Karnavalet Koret 2014 – Nata e humorit

koret2014-nata-humoritTuz-Malësi, 29.02.2014 –  Në sallën e mbushur përplot të Qendrës për kulturë “Malësia”në Tuz, mbrëmë filloi java e Karnavaleve që mbahet tradicionalisht tash 19 vite.
Karnavelet i shpalli të hapur kryetari i Karnavaleve z.Nrekë Camaj.

Para se të fillonte programi u përkujtua kapoja i dertashem i Karnavaleve i ndjeri Gjokë Nikollë Lekoçaj, për të cilin, me pakë fjalë, folën Nrekë Camaj dhe Shtjefën Ujkaj. Me këtë rast ata paraqiten kapon e ri të karanaveleve, zotëri Eduard Sinishtaj.

Programi u hap me lojën e mazhoretkave, të cilat u paraqiten me një skenografi të re dhe me në një veshje të stilizuar me shije, me ngjyrat kombëtare dhe me jelekun tradicional.

Programi filloi me Natën e humorit ku u prezantuan humoristë nga Malësia, të cilët me humorin e vet në shumë raste e çuan sallën në këmbë nga duartrokitjet dhe gazi.

Meqenëse në natën e humorit nuk ka grupe të veçanta që garojnë, organizator i mbrëmjes ishte vet shoqata karnavaleve. Këtë natë, humori dhe satira nuk munguan. Në shenjëster të satirës ishin disa dukuri, ngjarje e fenomene negative në Malësi dhe shoqëri në përgjithësi, duke mos i kaluar as problemet infrastrukturale apo statusore, me të cilat po ballafaqohet Malësia, si përmbytjet nga Urrela e deri te çështja e komunës. Në shënjestër ishin edhe mosmarrveshjet midis gjeneratave, ku e vjetra  e lufton të renë, por gjithnjë me një humor të lehtë e ndonjëherë edhe banal.

Sido që të jetë publiku u nda më se i kënaqun me këtë natë dhe nëse puna e mirë shihet në fillim, atëherë karnavalet e sivjetmë premtojnë se do jenë një manifestim i organizuar mirë që do të kënaqin publikun në këtë sezonë kur në Malësi, aktivitete shoqërore e sidomos kulturore ka shumë pak. /Albert Camaj/

Fotogaleria

Furra Tahiri