Shqipëria përkrahë Malin e Zi, ndërsa injoron shqiptarët në trojet e veta në këtë shtet

shqiptaret ne plave

Mbrojtjen e drejtave kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve, shteti amë e ka obligim jo veç moral, por edhe kushtetues.

“Shqipëria ka mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi shumë më herët se të gjithë të tjerët, madje edhe atëherë kur shumë menduan se ishte vetëm një ëndërr. Jemi shumë të lumtur për arritjet e Malit të Zi dhe do të jemi të parët që do të ratifikojmë pranimin e Malit të Zi në NATO”, tha në një intervistë për gazetën Pobjeda, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai vë në dukje se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është një lajm fantastik, jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për të gjithë rajonin.

Prandaj, nuk ka asnjë dyshim se do të bëjmë gjithçka që mundemi, e që ratifikimi nga parlamenti shqiptar të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur. Mbështetja jonë për Malin e Zi gjithmonë ka qenë e sinqertë, dhe suksesi i fqinjëve dhe miqve tanë, është edhe sukses i Shqipërisë. Gjithmonë si të tilla i kemi përjetuar marrëdhëniet me Malin e Zi,” tha Rama.

Kryeministri shqiptar përsëriti se marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë të shkëlqyera.

Nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria të përkrahë integrimin e Malit të Zi në NATO, por jo përpara se të përkrahë integrimin social e politik të shqiptarëve të cilët jetojnë në trojet e veta në Mal të Zi. Përderisa Kryeministri Shqiptar shprehë përkrahje të parezervuar ndaj Malit të Zi dhe premton se Parlamenti Shqiptar do të jetë i pari nga vendet anëtare të NATO-s i cili do të ratifikojë anëtarësim e Malit të Zi në Aleancë, faktori shqiptar në Mal të Zi, pozita dhe kërkesat e tij injorohen plotësisht. E mos të flasim që një përkrahje e tillë të kushtëzohet në ndonjë formë, ashtu siç bëri shteti grek para anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Kryeministri Rama në asnjë kontekst nuk përmend shqiptarët; të drejtat e tyre themelore siç janë mohimi i të drejtës për vetëqeverisjes lokale, çështjen e arsimit, përfaqësimit në institucione dhe administratë shtetërore, çështjes ekonomike (ku zonat shqiptare janë ekonomikisht me të pazhvilluarat në vend) etj. Të gjithë këta faktor që ndikojnë ndjeshëm në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtarë. Mbrojtjen e drejtave kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve, shteti amë e ka obligim jo veç moral, por edhe kushtetues. Gjë e cila deri me sot nuk është dëshmuar, jo në vepër por as deklarativisht. /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri