Paris, Marshimi i Unitetit, mbi 1 milion njerëz kundër terrorizmit

komunitete fetare shqiptare ne parisAshtu siç pritej, marshimi i solidaritetit kundër terrorit mblodhi në Paris më shumë se një milionë vetë, duke kapërcyer për nga përmasat të gjitha tubimet e së shtunës të marra së bashku.

Në rreshtin e parë të ‘lumit’ njerëzor të nisur nga “Place de la Republique” ishin të afërm të viktimave të tre ditëve të terrorit që përjetoi Franca këtë jave. Po aty qëndronin dhe liderët botërorë, ndër të cilët ata britanikë, turq, jordanezë, izraelitë e palestinezë, ndërsa në qendër shtrëngonin krahët me njeri-tjetrin Presidenti francez, François Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Parisi, tha Hollande, është sot kryeqyteti i të gjithë botës.

Klerikët shqiptarë duartrokiten nga francezët

Shqipëria dha sot një shembull unik të harmonisë fetare në marshimin e madh të solidaritetit botëror kundër terrorizmit dhe intolerancës fetare në Paris. Në kryeqytetin e tronditur nga sulmet terroriste, toleranca jonë fetare, e konkretizuar me praninë e 4 krerëve shqiptarë të besimeve fetare, është vlerësuar me duartrokitjet e qindra mijëra njerëzve që marshuan në sheshin “Republika”.

Baba Mondi i komunitetit Bektashi, imami i Tiranës Ylli Gurra, përfaqësues të besimit katolik dhe ortodoksë, të katërt përkrah njëri-tjetrit janë bërë dëshmi të bashkëjetëses të komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë.

Përfaqësuesit e besimeve fetare shoqëruan në Paris kryeministrin Edi Rama, ministrat Bushati e Veliaj dhe një grup gazetarësh të cilët iu bashkuan kauzës kundër terrorizmit dhe lirisë së shprehjes.

Furra Tahiri