Shkodër (25 Nëntor) – Në prag të 100 vjetorit te shpalljes së Pavarësisë, në një aktivitet artistik përkujtimor të zhvilluar në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani nderoi Malësinë e Madhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në aktivitetin “Ku e muer emnin Malësia e Madhe” merrnin pjesë qytetarë, artistë dhe përfaqësues politikë të zonës së Malësisë nga dy anët e kufirit.
Presidenti Nishani beri një përmbledhje të kontributit të madh të krahinës së Malësisë së Madhe jo vetëm në pavarësimin e vendit, por dhe në mbrojtjen me gjakun dhe jetën e tyre të trojeve shqiptare.
Dekorata “Nderi i Kombit”, Malësisë së Madhe si trevë, në emër të Malësisë së Madhe andej dhe këndej kufirit iu dorëzua prof. dr. Martin Berishajt në prezencën e Nënprefektit të Malësisë së Madhe z. Sytki Ndrecaj.
Berishaj në fjalimin e mbajtur me këtë rast e potencoi se Malësia ka qenë altar i Shqipërisë dhe pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Dekorata e dhënë trevës se Malësisë se Madhe “Nderi i Kombit” do të ekspozohet në institucionin e vetëm shqiptarë këndej kufirit, në Shtëpinë Muze të Dedë Gjon Lulit, tha Berishaj.
Tubimi me fjalë të zgjedhura e përshëndeti edhe z. Sytki Ndrecaj. /Malesia.Org/
FOTOGRAFITË
Presidenti Nishani dekoron Rrethin e Malësisë së Madhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”
25 nëntor 2012
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte sot në Shkodër, ku i shoqëruar nga deputetë, anëtarë të Kabinetit, përfaqësues të pushtetit vendor, mori pjesë në veprimtarinë festive e kulturore “Ku e muer emrin Malësia e Madhe”.
Ky edicion i tretë i kësaj veprimtarie të rëndësishme kulturore në Shkodër, Malësi të Madhe e zonat përreth zhvillohet në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë nën kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit.
Në prani të shumë personaliteteve të tjera të politikës, pushtetit vendor, kulturës, artit dhe qindra qytetarëve që kishin mushur sallën e Teatrit “Migjeni”, Kryetari i Shtetit ndoqi koncertin artistik të rastit me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, si dhe interpretimet e aktorëve të njohur të skenës shqiptare si Reshat Arbana e Yllka Mujo.
Presidenti Nishani dekoroi Rrethin e Malësisë së Madhe me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” me këtë motivacion: “Për vlerat e larta atdhetare, si vatër e pashuar e kryengritjeve antiosmane dhe si pararendëse e pavarësisë me ngritjen e flamurit në Deçiq, për qëndresën heroike në mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste dhe për bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.
Në një atmosferë të ngrohtë e festive, Presidenti i Republikës e përshëndeti këtë veprimtari duke u shprehur se: “Malësia kreshnike e ndërtoi historinë e saj mbi ngjarje dhe fakte, mbi jetë njerëzish e veprimtari, të cilat mishërojnë dukshëm, të sintetizuara heroizmin e popullit të kësaj treve, tragjizmin, madhështinë dhe filozofinë unike të shpirtit të malësorit. Lirinë e skalitur në shpirt dhe të mbrojtur me grykë të pushkës, malësorit nuk mundën t’ia çrrënjosnin as represioni e as propaganda, që u përpoq të linte në harresë këtë trevë nga ku lindën dhe u rritën kreshnikë, sokola e burrnesha, të cilët në vërshimet e turbullta të kohëve u mbajtën fort mbi krenarinë e maleve të larta dhe të bajraqeve bujare.”
Më tej Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e malësorëve duke theksuar se: “Ngritja e flamurit në majën e Bratilës së Deçiçit mё 6 prill 1911, flamurit të Gjegj Kastriot Skënderbeut, është njё atribut thellësisht shqiptar, i cili jo vetëm kurorëzoi këtë kryengritje historike, por dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë dhe shpalljes së pavarësisë, 100-vjetorin e së cilës ne kremtojmë këto ditë.”
Presidenti Nishani, në vijim të fjalës së tij përshëndetëse theksoi se sot më shumë se kurrë, zëri që vjen nga historia i bën apel institucioneve dhe shoqërisë shqiptare të gjejë “mes vedit” frymën e kuvendimit, të bashkëbisedimit dhe të bashkëpunimit në shërbim vetëm të interesave madhorë të vendit si një komb me tradita të paçmueshme historike dhe civile, të cilat i kanë shërbyer përparimit dhe arritjeve të shtetit dhe kombit shqiptar.
* * *
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës në edicionin III të veprimtarisë: “Ku e muer emnin Malësia e Madhe”
E nderuar zonja Prefekte,
I nderuar zoti Kryetar i Qarkut,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Përfaqësues të pushtetit vendor,
Të dashur artistë,
Banorë të kësaj treve dinjitoze dhe krenare të Shqipërisë!
Takimin sot këtu me ju e vlerësoj si një nder dhe privilegj, të cilin ju ma keni bërë dhuratë në këtë nëntor, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kam kënaqësinë të shpreh mirënjohjen për organizatorët e kësaj mbrëmjeje festive, që më ftuan të jem këtu mes jush e ta përshëndes këtë veprimtari. Në të njëjtën kohë, ndiej një emocion të rrallë dhe një përgjegjësi të veçantë morale, qytetare e atdhetare teksa u drejtohem qytetarëve nga Malësia e Madhe “ku fjala ka peshë e që nuk matet me okë”.
Malësia kreshnike e ndërtoi historinë e saj mbi ngjarje dhe fakte, mbi jetë njerëzish e veprimtari, të cilat mishërojnë dukshëm të sintetizuara heroizmin e popullit të kësaj treve, tragjizmin, madhështinë dhe filozofinë unike të shpirtit. Malësia e Madhe u qëndroi stoike luftërave shekullore kundër armiqve të shumtë e të përbetuar të popullit shqiptar. Malësinë e Madhe e vranë, e prenë, e dogjën shkrumb e hi, por nuk mundën kurrë ta gjunjëzonin as pushtuesit e herëpashershëm, as shovinizmi dhe as gjakatarët e diktaturës komuniste. Lirinë e skalitur në shpirt dhe të mbrojtur me grykë të pushkës, malësorit nuk mundën t’ia çrrënjosnin as represioni e as propaganda, që u përpoq të linte në harresë këtë trevë nga ku lindën dhe u rritën kreshnikë, sokola e burrnesha, të cilët në vërshimet e turbullta të kohëve u mbajtën fort mbi krenarinë e maleve të larta dhe të bajraqeve bujare.
Atdhetarë të kësaj treve u ngritën për liri, pavarësi e ardhmëri, flamurtarë në llogore me pushkë të lirisë e besës, patriotizmit dhe dashurisë. Fishta, apo më mirë Patër Gjergji siç e quanin në këto anë, me penën e tij të artë, i gdhendi përjetësisht në vargje këto troje të lara me gjakun e bijve dhe bijave më të mira duke i himnizuar në “Lahutën e Malësisë”.
Nana Shqipëri ka qenë historikisht përherë zemra e patriotëve të vërtetë të Malësisë së Madhe. Ajo i fali Atdheut burra kuvendi e pushke, të njohur për urtësi e autoritet. Në kreshtat e Malësisë së Madhe u rrit e luftoi Dedë Gjo’ Luli, i cili me qëndresën heroike në kryengritjen, që zuri fill në 4 mars të vitit 1911 i dha një zë të fuqishëm çështjes shqiptare, duke ia bërë të qartë fuqive të ndryshme ballkanike se Shqipëria ka zot dhe nuk mund të kapërdihet në rrekje për të kënaqur orekset shoviniste të njërit apo tjetrit. Në mbrojtje të trojeve të të parëve tanë nga ushtritë pushtuese turke dhe sulmet malazeze, Dedë Gjo’ Luli dhe patriotët e tjerë shqiptarë i pararendën shkundjes së indiferentizmit dhe kthimit të vëmendjes së fuqive të mëdha evropiane nga kjo pjesë e trungut të saj që quhet Ballkan. Ngritja e flamurit në majën e Bratilës së Deçiçit mё 6 prill 1911, flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, është njё atribut thellësisht shqiptar, i cili jo vetëm kurorëzoi këtë kryengritje historike, por dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë dhe shpalljes së pavarësisë, 100-vjetorin e së cilës ne kremtojmë këto ditë.
Në kujtesën historike tё popullit tonё, e veçanërisht në atë të Malësisë së Madhe, si një panteon i qёndresёs pёr liri dhe i dinjitetit kombëtar të shqiptarëve qëndron Kuvendi i Greçës. Zjarri i kryengritjes së ndezur nga pushka e lirisë së Ded Gjo’ Luli, Ded Nika, Tring Smajlja, Gala Smajli, Gjon Gjekës, Dod Prençit e shumë e shumë kreshnikëve të tjerë si dhe nga mendjet e ndritura të atdhetarëve Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e Hil Mosi, ngrohu zemrat e mbarë shqiptarisë për t’u dhënë zë 12 kërkesave që kishin në themel lirinë, mëvetësinë dhe flamurin.
Memorandumi i Greçës, apo Libri i Kuq vijnë tek brezat e sotëm si një dëshmi historike, patriotike dhe qytetare e traditës shumëshekullore të popullit shqiptar, të kuvendimit, të prezantimit dhe mbrojtjes së mendimit shoqëror kombëtar në botë.
Sot më shumë se kurrë, ky zë nga historia na bën apel si institucione dhe si shoqëri të gjejmë “mes vedit” frymën e kuvendimit, të bashkëbisedimit dhe të bashkëpunimit në shërbim vetëm të interesave madhorë të vendit si një komb me tradita të paçmueshme historike dhe civile, të cilat vetëm na kanë shërbyer në përparimin që kemi arritur si shtet, si komb. Në këtë këndvështrim, vetëm duke ecur në gjurmët e kësaj tradite ne kemi të drejtën historike të pohojmë se jemi pasardhës të denjë të atyre burrave kreshnikë e zemërbardhë, të cilët me vetëdijen dhe hapin historik të patriotëve të vërtetë dhe me trimërinë, guximin dhe ndjenjën e sakrifikimit në emër të kombit, vunë gurët e themelit të Shqipërisë që ne gëzojmë sot.
Janë patriotët si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi dhe imzot Luigj Bumçi, të cilët, në vitin 1919 ia bënë të qartë botës mbarë se Shqipëria e lirë dhe e pavarur është territori ku shqiptarët bashkëjetojnë të bashkuar, si katolikë e myslimanë, si vëllezër që të mirën, ashtu dhe të keqen e ndajnë së bashku. Janë këta patriotë që ngritën kushtrimin dhe udhëhoqën një ndër luftërat më të ndritura në historinë e Shqipërisë, Luftën e Koplikut, të parën qëndresë popullore të organizuar nga një qeveri mbarëkombëtare pas 441 vitesh luftë e përpjekjesh për pavarësi e komb. Bajram Curri, Deli Meta, Luc Nishi, Zef Prel Martini, Gjok Dod Preçi, Zenel Shabani, patriotë të tjerë nga Shkodra, Kruja, Kavaja, Shijaku, Durrësi dhe Tirana u ngritën në këmbë për t’u mbrojtur nga pushtimi serbo-malazez. U ngrit në këmbë gjithë Shqipëria, ndërkohë që nga Vlora e Pavarësisë vinte kushtrimi i fitores ndaj pushtuesit italian.
Sot, ne nderojmë gjithashtu Kryengritjen e Postribës, një kryengritje antikomuniste, e para në Evropën e dalë pas Luftës së Dytë Botërore, me të cilën antikomunistët shqiptarë i treguan botës se fitoren mbi nazi-fashizmin po e zinte një diktaturë tjetër, që nuk kishte asnjëlloj ndryshimi me të nazizmit, madje, nga përmasat e krimit e tejkalonte atë, sepse zhvillohej jo në luftë si e para, por në paqe.
Të nderuar miq,
Tek përmenden këto fakte të historisë së Shqipërisë, të historisë së Malësisë së Madhe, zemra e çdo shqiptari ngrihet peshë. Mesazhi i tyre oshëtin nga maja në majë anembanë maleve kreshnike të Malësisë së Madhe. Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, kam privilegjin që si President i Republikës së Shqipërisë të dekoroj Malësinë e Madhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Të dashur bashkatdhetarë,
Ju drejtohem sot me besimin e plotë që të gjithë së bashku, shteti, shoqëria, qytetarët, mund të forcojmë identitetin, qëndrueshmërinë dhe imazhin e popullit dhe vendit tonë. Vetëm përmes përpjekjesh të përbashkëta, përkushtimi ynë dhe besnikëria ndaj idealit për të cilën dëshmorë të Malësisë së Madhe luftuan dhe ranë fli – ndërtimit të një shteti shqiptar të bazuar në virtytet më të larta humane, patriotike dhe demokratike, është garanci që shteti shqiptar gjithnjë do të jetë pjesë organike e familjes së madhe evropiane, me dinjitetin dhe potencialin e vlerave të vendeve përparimtare, perëndimore, një shtet ku qytetarët gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre në respekt të ligjit dhe të Kushtetutës.
Unë jam i bindur dhe besoj fort në këto vlera ashtu sikundër në to besojnë qytetarët e vendit tim. Jam i bindur në mençurinë dhe urtësinë e popullit shqiptar dhe për këtë besoj se përpjekjet tona të përbashkëta do të kurorëzohen me sukses.
Rroftë Malësia e Madhe!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Kryengritjeve të Malësisë së Madhe!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!