Paris, të shtëna e shpërthime; 118 të vrarë vetëm në teatrin “Bataclan”

paris sulme nentorParisi është futur në një “shtetrrethim” të përkohshëm pas ngjarjeve terroriste që tronditën kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes, me 6 sulme të koordinuara në zemër të qytetit, që kanë lanë mbi 150 viktima.

“Daily Mail” raporton për të shtëna brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”, dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë, si dhe të shtëna në qendrën e arteve “Paris Bataclan”, ku fillimisht u morën peng rreth 120 persona, ndërsa më vonë mediat franceze raportuan se ata janë vrarë nga pengmarrësit, të cilët u ekzekutuan nga policia.

Deri më tani mësohet për rreth 11 të vdekur në restorantin e parë, shumë pranë vendit ku ndodhën të shtënat e “Charlie Hebdo” në janar të këtij viti, si dhe 15 të vdekur në teatrin në fjalë, sipas policisë. Një person brenda teatrit tha për një radio franceze se terroristi kishte bërtitur “Allah Akbar” përpara se të hapte zjarr.

Nga raportimet e fundit thuhet se edhe Presidenti francez, Francois Hollande, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore France-Gjermani, është larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij.

Një gazetar i BBC-së i ndodhur pranë restorantit ka bërë të ditur se mbi 10 trupa janë parë të shtrirë përtokë, por ende nuk konfirmon nëse janë të vdekur apo të plagosur rëndë. Sipas tij policia ka mbërritur me urgjencë në vendngjarje. Dëshmitarët pranë zonës kanë thënë për gazetën “Liberation” se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas sulmeve të tmerrshme në kryeqytetin francez ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, duke shprehur mbështetjen e tij për qeverinë franceze.

Në një postim në frëngjisht, Rama i cilëson sulmet e së premtes në qendër të Parisit “si një luftë e vërtetë!”.

Mbështetje për qeverinë franceze në këto momente tmerri dhe pikëllimi”, shkroi Rama në “Twitter”.

Presidenti Barak Obama i quajti sulmet një “përpjekje të egër për të terrorizuar civilët.” Në një fjalim televiziv të premten mbrëma, ai tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë bashkë me Francën për të luftuar terrorizmin. Ai tha se kishte vendosur të mos i telefononte Presidentit Hollande menjëherë pas sulmeve, por se është i bindur që ai do të jetë në komunikim të drejtpërdrejtë me të më vonë.

Kryeministri britanik, David Cameron shkruante në Twitter: “Ne do të bëjmë çdo gjë që mund të bëjmë për të ndihmuar.” Ai tha se ishte tronditur nga ngjarjet në Paris dhe se mendimet e lutjet e tij ishin për popullin francez.

Furra Tahiri