Intervistë ekskluzive me Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj

Organizimi politik i shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar, vetëm të bashkuar mund t’i realizojnë aspiratat e tyre të drejta, ka porositur Haradinaj.

Malesia.Org është shumë e kënaqur që i jepet rasti që, për lexuesit e vet, të marrë këtë intervistë ekskluzive nga Ramush Haradinaj, ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish Kryeministrin e Kosovës, të cilin për fillim e pyesim mbi gjendjen politike në Kosovë, mbi kundërshtimet e AAK-së ndaj kësaj qeveri, si dhe lidhur me pritjet nga koalicioni AAK-NISMA?

Haradinaj: Gjendja aktuale në vend, është më e keqë se asnjëherë më parë, që nga çlirimi i Kosovës me 1999 e këndej. Ne e kemi një qeveri jofunksionale e cila në shumë sektorë e ka kapur shtetin. Ne po provojmë ta ndryshojmë këtë gjendje dhe jemi të vendosur për një gjë të tillë.
Boshti Opozitar që AAK dhe Nisma e kanë krijuar në Kosovë, gjithë veprimin e vet ta fokusojë në ndaljen e Serbisë që t’i fusë duart në Kosovë dhe në ndaljen e keqqeverisjes në vend.
Është konstatuar se ndalja e këtyre dy rreziqeve, shënon hapin vendimtar të ndryshimit të domosdoshëm në vend dhe AAK beson fuqishëm se qëndrueshmëria e këtij kundërshtimi, është garancë e ndryshimit.
Ka qenë qëndrim unanim që AAK-Nisma dhe partnerët tjerë të Boshtit Opozitarë, të jenë të palëkundur në kursin aktual të veprimit politik të kundërshtimit të Demarkacionit dhe të Asociacionit, në versionin aktual, dhe të jenë të pandryshueshëm në përjashtimin e çdo koalicioni të mundshëm parazgjedhor.
Për më tepër, AAK vlerëson se propaganda, për gjoja afrimin e AAK-së me PDK-në, është pjesë e kuzhinave të strukturave politike, individëve dhe mediave të caktuara, të cilët janë kundër këtij ndryshimi dhe e mbrojnë me mercenarizëm statuskuon në vend.
AAK është përcaktuar për ndryshim.

Malesia.Org – Me sa e dimë është kjo intervista e parë për një portal shqiptar në Mal të Zi, prandaj besoj se lexuesit ton i intereson një vështrim Juaji i shkurtër mbi rrugëtimin e UÇK-së?

Haradinaj: Është folur shumë për këtë temë dhe nuk besoj se mund të thuhet më tepër. UÇK ka qenë zemra e Kosovës për liri, zemra e djalërisë për liri, ka qenë shpirti i shqiptarëve për liri. Ajo e ka bërë realitet këtë liri, sigurisht edhe me mbështetjen e vendosur të miqëve ndërkombëtar, SHBA-ve, vendeve të BE-së, Natos e kështu me radhë. Pa ata, ndoshta do ta kishim shumë më të gjatë rrugën për liri.

Malesia.Org – Tash vonë ish Presidentja e Kosovës zn.Atifete Jahjaga dekori shoqatat malësore në Detroit dhe New York, e për mes tyre malësorët në përgjithësi, për kontributin e dhënë gjatë luftës së Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë dekorim dhe kontributin e malësorëve?

Haradinaj: Kanë kontribuar gjithë ata që e kanë ndjerë veten shqiptar për lirinë e Kosovës. Sigurisht edhe shoqatat e malësore në Detroit e New York. Mirë që dikush i ka dekoruar përpjekjet e tyre. Sigurisht se ata meritojnë shumë më shumë se kaq, por bile të ketë një mirënjohje publike, sepse vërtetë kontributi i shumë njerëzve ka qenë i madh e vetmohues.

Malesia.Org – A kini pasur rast të bisedoni, në nivele më të larta, mbi çeshtjen e shqiptareve në Mal të Zi, dhe a mendoni se banorët e Malësisë do të mund të realizojnë kërkesën e vet për komunë të plotë, të cilën me vite po ua mohon qeveria malazeze, gjithnjë në bashkëpunim me shqiptarët e dëgjueshëm?

Haradinaj: Kam takuar shumë njerëz që kanë fuqi politike në Mal të Zi. Kjo edhe nga politikanët malazez dhe ata shqiptarë atje. Kam poashtu shumë miq në qarqet politike në Mal të Zi. Por organizimi politik i shqiptarëve kudo, e edhe në Mal të Zi, lë shumë për të dëshiruar. Duket që shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se vetëm si të bashkuar, edhe politikisht, mund t’i realizojnë aspiratat e tyre të drejta. Është e drejtë e Malësisë që ta ketë komunën e vet, por kjo vështirë do të realizohet, derisa të mos i bindni ata që sot janë “të dëgjueshëm” ndaj pushtetit, siç thoni ju.

Malesia.Org – Ju patët takime me disa përfaqësues të partive politike shqiptare, nga Mali i Zi, e edhe i pritet në selinë tuaj në Prishtinë. Si e vlerësoni punën e partive shqiptare këndej, dhe për aq sa dini, a ka dallime midis tyre?

Haradinaj: Ka njerëz të zotë dhe të mençur në kampin politik shqiptar në Mal të Zi, por kam përshtypjen se akoma rrijnë largë njëri-tjetrit.

Malesia.Org – Përkrahja që iu dha Gjukanoviqit nga përfaqësuesit tonë, ishte me vend apo jo? Po ashtu edhe lidhur me integrimet e Malit të Zi në NATO? Politikani me përvojë Haradinaj, a do të kishte ndonjë mesazh për ta, duke pasur para sysh se zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi mbahen në tetor?

Haradinaj: Mendoj që politikanët shqiptarë, duhet t’i mbështesin ato forca politike që bëjnë më shumë për shqiptarët. Unë nuk dua t’iu jap mend atyre, por vota duhet të jetë vetëm në interesin e shqiptarëve atje. Tjerat janë të parëndësishme.

Malesia.Org – Nëse në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, partitë opozitare dalin fituese, dhe Ju zotëri Haradinaj bëheni përsëri kryeministër, a keni menduar për ndonjë strategji për të ndihmuar shqiptarët në Mal të Zi? A thua do të mund të ndodhte që kryeministri Haradinaj të kalonte nëpër Tuz e të mos ndalet të përshëndes banorët e kësaj treve?

Haradinaj: Asnjëherë. As sot e as atëherë. Nuk ndodh që unë të kaloi nëpër Tuz, e të mos ndalem aty. Ne me Malin e Zi duam të ndërtojmë miqësi dhe partneritet, por mos harroni se ura që na lidhë, janë shqiptarët në Mal të Zi, përtej faktit që jemi kojshi.

Malesia.Org – Në këtë moment, çka mund të të na thoni për demarkacionin me MZ dhe çka mund të pritet?

Haradinaj: Është bërë keq demarkacioni dhe kjo për fajin e Kosovës e jo të Malit të Zi. Komisioni ynë, e ka huqur diku. Mali i Zi, është treguar i gatshëm për korrigjimin e tij, por këta politikanët në Prishtinë, Isa e Hashimi, po ngurrojnë. Nuk e di ku e kanë hallin, por do të zbulohet edhe kjo. Demarkacioni duhet të korrigjohet dhe të jemi paq me fqinjin tonë të respektuar Malin e Zi. Ata kanë qenë konstruktiv gjithë këto vite dhe ne kemi respekt të jashtzakonshëm, për qasjen që e kanë pasur ndaj Kosovës. Duket që dikush me ketë demarkacionin e caktuar keq, po mundohet të na i prishë këto marëdhënie të mira me Malin e Zi, por unë besoj se nuk do të kenë sukses.

Malesia.Org – Rruga Deçan Plavë është moti projekt i partisë suaj, konkretisht kreut të Komunës Deçanit z.Rasim Selmanaj; kur mendoni se do të përfundojë dhe sa është e angazhuar Qeveria e Kosovës në këtë projekt, duke e ditur se për shqiptarët e Malit të Zi, konkretisht për Plavë e Guci, kjo rrugë do ishte shpëtim nga asimilimi?

Haradinaj: Sot përsot, qeveria e ka harruar atë rrugë. Ishalla po vijnë ditë më të mira për Kosovën dhe do ta fusim në prioritetet tona edhe rrugën për Plavë-Guci.

Malesia.Org – z.Haradinaj ju falënderojmë shumë për kohën që ua dhuruat lexuesve tonë.

Haradinaj: Ishte kënaqësi për mua që ma dhatë rastin që të komunikoj me lexuesit tuaj. Shqiptarët në Mal të Zi, i respektoj dhe i dua shumë. Janë popull i urtë e dinjitoz. Ata meritojnë më shumë se sa që kanë.
Shëndet e të mira për të gjithë!

Intervistoi: Albert Camaj – Malesia.Org

Furra Tahiri