Renovimi i shkollës në Kshevë vetëm dëshirë

shkolla_1Shkruan: Anton Nikaj

Nuk është mirë kur për të njëjtin problem duhet reaguar shumë herë, por neglizhenca e atyre që do të duhej të reagonin adekuat nevojave të qytetarëve për zgjidhjen e problemeve të evidentuara, normal që shkakton reagime të shpeshta gjithnjë derisa të përmirësohet gjendja e ekzistuese. Edhe pse ishim në pritje se pas reagimeve tona të para lidhur me gjendjen në paralelen e shpërndarë të shkollës fillore “29 Nëntori” , e cila ndodhet në fshatin Kshevë, KU e Tuzit, për fat të keq nuk është ndërmarrë asnjë hap i duhur në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi.

Siç kemi njoftuar edhe më parë godina ekzistuese e kësaj paralele të ndarë nga shkolla amzë, ndodhet në gjendje të padurueshme për nxënësit të cilët vijojnë mësimin fillorë në këtë objekt. Ajo nuk i plotëson as kushtet minimale për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor e të mos flasim për kushtet optimale në të cilat mësojnë nxënësit në kohet e sotme. Madje është për tu çuditur si mund të lejohet zhvillimi i mësimit në këtë objekt në kushtet ekzistuese të cilat jo që nuk janë të përshtatshme, por paraqesin kërcënim potencial për vogëlushët të cilët një pjesë të ditës e kalojnë nën çatinë dhe brenda mureve të vjetruara.

Sikur të ishte fat me këtë çështje do të duhej të merreshin përfaqësuesit politik, në rrallë të parë nga partitë nacionale shqiptare e të cilët me plan programet e veta partiake e po ashtu edhe verbalisht angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të popullatës shqiptare në këto treva. Sidomos në përparimin e shkollimit të brezave të ri nga këto treva.

Prandaj do të ishte plotësisht normale që ata të kërkonin nga ministria përkatëse përmirësimin e gjendjes në objektin shkollorë në fjalë. Kështu, nxënësit dhe prindërit nga ky fshat janë të detyruar që të presin edhe më tej që dikush të kujtohet dhe më në fund ti gëzojë këta vogëlush me përmirësimin e kushteve të mësimit.
Në këtë mënyrë këta vogëlush do të fitonin vullnet të vazhdojnë mësimin dhe njëkohësisht për prindërit e tyre të vazhdojnë të jetojnë në këtë fshat në periferi të kryeqendrës së Malësisë, Tuzit.

shkolla_2