Nail Draga – Pse dështuan shqiptarët në zgjedhje: Animoziteti, egoizmi dhe interesat personale si dhe ato të klaneve të ndryshme të subjekteve politike

nail-dragaZgjedhjet e mbajtura në Mal të Zi hapën rrugë për diskutime të shumta siç janë përcaktimi i rolit të shqiptarëve atje si dhe mundësitë e mundshme për koalicione. Pas referendumit për pavarësi të Malit të Zi me 21 maj 2006, këto zgjedhje ishin dramatike, nisur nga fakti se sondazhet parazgjedhore tregonin se opozita ishte më afër fitorës së asnjëherë deri më tash.

Shqiptarët në këto zgjedhje arritën që të përfaqësohen me vetëm një deputet në Kuvendin e Malit të Zi.

Në një prononcim për Gazeta e Re, publicisti Dr. Nail Draga the se mos arritja e një koalicioni shqiptar me një listë zgjedhore të përbashkët ishte paralajmërim se shqiptarët në zgjedhje nuk do të arrijnë rezultatin e dëshiruar.

“Formimi i tre listave zgjedhore  ishte dëshmi e një konstatimi të tillë që u vërtetua me rezultatin e zgjedhjeve. Lista “Shqiptarët e vendosur”(Forca, UDSH e ASH) fitoi 4700 vota apo 1.2%, fitoi  1 deputet, ndërsa  Koalicioni shqiptar” me një qëllim” 3500 vota apo 0.9% dhe LDSH 1500 vota apo  0.40% pa deputet. Vetëm  nga këto të dhëna del qartë se nëse lista e tretë LDSH po të ishte së bashku me atë të dytën do të kishin së bashku 5000 vota dhe një deputet të sigurtë. Por, të pa unifikuar si subjekte politike  del se shqiptarët e kanë mandatin e deputetit me të shtrenjtë në parlamentin e Malit të Zi  9700 vota(!?)”, thotë Draga.

Sipas tij, ligji zgjedhor është i pafavorshëm për popujt pakicë ku marrin pjesë edhe shqiptarët, megjithatë interesat personale ishin shkaktari kryesor i kësaj humbjeje të shqiptarëve atje.

“Këtij rezultati dështues i kanë kontribuar animoziteti, egoizmi dhe  interesat personale si dhe ato të klaneve të ndryshme të subjekteve politike. Dhe  ky veprim destruktiv  ishte fatal që shqiptarët për të parën herë nga zgjedhjet e para pluraliste(1990) të përfaqësohen vetëm me një deputet autentik. Andaj rezultati i tillë dështues dhe  zhgënjyes për shqiptarët duhet të jetë   sinjal për reflektim  në veprimin politik të subjekteve politike nacionale  në të ardhmen, nëse dëshirojnë të mbesin në skenën politike në Mal të Zi”, vlerëson Draga.

Tutje, ai theksoi  rolin e rëndësishëm që pakicat nacionale mund ta luajnë gjatë formimit të koalicioneve.

“Rezultati zgjedhjeve të 16 tetorit dëshmoi se askush nuk ka shumicën andaj janë të nevojshme koalicionet e ndryshme ku rolin kryesor  do ta kenë partitë e pakicave nacionale. Edhe pse mandati i deputeteve të tyre është i vogël ai është vendimtar për formimin e shumicës parlamentare(boshnjakë 2, shqiptar e kroat nga 1 deputet). Në lidhje me koalicionet e mundshme në lojë janë të dy opcionet politike si pozita (DPS me 36 mandate) dhe opozita (me 39 mandate). Sidoqoftë ishin këto zgjedhjet me dramatike nga viti 2006 dhe një dëshmi se opozita nëse është e  bashkuar mund të sjell ndryshime ne skenën  politike në Mal të Zi”, përfundon Draga.

Furra Tahiri