Islanda ia shuan ëndërrën Brazil Shqipërisë

Ishte shumë e bukur për të qënë e vërtetë. Ëndrra e shqiptarëve për një verë në Brazil, ngrin e tëra në tokën e akull të Islandës.

Shqipëria humbet 2-1 përballë vendasve, që përmbysin disavantazhin e Ramës , pavarësisht rritjes dhe shpresës, këtë herë reale, që na kanë servirur këto eliminatore.

De Biasi në ndryshim nga katër ditë më parë, në Slloveni këtë herë preferon nga minuta e parë një Shqipëri me dy sulmues, me tradicionalen 4-4-2, që është dhe skema me të cilën luan dhe Lagerbak. Islanda kuptohet që në fillim që do të jetë një kundështar i fortë, sidomos dhe në aspektin teknik. Në minutën e 4-tërt Berisha bëhet shpëtimtar i Shqipërisë, kur pret një goditje të Sigurdson në trekëndësh. Gjithsesi goditjen e madhe në start do ta bëjë Shqipëria. Në minutën e nëntë, Cani mbron mirë topin, e kalon te Basha që e hap menjëherë te Rama, i cili në ndeshjen e tij të katërt në përfaqësuese shënon golin e tretë, duke gjetur këndin e portes islandeze. Shqipëtarët janë në qiellin e shtatë, por problemi është se shkojmë shumë shpejt aty, pasi Islandezët na kthejnë me këmbë në tokë. Dallku fillimisht ja lë autostradë zonën kundërshtarëve, por Berisha zgjat këmbën e tij për të thënë jo. Portieri kuqezi nuk mund të bëjë asgjë, 4 minuta më pas, kur Teli rrëshket duke lënë Bjarnason të lirë për golin e barazimit. Shqipëria vuan, por rastin për t’u kthyer në avantazh e ka sërish, me Kacen që godet fluturimthi ngjitur me shtyllën.

Islandezët bëjnë presion konstant dhe në dy raste i afrohen golit por berisha arrin të neutralizojë, duke u konfirmuar si më i miri në fushë për kuqezinjtë. Në krahun tjetër ndërkohë, Roshi dhe Salihi arrijnë të gjejnë kombinimin e duhur por jo fundin e rrjetës pasi Halldorson pret mbi vijë. Presionin e fraksionit të pjesës së parë, Islanda e konkretizon sapo hyn në fushë në të dytën, me Sigorson që shënon me finte golin e 2-1. Shqipëria tashmë është në gjunjë dhe për minuta të tëra në fushë janë vetëm islandezët. De Biasi në të 64-trën ndryshon emrat, duke hedhu në fushë januzin për Canin e bulkun për Bashën. Shqipëria fillon të tregohet më agresive, por mbrojtja mbetet gjithmonë një rrezik për ne, aq sa në minutën e 70-të, për fat tre islandezë dalin bosh në zonë. Kombëtarja kundërpërgjigjet në krahun tjetër me Ramën, që është më i rrezikshmi por goditja e tij shkon jashtë. Minutat e fundit janë shumë dëshirë për një pikë por dhe shumë paqartësi, e cila nuk prodhon asgjë. Islanda fiton 2-1 dhe tashmë është zyrtarisht e dyta, Brazili është pranë për ta, pasojë dhe e kalendarit më të favorshëm, ndërsa Shqipëria matematikisht është ende në lojë, port ë ringirhesh nga vendi i pestë, ku u rrëzuam këtë fillim shtatori nevojitet më shumë se një mrekulli, nevojitet qartësi. Në dy ndeshjet e mbetura, kuqezinjtë tashmë duhet të mendojnë për të bërë mbylljen që meritojnë këto eliminatore, ku për shumë muaj fituam një ëndërr dhe pse jo një biletë. Ishte e bukur për sa zgjati.

Furra Tahiri