Këshilli Shtetërorë i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan dje në Mal të Zi, sipas të cilave fitues është kandidati i DPS-së, Filip Vujanovic.
Sipas rezultateve paraprake të KShZ-së Vujanovic fitoi 161.940 vota apo 52,21 për qind, kurse kandidati i pavarur (opozitarë) Miodrag Lekic 154.290 vota apo 48,79 për qind.
Në zgjedhjet presidenciale të 7 prillit, të drejtë vote kishin 511.405 nga të cilët votuan 326.793 votues. Numri i fletëve të votimit të pavlefshme sipas KShZ-së është 10563. /MALESIA.ORG/
———————————————————————————-
Mbrëmë disa orë pas mbylljes së vendvotimeve të zgjedhjeve presidenciale, te dy kandidatet shpallen fitoren.
Sipas shtabit zgjedhor të kandidatit të pavarur (opozitarë) Miodrag Lekic, në bazë të 97% të votave të numëruara, kandidati Lekic ka fituar 50,5% të votave, kurse kandidati Vujanovic 49,5 për qind.
Kurse, sipas shtabit të kandidatit të DPS-së, Filip Vujanovic, në bazë të 100% të votave të numëruara, kandidati Vujanovic ka fituar 51,3% kundrejt 48,7% të votave për kandidatin Lekic.
Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve pritet që të shpallin rezultatin preliminar deri nesër.
Sipas shtabit të Lekic-it, janë rreth 4 për qind të fletëvotimeve të pavlefshme, gjë që është më shumë se diferenca në vota në mes të kandidateve.
Në zgjedhjet e djeshme, sipas rezultateve preliminare, kanë votuar 63,7 për qind e votuesve me të drejtë vote, rreth 7 për qind më pak se në zgjedhjet parlamentare të tetorit të vitit të kaluar.
Sipas gazetës Vijesti, nga analizat e para, tregon se Vujanovic ka fituar në mënyre te konsiderueshme më pak vota se koalicioni i përbërë nga DPS-SDP-LP.
Sipas informatave që posedojmë, dalja në këto zgjedhje ishte posaçërisht e ulët në komunat ku jetojnë shqiptarët.
Në Ulqin deri në ora 17:00 votuan vetëm 24.01% e votuesve. Në Plavë 28.69%. Në Rozhajë 29.94%.
Sipas informatave që posedojmë edhe në territorin e Malësisë ishte dalje e ulet, megjithatë ende nuk ka informata të sakta për arsye se votat e Komunës urbane të Tuzit shkojnë në kuadër të Podgoricës.
Sipas Vijesti, votuesit e partive të pakicave nuk dëgjuan partitë e tyre të cilat përkrahen Vujanovic-in.
Në Podgoricë (ku përfshihen edhe votat e Malësisë) sipas informatave të publikuara në Vijesti, kandidati i DPS-së ka fituar rreth 8000 vota më pak se sa kishin fituar koalicioni DPS-SDP-LP në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
Në Rozhajë 5500 më pak, në Ulqin rreth 4800 më pak vota seç kishte koalicioni DPS-SDP-LP vitin e kaluar. Gjithashtu edhe në Tivar rreth 3200 dhe Plavë me rreth 2000 vota më pak. /MALESIA.ORG/