Rama, Athinës e Dules: Himara shqiptare. Hiqni ligjin e Luftës

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot nga foltorja e Kuvendit, kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Në fjalën e tij Rama ka dhënë sqarime rreth postimit të bërë për Akropolin dhe ka deklaruar se pas sulmit të mediave greke është Dule, i cili, sipas Ramës, e do kryeministrin armik të Greqisë dhe minoritetit për interesa të ngushta politike të vetat.

“Është hapur debat ndërkombëtar për disa banorë të Himarës që janë shfaqur të revoltuar për shkak të planit të bashkisë së re, për një projekt me interes publik në vazhdën e programit të rilindjes urbane për Himarën. Ajo është dërrmuar nga barbaria e ndërtimeve, ngrehina shëmtie që e rrokullisën Himarën në të tatëpjetën e zhvillimit rrënues, por që e ka cenuar rëndë bukurinë e saj dhe vlerat e trashëgimisë së saj kulturore. Shpronësimet apo prishjet e ndërtimeve të ligjshme me shpronësim gjatë Rilindjes janë procedurë rutinë e unifikuar ligjërisht si në Tropojë edhe në Himarë, edhe në Tropojë ka banorë që nuk bien dakord”, tha Rama.

edi-rama-11

“Por “çuditërisht”, për këta, e as për të Vlorës, nuk kemi dëgjuar të indinjohet ndonjë shtet tjetër dhe të nisë kujë në mediat e atij shteti si me Himarën. Vetëm në Vlorë janë prishur 1657 objekte, në Tiranë 4828, Durrës 1125, e kudo në cdo qytet. Projekti detyron prishjen e vetëm 18 objekte, një shtëpi e banuar, një bujtinë trekatëshe dhe pjesa tjetër lavazhe, kioska, magazina të vjetra, apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Vetëm për 6 objekte duhet bërë procedura e shpronësimit”, tha kryeministri.

“Dikush që s’e di ku fle lepuri i kësaj ferre që na shfaqet nëpër këmbë, as e koncepton dot se si ka mundësi që një praktikë rutinë e kësaj natyre në Shqipërinë e sotme për 12 ndërtime pa leje dhe 6 ngrehina në shpronësim të angazhojë një shtet fqinj me komunikata zyrtare, deklarata partiake që kërkojnë ndëshkim evropian për Shqipërinë, lloj lloj gazetash, që nxjerrin tym për të nxirë qeverinë e Shqipërisë, por fatkeqësisht pa e fshehur dot një sekëlldi të cuditshme ndaj nesh dhe vendit tonë të vogël që kaq shumë ka dhënë e marra me atë vend mahnitës që quhet Greqi”, u shpreh Rama.

Furra Tahiri