Ka filluar tashmë në New York, Boston dhe në pjesën tjetër verilindore të SHBA-së, ajo që po quhet ‘stuhi e borës historike’, që parashihet të sjell reshje bore mbi gjysmë metri.
Zona që parashihet të goditet nga stuhia e frikshme përfshin një sipërfaqe prej 400 kilometrash dhe kësaj stuhie të borës do t’i nënshtrohen dhjetëra milionë banorë.
Shtetet New York dhe New Jersey kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa përveç në New York janë mbyllur shumë shkolla edhe në shtetet përreth, New Jersey, Connectictut, Pennsylvania.
Si rezultat i kësaj gjendjeje janë pezulluar shumë fluturime brenda vendit dhe ndërkombëtare nga tri aeroportet në New York. Nuk parashihet që të ketë fluturime dhe aterrime as të nesërmen ndërsa vetëm sot jepet shifra për 5200 pezullime fluturimesh.
Zyrtarët publik të qytetit dhe shtetit të New York-ut kanë bërë thirrje që të mos udhëtohet dhe se i gjithë transporti publik do të ndalet pas orës tetë në mbrëmje, transmeton RTK.
Disa shtete kanë urdhëruar ndalesë daljeje pas mesnate dhe ata që dalin me makina mund edhe mund të arrestohen.
Në qytetin e New York-ut prefekti Bill de Blasio ka urdhëruar ndalimin e të gjitha automjeteve jo emergjente në qytet pas orës 11 të mbrëmjes. Dy ndeshje të ekipeve në NBA të New York-ut, Brooklyn Nets dhe New York Nicks janë shtyrë për në mars dhe prill.
Shumë qytetarë kanë mësyrë dyqanet që të kenë rezerva disaditëshe ushqimi, ndërsa një ndër shqetësimet është edhe mundësia e ndërprerjes së rrymës për disa ditë si pasojë e stuhisë.