Nesër takim i ri i Koalicionit “Shqiptarët të vendosur“, Partisë boshnjake dhe Iniciativës kroate

koalicioni-shqiptaret-te-vendosur-partia-boshnjake-dhe-iniciativa-kroatePërfaqësuesit e Koalicionit „Shqiptarët të vendosur“, Partisë boshnjake dhe Iniciativës kroate, në takimin e ditës së nesërme do të tentojnë në finalizimin e platformës së përbashkët, e cila do ti ofrohet DPS-së dhe partnerëve të tjerë për formimin e shumicës parlamentare.

Sipas informatave të gazetës Pobjeda, çelësi i platformës do të jetë vazhdimi i integrimeve evropiane dhe NATO-s, të përcaktuara si prioritete të politikës shtetërore.

Përveç platformës, e cila do të përmbajë kërkesat themelore të pakicave, secila palë veç e veç do të dalë me dokumentin e saj në të cilin do të paraqiten kërkesat specifike politike, si pjesë integrale të procesit.

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme parlamentare, në platforma do të kërkohen afate më të sakta për zbatimin e marrëveshjeve dhe një lloj garancie për përmbushjen e kërkesave.

“Do të kërkojmë një shkallë shumë më të lartë të hapjes së institucioneve ndaj kuadrove që vijnë nga popujt pakicë, rritjen e përfaqësimit në qeveri, administratë publike, gjyqësor, prokurori, polici dhe agjencitë lokale, si dhe në mediet publike,” tha për Pobjeda një burim nga partitë e pakicave.

Bartësi i listës së Koalicionit “Shqiptarët të vendosur“ Genci Nimanbegu më herët kishte deklaruar se pa garanci të përmbushjes së marrëveshjes, nuk do të përkrahë asnjë shumicë parlamentare.

“Ne do të hyjmë në koalicion me të gjithë ata që do të pranojnë kushtin tonë të vetëm, dhe ai është që të kemi një ndërmjetësues në marrëveshjen post-zgjedhore që do të garantonte besimin dhe kredibilitetin që marrëveshjet të zbatohen deri në fund. Ndërsa ky ndërmjetësues mund të jetë vetëm faktori ndërkombëtar. Cilado qeveri e ardhshme nuk do të fitojë përkrahjen tonë pa këtë kusht”, kishte deklaruar Nimanbegu. /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri