e shpellës. Ajo nuk dorëzohet, por vazhdon që farën  e saj, të mbushur me jetën e diellit dhe hënës, ta shpërndaj përreth vetes duke ruajtur rrënjët e veta, traditën e të qenit shegë, fryt i dashur dhe i egër. Por autori, e paraqet bareshën si një tradhtare ndaj shegës sepse :

Bareshat të lanë të vetmuar.

Poezia e fundit e përkthyer  nga Gojçaj me titull “ULET MUZGU”, është një vitalizim i heshtjes, vetmisë, territ . Në Malësinë e Nokës, monotonia e vetmisë krijon muzikë, heshtja dhe terri janë punëtorët që kryejnë punët në vend të njerëzve që mungojnë. Krahasimet paraqiten përmes një ndryshkjeje, një terri për të paraqitur me forcë thellësinë e vetmisë. Personifikimi bëhet përmes fikut që ndez cigare, plepit që dridhet si në ethe, muzgut që ulet me gërhanë në dorë të qethi delet gala dhe territ të cilit autori e vesh me “astar” ndera i vetmi që e sheh gjithë këtë është DHEVESHTRUESI. Ndryshe mund te themi se kjo poezi është një paralelizëm i plotë figurativ.

Ulet muzgu me gërhanë në
Dorë
Si vejushë e re tue qethë galën,
Dridhet  si n’ethe plepi i
ShqetËsuem,
Muzikë monotone e fik
Sqepadruni
Ndez njI cigare,veshin ia vë
Dheveshtruesit e kaloj
Nëpër astar të territ
Vetmia në madrigal !