Arrestohet i dyshuari i dytë për terror në Boston

Policia amerikane, pas një dite plotë tension, ka arrestuar të dyshuarin e dytë për sulm me bomba në maratonën e Bostonit, ku humbën jetë tre qytetarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Bëhet fjalë për Dzhokar Tsarnaev (19).

Ndjekja e këtij të dyshuari ka zgjatur më shumë se 20 orë, përderisa policia e ka kapur të plagosur.

Gjatë këtij aksioni, që në orët e para, ishte vrarë vëllai i tij Tamerlan (26).

“U kap!!! Gjahu ka përfunduar. Hetimi mbaroi. Terrori mbaroi. Drejtësia fitoi. I dyshuari u kap”, ka raportuar policia.

Raportohet se i dyshuari ishte fshehur në një barkë të parkuar në oborrin e një shtëpie në Watertown.

Disa orë më herët, autoritetet në Boston thanë se e kishin tërhequr urdhërin, që banorët të qëndrojnë brenda në shtëpi, pas aksionit të dështuar të policisë për ta gjetur vendin se ku fshihej i dyshuari.

Aksioni i policisë zgjati gjithë ditën, e në të morën pjesë mijëra policë me armatim të rëndë.


Boston, 2 terroristët janë vëllezër nga Çeçenia, njëri vritet


BOSTON – Pas kontrollit shtëpi më shtëpi të policisë, një i vrarë dhe tjetri i arratisur.

Janë dy vëllezër çeçenë, 26 dhe 19 vjeç dy terroristët e cilësuar si përgjegjës për tragjedinë e Bostonit.

Bëhet fjalë për Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç, i cili mbeti i vrarë këtë mëngjes dhe Dzhokhar A. Tsarnaev, 19 vjeç, për momentin në arrati. E bëjnë të ditur burime të sigurisë së brendshme.

Ai që po kërkohet është një student i Cambridge Ringe and latin school dhe e quan veten “ïslamik”me sa lexohet në profilin e tij në Facebook-un rus”.

Në profil Tsarnaev thotë se, “ka studiuar  (me gjasë në fillore e më pas) në Makhachkala, në republikën kaukaziane të Daghestan dhe se njeh tre gjuhë (rusisht, çeçenisht dhe anglisht). Objektivi i tij kryesor deklarohet se janë paratë dhe karriera.

Transportet rrugore janë bllokuar në gjithë Massachusetts për të kapur të arratisurin, deri në një urdhër të ri. Dy të rinjtë ishin të armatosur dhe me eksplozivë nëpër çanta; edhe me kapakë tenxheresh me presion, të transformuara në bomba, të cilat kanë tentuar t’i shpërthejnë kundër policisë.

Ata janë konfrontuar me dhjetëra policë pas vrasjes së një polici. Disa bomba i kanë braktisur në vendin e përleshjes, e të cilat po ekzaminohen nga një robot anti-bombë. Tamam si në skena filmash: një dëshmitar ka folur me New York Times për “dy burra”, që qëllonin pas një SUV Mercedes të zi kundër dhjetëra policësh nga rreth 70 metra largësi.

Një makinë policie është qëlluar aq shumë, sa ka humbur kontrollin, duke u përplasur me dy makina të tjera të parkuara. Një polic ka mbetur i plagosur rëndë. Përleshja ndodhi pak orë pas të shtënave në Mit gjatë të cilave mbeti i vrarë një polic.

Dy të dyshuarit e atentatit të Bostonit (tashmë njëri i vdekur, tjetri në arrati) janë rezidentë në ShBA. /Shekulli/ – /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri