Mësuesi me përvoje 43 vjeçare në arsim, në ditët e pensionit merret me pikturë

Mark N BerishajMbas disa dekada si mësimdhënës në katërvjeçaren në Vuksanlekaj, mësuesi Mark Berishaj rifillon të merret me pikturë.

Daton viti i largët 1964 kur Mark N. Berishaj filloi të merret me vizatim. Vizatimet e para janë portrete të shokëve të vet gjatë shërbimit ushtarak në Karllovac dhe gjatë studimeve në Gjakovë.
Mark N Berishaj studioNë vitet e largëta të studimeve në Gjakovë, profesor të artit figurative ka pasur Nusret Salihamixhiqin, kurse Tahir Emra e ka pikasur talentin e tij dhe i sugjeroi të studiojë Akademinë e arteve në Prishtinë, por si shumë malësorë të asaj kohe, për shkak të kushteve të këqija ekonomike që mbizotëronin në familjet shqiptare të këtyre trevave, e kishte të pamundur të vazhdonte studimet e artit të pikturës dhe iu deshtë të kthehej te shtëpia në lagjen e vjetër të Tuzit, për ti ndihmuar babait dhe nenës të rriste vëllezërit dhe motrat tjera, rrëfen Berishaj.

Tani si pensionist ai ka një studio të vet ku e kalon kohën e lirë duke pikturuar. Berishaj sqaron se për dallim nga shumë vite më parë, kur ai kishte filluar të pikturonte me laps, ai tani si mjet kryesorë ka ngjyrat.

Gjatë kohës që ka qenë mësues në Vuksanlekaj ka bërë me dhjetëra portrete të nxënësve të cilët ndoshta nuk kane qenë të vetëdijshëm se mësuesi i tyre po i përjetësonte në letër dhe me laps. Këta nxënës sot mund të befasohen kur të shohin portretet e veta në koleksionin e Berishajt.

Mark N Berishaj studio 2Disa nga motivet kryesore të pikturave të punuara që kur është pensionuar janë “Kulla e Berishajve” në fshatin e lindjes në Priftën, “Kisha e Grudës” si dhe piktura nga vende të ndryshme të Malësisë, shprehet Berishaj.

Marku e konsideron veten piktor amator dhe nuk lavdërohet për punimet e veta, por mund të themi se në pikturat e tija ka futur shumë mund si dhe ka derdhur talentin e fituar ndër vite të thithur nga bukuritë natyrore të Malësisë, prandaj dhe i dëshirojmë ta shijojnë në shëndet dhe sa më bukur kohën si pensionist duke realizuar piktura sa më të bukura.

Për të shikuar punimet, vizitoni blogun: http://markberishaj.blogspot.com/

 

Furra Tahiri