Nimanbegu mesazh SDP-së: Partitë malazeze nuk mund të mbrojnë interesat e shqiptarëve

genci-nimanbeguPas deklaratës së dy ditëve më parë në Konventën parazgjedhore të SDP-së, ku kryetari i saj për Ulqinin Skender Elezagiq, akuzonte liderët e partive shqiptare si bashkëpërgjegjës të drejtpërdrejt me DPS-në për shkatërrimin e Ulqinit, ka ardhur dhe reagimi i bartësit të listës të Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH) Genci Nimanbegut.

“Nuk do habitesha kurrësesi se, deklaratat politike në kohë fushate do të hidhnin baltë mbi punën dhe dinjitetin tonë. Por, që individë të caktuar të lajthisin në këto përmasa, siç ishte deklarata e fundit e z. Elezagić në Konventën Zgjedhore të SDP-së, ku ky i fundit shprehet kinse se i dashka shqiptarët më shumë se ne, këtë mund ta besonte veç ndonjë fëmijë 6 vjeçar”, ka thënë Nimanbegu.

Ai tha se SDP-ja ndeji 18 vite në pushtet me DPS-në dhe se kjo parti mendon veç në përçarje e asimilim të shqiptarëve.

“Një Parti satelit, që u shndërrua në “parazitë”. Një Parti parazite e cila do të përkrahte të gjitha krimet që i’u bënë qytetareve të Malit te Zi, e veçanërisht shqiptarëve, ku u mundësua lënia pas dore e territoreve ku ata jetojnë e punojnë. Një Parti me interesa antikombëtare, që për interesa personale, pronën tonë të shenjt të Valdanosit, tentoi të na e rrëmbente për t’ia dhënë kompanisë fiktive CUBUS LUX. Një Parti që edhe tani që është në gramat e fundit të ekzistencës së saj politike, mendon veç për përçarje e asimilim të shqiptarëve” ka thënë Nimanbegu.

“E vërteta është se SDP-në e tmerron fakti se shqiptarët janë të vendosur për të votuar vetëm SHQIP, sepse ata e dinë mirë se, Partitë malazeze nuk mund të mbrojnë interesat e shqiptarëve”, përfundon Nimanbegu.

Deputeti Nimanbegu në zgjedhjet e fundit (2012) ishte bartës i listës “Forca për bashkim” (Forca-Iniciativa Qytetare – Perspektiva). Forca asokohe kishte nënshkruar marrëveshje-përkrahje me pushtetin e kryesuar nga DPS-ja. Gjithashtu, në janar të këtij viti, në votëbesimin e Qeverisë Djukanovic, Nimanbegu kishte votuar pro qeverisë. /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri