Tuz, Malësi (06.04.2013) – Votuesit shqiptarë në Mal të Zi, në prag të zgjedhjeve presidenciale, janë të hutuar duke iu falënderuar përfaqësuesve të tyre politik shqiptarë.
A duhet të (mos)përkrahin njërin apo tjetrin kandidat, a duhet të votojnë apo të bojkotojnë këto zgjedhje!?
Është kjo situatë, huti të cilën e kanë krijuar vetë përfaqësuesit politik shqiptar duke vazhduar traditën e tyre. Të përçarë dhe të pakoordinuar jo vetëm në mes subjekteve politike por edhe brenda vet partive apo subjekteve politike.
Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike, udhëheqës të dy koalicioneve shqiptare, kanë shprehur qëndrimet e tyre duke përkrahur haptas kandidatin e DPS-së, Filip Vujanovic për president të Malit të Zi.
Unioni Demokratik i Shqiptarëve, po ashtu haptas ka përkrahur kandidatin Vujanovic, megjithatë, funksionari i lartë i sajë, dhe kryetari i Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit, Fadil Kajoshaj, për portalin tonë pati thënë se për të personalisht (flet në emër të tij dhe jo si zyrtarë i partisë) zgjedhjet as nuk ekzistojnë fare.
“Unë personalisht, dhe qytetarët e Dinoshës në përgjithësi, do të jemi indiferent ndaj këtyre zgjedhjeve, sikur ato nuk ekzistojnë fare”, u shpreh Kajoshaj.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi përmes kryetarit të saj Mehmet Bardhi u pozicionua si neutrale, duke ju thënë votuesve shqiptarë që ata të vendosin vet për votën e tyre. Por brenda kësaj parti Dega e Malësisë dhe ajo e Plavës e Gucisë u pozicionuan ndryshe, duke ftuar qytetarët në bojkot ose duke prishur fletën e votimit. Kryetarët e këtyre dy degëve, akuzuan kryetarin Bardhi se nuk pati konsultime brenda partiake për qëndrimin e tij neutral në këto zgjedhje.
Alternativa Shqiptare po ashtu u pozicionua si neutrale, duke i lënë votuesit shqiptarë të vendosin vet se çka duhet bërë.
OJQ Forumi Demokratik për Integrim, e cila përmes listës Aleanca Rinore e Shqiptarëve konkurroi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, ftoi shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet.
Iniciativa Qytetare, nga pakënaqësia e mospërcaktimit të datës së saktë të referendumit për Komunën e Malësisë, ftuan votuesit shqiptarë të dalin në zgjedhje dhe duke shprehur revoltë të prishin fletën e votimit.
Për momentin, kemi shtatë (7) subjekte politike shqiptare me dhjetë (10) qëndrime në lidhje me zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen nesër me 7 Prill, situatë kjo që sigurisht ka krijuar huti në mesin e votuesve shqiptarë.
R. Ivezaj