Nëntorin e Flamurit, Nëntorin e Pavarësisë shqiptarët kudo si dhe në Amerikë e kanë muajin më të shenjtë, muajin më të bukur, sepse mblidhen të gjithë së bashku rreth Flamurit të Nënës Shqipëri.
Në restorantin Eastwood Manor në Bronx, Fondacioni Plavë e Guci festoi me madhështi 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Salla plot e përplot ku organizohej Festa ndrinte nga flamujt kuq e zi dhe njerëzit veshur me këto ngjyra kombëtare. Ata me krenarinë e ligjshme e festojnë këtë ditë të shenjtë, ata përkujtojnë se pikërisht në vendin e tyre në Bratile të Hotit u valëvit Flamuri i Gjergj Kastriotit në prill të vitit 1911 pas luftrave, përpjekjeve heroike, pas robërimit të zi 500 vjeçar nga turqia otomane.
Ndërsa i shikoja që takoheshin dhe përshëndeteshin grupe-grupe më dukej sikur dhe përshëndetja e tyre ishte një betim si në vitin 1911:
De Gjo Luli lëshon kushtrimin/ çoni burra të bëjmë betimin/…
Mbrëmjen e kanë moderuar Gjovalin Nikci dhe Alberita Rugova.
Gjovalin Nikci veshur kuq e zi dhe me plisin e bardhë në kokë një traditë e lashtë e popullit tonë përshëndeti gjithë të pranishmit për Festën e Flamurit. Gjatë moderimit z.Nikci me një humor të hollë ai tha se të gjithë dëshirojmë Shqipërinë etnike dhe uroj që njeri nga ambasadorët që kemi këtu mysafir të shkojë në shtëpi kur të bashkohemi në një…
Ai iu uroi atyre se Flamuri shqiptar do të valëvitet në perjetësi, ndërkohë ka ftuar znj.Vlora Çitaku, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës e cila iu uroi gjithë pjesëmarrësve: Gëzuar Ditën e Flamurit! Ajo tha se ambasada jonë është dhe shtëpia juaj dhe të gjithë jeni të mirëpritur. Ne duhet të punojmë së bashku fort për ta ngritur dhe më lart emrin e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trevave që u ndanë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha. Kosova ju ështëgjithmonë mirënjohëse për cfarë ju keni bërë për Pavarësinë e saj.
Z.Ferid Hoxha ambasadori shqiptar pranë misionit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara i cili midis të tjerash tha se e kam kënaqësi të veçantë të ndodhem midis jush si malësor dhe shqiptar për të festuar 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së bashku. Shqipëria në këto vite në arenën ndërkombëtare ka ecur me shpejtësi dhe emri i saj po dëgjohet dhe më shumë në qarqet e larta politike. Uroj që së shpejti ta festojmë së bashku.
Pas dy ambasadorëve fjalën e ka marrë Ansambleisti i parë shqiptar në shtetin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, i cili siç e kam thënë në çdo shkrim të befason me pjesëmarrjen e tij në festat dhe ngjarjet e rëndësishme të komunitetit. Z.Gjonaj pasi kishte organizuar festën e përbashkët dhe madhështore në Maestro Restorant e gjeti kohën për të ardhur midis bashkatdhetarëve të Fondacionit Plavë e Guci.
Z.Gjonaj iu uroi Gëzuar të gjithëve ditën e Flamurit, Gëzuar nga mot. Nuk ka më kënaqësi kur shikoj gjeneratën e re të vinë së bashku në këtë ditë të shenjtë dhe të valëvisim Flamurin kuq e zi kudo, Flamurin e Skënderbeut. Le të jemi të gjithë së bashku se kështu do të mbërrijmë atje ku ëndërrojmë për Atdheun tonë. Për mua nuk ka asgjë tjetër më shumë se ajo që më bën krenar të jem shqiptar. Ai falënderoi Fondacionin “Plavë e Guci” per këtë organizim të bukur dhe ne veçanti fjalë miradie ishin dhe për z.Esad Gjonbalaj kryetar i Fondacionit. Ai theksoi se nuk ka djalë më të mirë dhe patriot si Gjonbalaj, i cili punon me aq përkushtim dhe ndershmëri për Kombin dhe Plavë Gucinë, bashkëpunimi me të ka dhënë frutet e veta.
Pas fjalës së z.Gjonaj ka përshëndetur në emër të shoqatës atdhetare Malësia e madhe nga Detroiti dhe në emër të 9 shoqatave shqiptaro-amerikane me origjinë nga trojet etnike shqiptare nën Mal të Zi, z.Pashko Gjokaj i cili tha se: “Ju uroj gëzuar 28 Nëntorin ditën e Pamvarsise, festën e krenarisë së Kombit tonë. Ne përkujtojmë të gjithë ata që flijuan jetët e tyre qe ne të gezojmë dhe të jem krenar që jemi keta që jemi sot.
Ne jemi sonte malësorë mes malësorve, vëllezër mes vëllezërve.
Falënderoj kryesinë dhe kryetarin e Fondacionit Plavë e Guci zotin Esad Gjonbalaj për ftesën që më bëri dhe përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të ftuarit e nderit të shoqates suaj prezent në këtë mbrëmje. Ishin pikërisht ngjarjet e ndodhura në trojet etnike nën Mal të Zi sot që i shtyn fuqitë e mëdha ta marrin më me seriozitet cështjen shqiptare, ishin ngjarje që edhe i paraprinë Pamvarsisë së një pjese të kombit tonë. Betejat e komandant Jakup ferrit me ushtrinë e Mark Milanit u shpartalluan nga kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 e udhëhequr nga heroi yne kombëtar Dedëe Gjon Luli.
Me plot duartrokitje u mirëprit plaku patriot dhe i mënçur, veterani i çështjes kombëtare në moshën 92 vjeçare Rexhep Gali Balidemaj i cili ka përshëndetur të gjithë mysafirët, pjesëmarrësit dhe iu ka uruar atyre ta gëzojmë Flamurin Kombëtar dhe le të valëvitet ai pafundësisht në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë mbrëmje kanë qenë mysafirë si: kryetari i shoqatës Ana e Malit Ismet Kurti si dhe Xheladin Zeneli n/kryetar, Marko Kepi president i organizatës “Rrënjët”, Kryetari i Fondit Humanitar Malësija, z.Ejllo Berishaj
të cilët së bashku kanë përshëndetur bashkatdhetaret kudo që janë në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Në fund e ka marrë fjalën i zoti i shtëpisë, z.Esad Gjonbalaj njëherazi dhe kryetar i fondacionit Plavë e Guci i cili tha se:
Sonte është një natë e veçantë, sonte shoqata jonë me antarsinë e gjerë të saj dhe malsorët e Plavë Gucisë kremtojnë së bashku me ju Festën e Flamurit.
102 Vite më parë plaku legjendar Ismail Bej Vlora ngriti Flamurin tonë Kombëtar në Vlorën tonë heroike duke shpallur kështu Shqiperinë tonë të dashur, shtet të pavarur dhe sovran. Plaku i urtë dhe mendje hollë Ismail Bej Vlora e dinte mirë se tokat shqiptare të përgjakura me gjakun e bijve ma të mirë të kombit tonë, po gllabëroheshin nga fqinjët tanë me ndihmën e Rusisë cariste. Një muaj ma herët se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë, e pikërisht më 19 Tetor 1912-të, Plavë Gucia heroike pushtohet nga bandat e Avrocemit dhe Malit te Zi të Kral Nikollës.
Sonte në këtë natë Festojmë 102 vjetorin e Pavarësisë dhe përkujtojmë dëshmorët e genocidit malazes në Plave Guci të njohur si masakra e Previsë.
Ju uroj gëzuar Ditën e Flamurit dhe le ta festojmë së bashku këtë ditë të shenjtë!
Duke i ndjekur me vëmendje dhe kënaqësinë më të madhe fjalimet e bashkatdhetarëve të mi malësorë, për Flamurin, Ismail Qemalin, Ded Gjo Lulin, nuk ka se si të te mos vijë ndërmend ajo çka ka thënë Ismail Bej Vlora për Ded Gjo Lulin i cili kur shkoi në Vlorë për ta përshëndetur për Pavarësinë, plaku i urtë dhe i mençur Ismail Vlora e quajti ate: quajti atë me të drejtë pushkë e ngrehur për Shqipërinë.
Mjaft interesante dhe tejet tradicionale ishte ndarja e bukës, që simbolizon mikpritjen e shqiptarit të thëna aq bukur nga goja e tij si: Bujrum të gjithë ne sofrën malësore: Bukë e krypë e zemër!
Pas fjalëve përshëndetëse një program i bukur artistik është shfaqur në mjedisin kuq e zi. Shoqata “Bashkimi Kombëtar” me artistë të mirënjohur të Diasporës si Shaban Lajçi, veshur si Ismail Qemali dhe Tom Gjergji si Isa Boletini, ndersa Agim Rugova Agim Rugova veshur me kostumin kombëtar i cili me fjalën e tij hyrëse e përfshiu sallën në emocion duke thënë para dronit që u shfaq aq madhërishëm në stadiumin e Beogradit ku djemtë e kombëtares me Lorik Canen si Ante i vunë gjoksin për ta mbrojtur. Shikoni kush ma ka dhuruar këtë Flamur i thotë Shaban Lajçit në rolin e Ismail Qemalit dhe Tom Gjergjit ne rolin e Is Boletinit që se hoqi kurrë koburen nga brezi dhe në sallat mondane të Anglisë… Loja e tyre aktoreske ishte mjaft tërheqëse dhe profesionale çka i dha sallës dhe më shumë argëtim dhe bukuri. Fahrudin Kukaj me zërin burrëror ka kënduar me fjalë të zgjedhura për Shqipërinë, malësorët që i dolën ballë shkjaut, turqisë, krajleve të zinj që pushtuan tokat tona. Nxënësit e shkollës shqipe në Bronx me z.Gjergj Dedvukaj, Engjëll Jumçaj dhe Dia Caverbasha kënduan plot dashuri para bashkatdhetarëve në ditën e Flamurit.
Z.Mehmet Vuçetaj i ka kënduar me lahutë Flamurit, historisë së Kombit shqiptar dhe heronjve që dhanë jetën për Atdhe e Flamur.
Pjesëmarrësit janë argëtuar nën tingujt melodiozë të këngëve të ndryshme nga këngëtaret Ismet Aloshi dhe Alma Vela nën drejtimin e DJ-it, të cilët me interpretimet e tyre e kanë çuar të gjithë sallën të këndojnë dhe vallëzojnë së bashku midis palëve të Flamurit.
Bronx, New York
2 dhjetor, 2014