Kosova është tashmë anëtare me të drejta të plota në organizmin më të lartë drejtues të futbollit botëror, FIFA, pasi siguroi 141 vota pro dhe vetëm 23 kundër në Kongresin e 66, që po i zhvillon punimet në Meksiko Siti.
Me të mbërritur në pikën 15 të axhendës ditore të punimeve të Kongresit, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino bëri të ditur rekomandimin e Këshillit të FIFA-s për pranimin e Kosovës, gjë që faktikisht e përforcoi edhe raportuesi special i një grupi që kishte marrë në shqyrtim të gjitha kriteret e nevojshme të pranimit të Kosovës, i cili përpara të gjithëve tha se FFK-ja i përmbushte të gjitha kriteret për anëtarësim.
Menjëherë pas tij ka folur kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili pasi bëri të ditur se Kosova ishte tashmë e anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në UEFA, priste me padurim të anëtarësohej edhe në FIFA, për t’i dhënë mundësi kështu zhvillimit të mëtejshëm të futbollit kosovar.
Por, pas fjalës së tij ka ndërhyrë zv.presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, i cili ka shprehur rezervat e tij dhe ka bërë fushatë për mospranimin e Kosovës, duke u përqëndruar më së shumti në faktin që Kosova ende nuk njihet nga Kombet e Bashkuara, gjë që ishte edhe një prej neneve të statutit të UEFA-s që u diskutua shumë përpara se Kosova të anëtarësohej në organizatën europiane, por që u anashkalua gjithsesi.
Votimi për anëtarësimin e Kosovës rezultoi surprizë, pasi FFK-në e kanë mbështetur 141 vende përkundrejt 23 votave kundër, edhe pse asaj i duheshin vetëm 105 vota për t’u bërë pjesë e FIFA-s. Pas këtij suksesi, Fadil Vokrri ka marrë sërish fjalën duke i falënderuar të gjithë për këtë zhvillim të sotëm, ndërsa Gianni Infantino e ka përshëndetur në fund duke i thënë se, FIFA gjithmonë do të përpiqet të krijojë ura të reja për zhvillimin e futbollit në botë.