Një bunker i madh, kupola e së cilit nga brenda është veshur me dhjetra foto, shoqëruar me emrat e viktimave të komunizmit ,shërben si portë hyrëse për në tunelet e nëndheshme të ndërtuara gjatë viteve 1981-1986 nga rregjimi i kohës. Prej sot, hapësira prej një mijë metrash katrorë, me 25 dhoma, e cila ndodhet në qendër të Tiranës, poshtë ministrisë së Brendshme, është hapur për publikun, e kthyer në një muze “Bunk’Art2”, në të cilin rindërtohet historia e forcave shqiptare të Rendit, që prej 1913 duke vazhduar më tej me “policinë popullore” të kohës së komunizmit e cila u zhduk bashkë më rënien e diktaturës.
Por hapësirën kryesore në këtë muze, e përfaqëson historia dhe metodat e hetimit dhe përndjekjes të vëna në jetë nga Sigurimi, ose policia sekrete famëkeqe e rregjimit komunist, e cila ishte pjesë përbërëse e Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Përmes fotove, objekteve të asaj kohe, istalacioneve artistike, tregohet për herë të parë se si përgatitej një dosje e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, shfaqen teknikat dhe mjetet me të cilat ndiqeshin dhe përgjoheshin të ashtuquajturit “Armiq të popullit. Një vend i rëndësishëm i kushtohet dhe viktimave të këtyre metodave, të internuarve dhe të burgosurve politikë të kohës, 7500 prej të cilëve u pushkatuan. Janë publikuat emra dhe dëshmi, të shoqëruara me fotografi, dokumenta dhe video, pa harruar dhe viktimat e tjera, trupat e të cilëve edne sot nuk janë gjetur.
Vendstrehimi ishte ndërtuar për të mbrojtur ministrin e Brendshëm dhe stafin e tij drejtues në rast sulmi. Por ai nuk u përdor asnjëherë. Edhe në vitet ’90 ai u bë gati, gjatë trazirave të 1998 në Tiranë dhe më pas edhe në vitin 1999, kur Nato nisi bombardimet në Beograd, që të mund të përdorej në rast se serbët do reagonin duke goditur në shenjë hakmarrje Tiranën.
Për të realizuar hyrje daljet e muzeut, të cilat kishin komunikim të drejtpërdrejtë vetëm me ndërtesën e Ministrisë së Brendshme, u desh të gërmohej dhe të çaheshin mure të trasha mbi 2 metra. “Vende si ky, sidomos në qendër të kryeqytetit, janë par excellence vende që kthejnë shikimin, ta rrëmbejnë syrin dhe ta bëjnë eksperiencën e dëgjuar, apo të lexuar të horrorit të së shkuarës, një eksperiencë fizike që prek gjithë shqisat. E për këtë e bën leximin e historisë sa të thjeshtë, aq dhe të rëndë e kuptimplotë. Janë vende këto si ky, ku paradoksalisht e kupton deri ku mund të shkojë përçudnimi i një shoqërie, e cila shkel mbi të drejtat themelore dhe ku përdhosja e çdo dinjiteti, xhelatin e kthen potencialisht në viktimë dhe viktimën e bën thjesht statistikë. Të kujtohesh me mendje, nuk mjafton asnjëherë!Të kujtohesh me zemër, është një akt intim, personal!”, u shpreh kryeministri Edi Rama në ceremoninë e hapjes së muzeut.
“Qëllimi është që të mbushet një pjesë e zbrazëtirës së informacionit mbi sekretet e komunizmit, për të cilat, 25 vitet e demokracisë nuk mjaftuan për t’i zbuluar. Dhe në të njejtën kohë ofron një lloj dëmshpërblimi etik dhe moral ndaj martirëve të asaj periudhe, ndonëse me vonesë. Ky është në të vërtetë memoriali i parë që u dedikohet atyre”, shpjegon Carlo Bollino kurator i Bunk’Art2”, i cili është kujdesur edhe për ekspozitën videomuzeale të hapur prillin e kaluar në ish bunkerin antiatomik t ëish diktatorit Enver Hoxha, po në Tiranë.
Dhe për të theksuar kuptimin dhe vlerën e kujtesës historike, që në hyrje të muzeut, shërbejnë fjalët me gërma të mësha të shkrimtarit italo-hebre, Premio Levi, i cili mbijetoi në kampet naziste të shfarosjes gjatë Luftës së Dytë Botërore: Të gjithë ata që harrojnë të kaluarën, janë të dënuar ta rijetojnë”. /REL/