Shqiptarët e Luginës protestuan kundër aktit vandal të Beogradit (video)

Preshevë, 21 janar –  Në mesditë, sot, ashtu siç ishte paralajmëruar, në Preshevë u mbajt një protestë gjithëpopullore e shqiptarëve tė Luginës. Ky ka qenë vendimi i marrë në mbledhjen e liderëve politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës pas pas heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPBM-së nga sheshi i Preshevës, një akti vandal xhandarmërisë së Serbisë.
Në sheshin e Preshevës, siç raporton portali Presheva, ishin tubuar me mijëra qytatarë nga Lugina e Preshevës duke shprehë pakënaqësinë e tyre ndaj kërcënimeve të qeverisë serbe duke kërkuar të drejtat e tyre.
Në këtë tubim u vunë lule në vendin ku ka qenë lapidari i dëshmorëve, si nga qytetarët ashtu edhe nga i tërë spektri politik.
Kryeministri serb kishte deklaruar se nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të protestojnë. pasi përmendorja është larguar e jo rrënuar e prishur dhe se gjithçka ka shkuar pa asnjë incident.
Pas këtij tubimi është miratuar edhe një kërkesë e shqiptarëve nga Lugine e Preshevës, e cila do t’i dorëzohet faktorit ndërkombëtarë, qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës,  si dhe Qeverisë serbe në Beograd.
Tubimi përfundoi pa incident dhe qytetarët u shpërndanë të qetë, raportoi ky portal.

Heqja e lapidarit tensionon shqiptarët, Lugina sot proteston
Prishtinë, 21 janar – 09:45 – Lapidari i UÇPMB-së nuk është më para ndërtesës së Kuvendit Komunal të Preshevës. Xhandarmëria serbe e ka hequr atë mëngjesin e së dielës.

Liderët politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë thirrur protestë gjithëpopullore për ditën e hënë, raporton “Koha Ditore”.

Keqardhje për situatën e re të krijuar ka shprehur OSBE-ja, e cila ka qenë ndërmjetësuese në dialogun midis faktorit politik shqiptar në Luginë dhe Qeverisë së Serbisë për arritjen e një kompromisi rreth përmendores, gjë e cila ishte paralajmëruar që të ndodhte ditën e diel, kur faktori shqiptar në orën 11:00 pritej që të shprehte pajtimin për zhvendosjen e lapidarit.

Veprimin e Qeverisë së Serbisë e kanë dënuar Prishtina dhe Tirana.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së i ka thënë Qeverisë së Kosovës, përmes një komunikate, se nëse nuk i rrënon ajo lapidarët e, siç i ka quajtur, “kriminelëve serbë në Kosovë”, atëherë një gjë të tillë do ta bëjnë ata.

Lapidari i UÇPMB-së është ngritur në Preshevë më 28 nëntor të vitit të kaluar. /Koha Ditore/

Furra Tahiri