Vasel Sinishtaj fton deputetet shqiptarë të braktisin pushtetin

Funksionari i Iniciativës Qytetare – Tuz, Vasel Sinishtaj, fton Forcën të braktisin qeverinë për arsye të shkeljes së aneks marrëveshjes të cilën ajo parti e ka nënshkruar me DPS-në dhe të anulojnë dëgjueshmërinë ndaj kryeministrit Milo Djukanovic.

“Pasi nuk respektohet aneks marrëveshja, kam pritur që Forca të braktisin qeverinë. Ata nuk duhet ta zvarrisin këtë hap, sepse ata mirë e dinë se ajo që është nënshkruar nuk po respektohet”, deklaroi Sinishtaj për “Dan”.

Ai theksoi se nuk pret që nga qeveria të largohet Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, sepse siç tha ai, ata janë zëvendësues të Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
“Partia Demokratike pas zgjedhjeve parlamentare i dha përkrahje të parezervë qeverisë së Milo Djukanovic. Gjeka pati qëllimin të bëhet deputet, e sikur të kishte marrë më shumë vota do të bëhej ministër dhe nuk do të konsultohej me anëtarët dhe votuesit e tij për asgjë”, tha Sinishtaj.

Ai vuri ne dukje se statusi i shqiptarëve në Mal të Zi është duke u përkeqësuar në vend se ai të përmirësohet.
“Shqiptarët humben edhe ata që kishin, para së gjithash mendoj në numrin e mandateve parlamentare. Kam pritur që të paktën opozita të japë mbështetjen në këtë drejtim dhe të fillojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe atë të organizimit territorial. Në këtë mënyrë ata do të kishin hapur rrugën për një mbështetje të kandidatit të tyre, Miodrag Lekic, dhe kjo është arsyeja pse kam thënë para zgjedhjeve se as opozita nuk meriton përkrahjen e shqiptarëve”, deklaroi Sinishtaj.

Afera “Snimak”, siç tha ai, pasqyron mënyrën se në çfarë metode DPS mori votat edhe në zonat me shumicë shqiptare, e cila sipas tij, është shembulli më i qartë i abuzimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale.

Deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu, dje ka shprehë pakënaqësi në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me DPS-në dhe që së shpejti organet e partisë do të shqyrtojnë hapat e ardhshëm në lidhje me pjesëmarrjen në qeveri.

Pesë muaj më parë ne kemi nënshkruar një marrëveshje dhe ende nuk ka përmirësime cilësore në bashkëpunim. Procesi po ecën shumë ngadalë, kishte thënë Nimanbegu.  /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri