Vazhdim i traditës së terjes ( tharjes ) së mishit në Stjepoh, Triesh (video)

 
tharja-e-mishitKohëve të fundit në Stjepoh u ndërtua një objekt për terjen ( tharjen ) e mishit.
 

Objektin në fjalë e punuan vëllezërit Pashko dhe Marash të bijtë e Mark Gjokës Lucaj të cilët investuan një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare. Duke u gjendur në gjendje pa perspektivë punësimi vëllezërit në fjalë vendosën që të mirren me terjen ( tharjen ) e prodhimeve të mishit.

Tharja e mishit për këtë familje nuk është veprimtari e re pasi që i jati i tyre Mark Gjoka ishte mjeshtër për tharjen e prodhimeve të mishit, mjeshtri të cilën e trashiguan edhe të bijtë Pashku dhe Marashi.

Kohë më parë Pashku mirrej me këtë mjeshtri në mënyrë simbolike.

Të shtyrë nga nevoja ekonomike por edhe duke e parë interesin, Pashku dhe Marashi vendosën ta punojnë një objekt për ta ushtruar veprimtarinë e ardhëshme të tyre. Mirëpo për tu marrur më këtë mjeshtëri nevojiten kushte të veçanta klimatike. Stjeophi gjendet në rreth 850 – 900 mlm, lartësi kjo e favorshme për zhvillimin e një mikroklime specifike e të volitshme për terjen e prodhimeve të mishit.

Stjepohi zën pozitë në hapsirën në anën e djathtë mbi luginën kanionike të Cemit në të cilën gërshetohen ndikimet e klimës mesdhetare me atë kontinentale. Në këtë mënyrë krijohet varjaniti i klimës mesatare kontinentale e ndikuar nga vetë konfiguracioni i terrenit, Kazheniku dhe Gozdeci kah veriu dhe kanioni i lumit Cem në anën jugore. Për këtë arsye faktorët klimatikë lokalë siç janë lartësia mbidetare e favorshme, si drejtimi i ekspozicionit të shpateve të Kazhenikut dhe Gozdecit, drejtimi i shtrirjes së kanionit të Cemit, drejtimi i volitshëm i erërave etj., e bëjnë mikroklimën e Stjepohit shumë atraktive të shëndetëshme dhe interesante e në këtë mënyrë edhe të favorshme për terjen e prodhimeve të mishit.

Për tu terur mishi me sukses dhe për të fituar prodhime cilësore të mishit të terur nuk mjaftojnë vetëm kushtet e volitshme të faktorëve klimatikë por duhet patur edhe shkathtësi në ushtrimin e këtijë profesioni atraktiv dhe interesant, çfarë Pashku dhe Marashi i posedojnë. Nga biseda me Pashkun mësuam se për terjen me sukses të mishit duhet përdorur drurin e thatë. Më i preferuari është druri i ahut, megjithse mund të përdoren edhe lloje të tjera të drurit të thatë. Pashku mes tjerash thekson se mishi nuk teret vetëm nga temperaturat e larta dhe sasia e kontrolluar e tymit por rrol shumë të rëndësishëm ka qarkullimi i ajrit në objektin në të cilin teren prodhimet e mishit. Qarkullimi i ajrit varet nga pozita e objektit ndaj rrymave të ajrit në hapsirën kund është i vendosur objekti, shkalla e lagështisë relative të ajrit, cilësia e ajrit ( pastërti ) etj.

Pashku dhe Marashi janë aftësuar për terjen e të gjitha llojeve të produkteve të mishit e në këtë mënyrë u ofrojnë mundësi për shërbimet gjegjëse. Kapaciteti i objektit është për momentin 2.000 e krahas tyre edhe sasi e pakufizuar e prodhimeve tjera.

Po ashtu Pashku dhe Marashi në Stjepoh mbajnë edhe një lokal me emrin “Tradita”, në të cilin ofrojnë shërbime gostie me prodhime ushqimore organike dhe ekologjike tradicionale. Lokali në fjalë shërben për tubimin e të rinjëve të pakët që ende po i rrinë besnikë trojeve të parëve, por edhe turistëve nga rajoni dhe më gjërë.

Objektet në fjalë gjenden 20 km larg Podgoricës dhe rreth 25 km larg Tuzit. Drejt Stjepohit shtrihet rruga e cila është në fazen e rikonstruktimeve.

Të jetë kjo edhe një reklamë edhe turistike pse jo, sepse përveç të tjerash nga Stjepohi, Delajt etj., paraqiten mundësi të pamjeve panoramike nga pikshiqimet me pozicion të favorshëm për vëzhgimin e kanionit të Cemit, “Colorado” e Malësisë.

OJQ “Labeatët”, Pashkut dhe Marshit u dëshirojnë sukses në punën e tyre, ndërsa klientëve të tyre tryezë të pasur me produktet e mishit të terura në ajrin e klimës së Stjepohit me mjeshtrinë tradicionale Trieshjane.
 
Prof.Luigj Camaj

Furra Tahiri