Të Mërkurën , me 2 Mars 2016 punonjësit e sektorit komunal për inspektime, të shoqëruar nga pjesëtarët e policisë së Malit të Zi, prishën gardhin rrethues të truallit të vëllazërisë së Vuksankekajve në Tuz. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet komunale të Podgoricës dhe organet e qeverisë malazeze demonstrojnë forcën ndaj popullatës shqiptare të kësaj treve të cilët ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për mbrojtjen e pronave dhe trojeve të tyre stërgjyshore. Vetë fakti dhe emërtimi i pronës që quhet ” Vuksanlekaj” dëshmon prejardhjen dhe pronësinë shqiptare të saj.
Mali i Zi dhe qeveria e tij njeh vetëm metoda dhune dhe force për zgjedhjen e çështjeve pronësore, veçanërisht kur kjo ka të bëjë me çështjet pronësore të shqiptarëve. Gjithashtu, përmes këtyre metodave të mirënjohura për ne shqiptaret ata tentojnë që bëjnë presion në shpërnguljen e banorëve shqiptarë të Malësisë me qëllim që më vonë të sjellin banorë jo shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe që përfundimisht të ndryshohet struktura kombëtare të Malësisë në dëm të shqiptarëve.
Është një paradoks i paparë i pushtetit të Malit të Zi i cili, në njërën anë aspiron të anëtarësohet në strukturat euroatlantike, kurse në anën tjetër përdorë metoda mesjetare të dhunës për uzurpimin dhe eksproprijimin e pronave të pjesëtarëve të “popullit pakicë ” të këtij shteti , përkatësisht të pronave të shqiptarëve.
Mali i Zi dhe qeveria e tij antishqiptare mund të rrënoje me forcë gardhe, por asnjëherë nuk do të mund të mposhtë vullnetin dhe vendosmërinë e banorëve autokton shqiptar të këtyre trojeve për të mbrojtur me çdo kusht pronat të cilat i kanë trashiguar brez pas brezi nga të parët e tyre.
Po ashtu, dëshirojmë te nënvizojmë se shoqatat tona nuk do te përkrahin interesat e grupeve apo individëve qe tentojnë të përfitojnë në kurrizin e interesave tona të përbashkëta. Një prej parimeve tona, për të cilat edhe jemi përcaktuar, është indiferenca jonë ndaj interesave të ndryshme partiake, grupore, klanore apo ndonjë individi, përballë interesit te përgjithshëm malësorëve. Në këtë aspekt, ashtu si gjithmonë edhe tani ata do të përkrahim idete e mirefillta që shkojnë në interesin e Malësisë .
Ne do të bëjmë ç’është e mundur që të njoftojmë ligjvënësit amerikan si dhe qendrat e tjera vendimmarrëse lidhur me shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve nga ana e pushtetit të Malit të Zi .
New York, Detroit 5 Mars 2016