Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ish luftëtarët e UÇK-së, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Vendimi nga trupi gjykues është shpallur mëngjesin e së enjtes.
Në vendimin e saj, gjykata thotë se prokuroria nuk ka sjëllë ndonjë dëshmi bindëse lidhur me akuzën për tre të akuzuarit se gjatë vitit 1998 kanë kryer krime lufte.
Haradinaj, Brahimaj dhe Bala, janë rigjykuar pjesërisht në Hagë nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998.
Në familjen e ish-kryeministrit të Kosovës, në fshatin Gllogjan të Deçanit, kanë pritur me ankth lajmin, dhe kur kanë dëgjuar gjykatësin të shpallë të pafajshëm të akuzuarit gëzimi ishte i madh.
Hilmi Haradinaj, babai i Ramushit, nuk ka mundur të ndalë lotët e gëzimit, për çfarë edhe kërkoj ndjëse.Hilmi Haradinaj thotë se është tepër i lumtur që djali i tij dhe dy të tjerët u shpallën të pafajshëm.
Për të uruar për lajmin menjëherë në kullën e Haradinajve kanë ardhur qytetarë të shumtë dhe bashkëvendas. Në Gllogjan shpallja e pafajshme e ish-luftëtarëve të UÇK-së është pritur me muzikë folklorike dhe në këtë ditë gëzimi janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Pak më tutje në qendër të qytetit të Deçanit qytetarë të shumtë ishin mbledhur për të festuar vendimin e Gjykatës së Hagës. Qytetarët e Deçanit, por edhe në qendra të Kosovës ishin mbledhur mëngjesin e së enjtes për të përcjellur përmes ekraneve gjigande shpalljen e verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.
Përshëndetet lirimi i Haradinajt
“Vendimi i Gjykatës së Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj është dëshmia më e fortë se Ushtria clirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht”.
Ky është vlerësimi që i bën Prishtina zyrtare vendimit të Hagës për lirimin e Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt të cilët akuzoheshin nga tribunali për krime lufte. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci në një deklaratë për shtyp tha se durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar. Ai ritheksoi se lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.Edhe presidnetja Atifet jahjaga deklaron se e mirëproet vendimin e lirimit të haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij.
“Presidentja e Kosovës shpreh kënaqësinë që zotëri Haradinaj po i kthehet familjes së tij, qytetarëve të Kosovës dhe vendit për të vazhduar të japë kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës për zotëri Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë mveshur” – thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.
Ndërsa liderët shtetërorë kanë reaguar në mënyrë elektronike, përfaqësuesit e AAK-së por edhe qytetarët e kanë përshëndetur vendimin e gjykatës së hagës nga sheshi Ibrahim Rugova ku ishin vendosur projektor të cilët transmetonin drejtpërdrejt seancën gjyqësore.
Berisha: Kurrë s’kam dyshuar tek pafajësia e tij
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur ditën e enjte, kreu i ekzekutivit shqiptar ka theksuar se, asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim pafajësinë e ish-kryeministrit të Kosovës.
“Është lajmi më i gëzueshëm që marrin shqiptarët në këtë ditë. Pafajësia e Haradnijat është një triumf i drejtësisë ndërkombëtare. Nuk kam patur asnjë dyshim tek drejtësia dhe pafajësia e zotit Haradinaj”, ka thënë Berisha.
Rama: Lajmi më i mirë pas 100-vjetorit
Edhe kryetari i PS, Edi Rama ka përshëndetur të enjten vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shfajësoi nga të gjitha akuzat ish-luftëtarin e UÇK-së, Ramush Haradinaj.
Në fjalën e tij në një eveniment, Rama tha se ky është një tjetër lajm i mirë që vjen për shqiptarët në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
“Pas 100-vjetorit të Pavarësisë erdhi edhe një lajm i mirë për Haradinaj, i cili mori pafajësinë më të madhe për ish-luftëtarët e UÇK-së. Ky është një moment i jashtëzakonshëm, pasi që nga sot hijet e hedhura nga keqdashësit mbi UÇK-në dhe heroizmin e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë”, ka deklaruar Rama. /top-channel.tv/