Protestat shqiptare në Washington dhe Plavë, të organizuara kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe statusit të Komunës së Tuzit janë plotësisht të arsyeshme, sepse premtimi për Komunë nuk është plotësuar që nga viti 1997, tha funksionari i Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj për gazetën Dan.
Sinishtaj theksoi se kanë kaluar shumë premtime të parealizuara dhe se shprehja e pakënaqësisë të bashkëkombësve në diasporë, është plotësisht e arsyeshme.
“Diçka që është premtuar duhet edhe të përmbushet. Për shqiptarët fjala e dhënë është më e fortë se ligji”, tha Sinishtaj.
Shqiptarët shpresonin se me pavarësimin e Mali të Zi do të jetë më mirë, megjithatë ndodhi e kundërta, shqiptarët kishin më shumë te drejta në shtetin Serbi-Mali i Zi, theksoi Sinishtaj, dhe shtoi se sa më shumë parti nacionale në qeveri, shqiptarët po kanë më pak të drejta.
Duke komentuar protestën shqiptare në Washington DC, Sinishtaj tha se kërkesa e bashkëkombësve tonë në SHBA është e qartë si për qeverinë malazeze ashtu edhe për subjektet politike shqiptare, se asgjë më pak se komunë si të gjitha të tjerat, nuk është e pranueshme.
Ai vlerësoi se aksioni i rinisë shqiptare në Plavë ishte i shkëlqyer dhe mesazh i qartë për qeverinë malazeze. Ata kërkojnë të drejtat themelore, jo vetëm Komunën e Tuzit/Malësisë, por vunë në dukje problemet në arsim, punësim, përdorimin e gjuhës, shkrimit dhe simbolet kombëtare.
Standardet ndërkombëtare për popujt autokton duhet të zbatohen në Mal të Zi, përfundoi Sinishtaj. /MALESIA.ORG/