Partia greke “Agimi i Artë” i shpallë luftë Shqipërisë!

Ideologu neonazist i “Agimit të Artë”, Christos Pappas, në një intervistë në emisionin “360 Gradë të Artur Zhejit në News24, foli për Shqipërinë, apo Vorio Epirin, siç parapëlqen ta quaj ai, ndërkaq thotë se Shqipëria mund të jetë vetëm një periferi e Greqisë.

“Epiri është Një dhe për ne ekziston Një Epir që është grek dhe një pjesë e tij në këto momente ndodhet në duar të huaja, në duart e shtetit shqiptar”, ka thënë Pappas.

Ai thotë se ekziston vetëm një pohim, Vorio-Epiri është grek dhe, sipas tij, kjo nuk shtrohet si pyetje, ndërkaq nuk heziton të theksojë se shqiptarët u mbështetën në gjurmë të huaja e të vjedhura.

“Ndërgjegjja shqiptare, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar është një fenomen i cili u shfaq në fillimet apo nga fundi i shekullit të 19, madje nëse doni u shfaq në fillimet e shekullit të 20 dhe është një ndërgjegje kombëtare e imponuar nga fuqitë e mëdha si Italia apo Austro- Hungaria. U mbështetët si popull në gjurmë të huaja, të vjedhura, nuk keni gjurmën tuaj”, është shprehur neonazisti grek, Christos Pappas, citon “Zëri”.

Ai madje shprehet se heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka prejardhje greke, sikurse që thotë për paraardhësit e mbretit Leka Zogu.

“Edhe Heroi juaj Kombëtar është Jorgjo Kastriotis, një feudal grek i helenizmit mesjetar. Edhe ish-mbreti juaj, gjyshi i pasardhësit të fronit të Zogut, Zoti Leka, pranon në intervistën e tij në vitin 1931 sa më poshtë: “Pranoj se në të vërtetë brenda mbretërisë së shqiptarëve ka edhe vende ende greke si Korcca, Himara, Dhrovjan, Gjirokastra dhe disa të tjerë””, ka thënë Pappas, duke shtuar se “shumë mirë do të ishte që jo vetëm Vorio-Epiri, por edhe e gjithë Shqipëria, të jetë një rrethinë apo një periferi e Greqisë”.

Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, ai e ka quajtur njeri të dehur, pasi që deklaratat e këtij të fundit, të bëra me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Shqipërisë, ku tha se dikur Shqipëria mendohej nga Presheva ne Prevezë, sipas Pappas, janë të papranueshme.

“Zoti Berisha ndoshta i referohet një sporti i cili sigurisht është i ndaluar nga feja myslimane. Siç duket pi shumë. Këto janë deklarata të papranueshme dhe ne nuk i diskutojmë. Sigurisht mëkati nuk është për zotin Berisha. Mëkati është për palën greke sepse kur ne pyesim në lidhje me çështjen në fjalë marrim përgjigje të papranueshme nga qeveritarët grekë, të cilët na thonë se këto deklarata janë kryesisht për përdorim të brendshëm dhe se është fjalim paraelektoral i zotit Berisha”, ka thënë Pappas, ndërkaq kreun e opozitës në Shqipëri, Edi Ramën, e ka quajtur “psikopat.

“Ne e dimë se zoti Berisha, mbështetësit e tij, si dhe psikopati zoti Rama, i cili kishte paturpësinë të bënte deklarata të njëjta në qendër të Athinës, në një veprimtari në pallatin “Sporting”, trumbetojnë një tendencë më të përgjithshme të popullsive atje, pra të popullsive tuaja, të cilët në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, por edhe se arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plaçkitja”, ka thënë Pappas.

Ndërkaq, duke folur për Flamurin tonë Kombëtar, neonazisti grek, Christos Pappas, tha se ky flamur është vjedhur nga shqiptarët, pasi nuk ka të bëjë asgjë me ta.

“Nuk ka asnjë lidhje nëse ky flamur është fashist, apo nëse ka këtu përkrenaren e Skënderbeut, apo nëse ka yll apo është pa yll. Edhe ky është një flamur i vjedhur. Keni vjedhur shqiponjën dy krenare biznatine, e kuqja dhe e zeza janë ngjyrat tona. Këtë flamur e kemi në zyrat tona. Është flamur bizantin me shqiponjën dy krenare. Keni ndërtuar një shtet fallco. Keni vjedhur heronj, ngjyra dhe flamuj dhe përpiqeni të vërtetoni se jeni shtet. Për fat të keq nuk jeni shtet. Me këtë shtysë për të bërë shtet, siç vepruat në fillimet e shekullit, e njëjta gjë ndodh dhe tani. Tashmë keni shpatullat e turqve, të amerikanëve dhe keni ngritur kokën. Tani keni gëzimin se ka rënë komunizmi, keni kapitalizëm, mund të keni Koka Kola, mund të keni makina të bukura të cilat për fat të keq janë nga krimi dhe hashashi. Tani kaloni mirë, duartrokisni amerikanin, i vidhni dhe orën e dorës, pasi siç themi ne më parë del shpirti dhe pastaj vesi. Vesi i plaçkitjes nuk mund të ikë. Pra më pas do të qani dhe ju”, është shprehur Pappas.

Ndërkaq, çështjen çame, deputeti neonazist grek, e ka quajtur inekzistente. “Si deputet i parlamentit grek, por në veçanti si patriot, gjëja e fundit që do të më interesonte do të ishte se çfarë do të thoshte parlamenti shqiptar. Ne kemi anën tonë, historinë, gjakun, zotin, Jezu Krishtin vetë. Meqë po më flisni për Çamërinë apo çështjen çame siç e thoni ju, për ne është një çështje inekzistente dhe që për fat të keq diskutohet në këto çaste. Nëse doni përgjigje është një çështje e cila është zgjidhur një herë e përgjithmonë në periudhën 1944-‘45 nga strategu i guximshëm dhe i zoti, Napeolon Zervas me ushtrinë e tij. Ata pak banorë myslimanë të zonës bashkëpunuan me armikun kundër grekëve dhe morën përgjigjen e duhur. Nuk janë grekë në asnjë rast. Goditën dhe luftuan Greqinë dhe ajo tokë nuk u përket. Ajo tokë është vetëm dhe vetëm për grekët”, ka theksuar deputeti Pappas.

Më tutje, kreu i “Agimit të Artë” grek, ka thënë se nëse do të duhet, Vorio-Epirin do ta marrim edhe me ushtri. “Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për çështjen e Vorio-Epirit. Pra zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe ushtrinë greke në Vorio-Epir atëherë edhe ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir. Ta dini këtë. Mundet që në këto momente të dëgjohet për Greqinë, se jeni dhe njerëz të medias dhe mund të jetë edhe një realitet, se përjeton një periudhë krize ekonomike, se ka probleme ekonomike, por ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë. Është çështje vendimi dhe jo lufte. Forcat e armatosura ekzistojnë në çdo shtet edhe si leve presioni”, ka theksuar Pappas.

Ndërkaq, gazetari Zheji, nuk la pa përmendur edhe çështjen e Kosovës. Ai e pyeti nëse në idetë dhe analizën e tij po e kundërshton pak realiteti historik, duke thënë se tani jo vetëm që është Shqipëria, por ka dhe një shtet tjetër shqiptar që është Kosova.

“E thamë një herë plaçkitja është zanat i shqiptarëve, erdhën me përdhunime, vrasje e vjedhje. Pra, erdhën tek ne dhe në vend që të puthnin dorën që ju jepte bukë, e kafshuan atë. Pra, erdhi ky grup popullsie. 50 për qind e kriminelëve që gjenden në burgjet greke janë shqiptarë, kanë krijuar mafien shqiptare në Greqi, rrojnë dhe mbretërojnë, bëjnë ç’të duan, kanë gjetur një Greqi për fat të keq vresht pa zot, ku nuk funksionon policia ashtu siç duhet të funksionojë. Nuk funksionojnë shërbimet, nuk funksionon ushtria, dhe kanë paturpësinë që brenda vetë Greqisë të shprehin pikëpamje dhe të flasin nëpër stadiume për Shqipërinë e Madhe. Gënjejnë veten dhe nëse Greqia nuk është në gjendje lufte me Shqipërinë, siç thotë zoti Artur, është Agimi i Artë në gjendje lufte me Shqipërinë”, u shpreh Pappas.

KUSH ESHTE KRISTOS PAPPAS

Kristos Pappas. Figure karizmatike e ekstremit të djathtë Agimi i Artë në Greqi.

Lindur në Athinë në vitin 1962, me origjine suliote nga fshati Lakas.

Ilias Papas, i ati, ushtarak në profesion, bashkëpunëtor i ngushtë i George Papadopulos, i njohur si kreu i grushtit ushtarak të shtetit në Greqi më 21 prill 1967.

I biri Kristos Papas është një nga nismëtarët që në vitet ‘80 i Lëvizjes Kombëtare Popullore Agimi i Artë, së bashku me të atin Ilias Papas.

Kristos Papas në vitet 90 themelon shtëpinë botuese Ilioforos. Me logon e kësaj shtëpie botuese, Pappas publikon dhjetra libra me përmbajtje të fortë nacionaliste apo “patriotike”.

Në dy palë zgjedhje, ne 7 maj 2012 dhe 17 qershor 2012, Kristos Papas zgjidhet deputet i Agimit të Artë

Ai është drejtues i sektorit për punë të jashme në partinë Agimi i Artë.

Pappas ka pushtuar shpesh herë kryelajmet e medias greke dhe asaj ndërkombëtare.

Në Shqipëri bëhet i njohur në 12 gusht të vitit 2012, ku merr pjesë në mënyrë energjike në ceremoninë përkujtimore të Aristotel Gumës në Himarë. Në këtë prezencë të tij në Himarë ai artikuloi publikisht, si politikan dhe si deputet dhe si një ndër ideologët e Agimit të Artë, se Himara është tokë greke dhe vetëm tokë greke.

28 tetor 2012, me rastin e përkujtimit të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, Papas u shfaq përsëri ne Shqiperi. Prezenca e tij shkatoi tensione, por ai nuk humbi rast pa rikujtuar dhe një herë se Shqipëria e jugut është Vorio Epir dhe se Vorio Epiri është tokë greke.

Profil Agimi i Artë

Agimi i Artë- Krisi Avgji

Themelohet së pari në vitet ’80 si një lëvizje Kombëtare Popullore.

Sot është një parti parlamentare e ekstremit të djathtë, me një popullaritet në rritje të vazhdueshme.

Nga 0.29 përqind të votave që kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2009, në qershor 2012 Agimi i Artë rritet më shumë se 20 herë. Pra preferencat ndaj kësaj partie 20 fishohen në mënyrë befasuese në Greqi duke arritur sa hap dhe mbyll sytë në rreth 7 % të preferencave të përgjithshme elektorale.

Me një strategji të qartë populiste dhe “atdhetare”, kjo parti shkaktoi një përmbysje radikale të ekuilibrave politikë të derisotshëm në republikën helene. …

Me terma të forta, kundër korrupsionit, kundër një klase politike “hajdute” dhe “tradhëtare” si dhe e  përbetuar për të shkatërruar “konspiracionin” ndërkombëtar kundër Greqisë, e kanë shndërruar këtë subjekt politik në një nga subjektet më karizmatike në sytë e popullsisë së thjesht greke.

Agimi i Artë nuk druhet përshembull të propozoj qoftë edhe vendosjen dhe mbjelljen masive të minave anti-njeri përgjatë gjithë kufirit grek për të ndaluar kësisoj emigracionin klandestin.

Kjo formë e ashpër dhe krejt në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare si dhe mjaft propozime të tjerë për zgjidhje drastike kanë ngjallur reagime të forta në shtresat intelektuale dhe të majta. Por kjo nuk e ka ndaluar aspak marshimin e tyre drejt pushtetit

Si një subjekt politik me mjeshtëri të lartë të komunikimit publik ata shquhen për veprime të qëllimshme kundër rrymës. Shpesh herë i sheh militantët dhe kuadrot e kësaj partie duke shpërndarë falas ndihma ushqimore.

Ngado ata shfaqen si vullnetarë aktiv në krye të ndihmës sociale ndaj njerëzve në nevojë.

Sipas politologut grek Christophoros Vernardakis:

Sinkron zë tjetër

“Votuese tradicionale e Agimit të Artë është klasa e mesme e ulët që është duke u varfëruar me shpejtësi nga kriza. Pronarët e vegjël, pronarët e dyqaneve, të papunët janë grupet sociale, ku ekstremi i djathtë ka shkallën më të larta të mbështetjes. Votues të shumtë, Agimi i Artë ka edhe nga radhët e policisë. Popullariteti ndaj Agimit të Artë është shokues. Arsyet mund të gjenden në krizën e madhe të borxhit, thellimin e recensionit, rritjen e shpejtë të papunësisë”.

Agimi i Artë lidhet ngushtë me emrin e Nikos Michaloliakos, aktualisht  Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie

Anëtarët e partisë i drejtohen atij si “udhëheqësi Michaloliakos”!

Me një CV të pasur me plote me incidente spektakolare publike ai mbetet një simpatizues i hapur i juntës së kolonelëve që dominoi Greqinë nga vitet 1967-1974.

Kristos Pappas konsiderohet si krahu i tij i djathtë dhe si një nga subjektet më ekspresiv të udhëheqësit Michaloliakos. /MPO/

Furra Tahiri