Një manual mbi demokracinë dhe pluralizmin politik në Mal të Zi
Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, para një numri të konsiderueshëm të adhuruesve të librit, miqve dhe kolegëve të autorit, njerëzve të kulturës, politikanëve etj, të shtunën mbrëma është bërë përurimi i librit “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” të autorit Qani Osmani.
Vlerësime për librin kanë dhënë redaktori dr. Nail Draga, recensenti Ali Salaj dhe moderatori Gazmend Çitaku.
Studiuesi Nail Draga ka thënë se autori ka arritur të zbërthejë në mënyrë shkencore dukurinë e partive politike që nga paraqitja dhe zhvillimi i tyre deri tek klasifikimi, struktura organizative, llojet dhe funksionimi i brendshëm i tyre.
Sipas tij, çështje të veçantë të trajtimit në këtë studim autori i ka kushtuar demokracisë brendapartiake, duke e analizuar atë te subjektet politike shqiptare në Mal të Zi.
“Në mënyrë të veçantë trajtohen partitë politike shqiptare në Mal të Zi, nga paraqitja e tyre në skenën politike dhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale e parlamentare, nga viti 1990 deri në vitin 2012”, ka thënë Draga.
Ai ka theksuar se “duke qenë botimi i parë në gjuhën shqipe me një tematikë të tillë tek ne, ky studim përveç sociologëve dhe politikologëve, do të jetë i mirëseardhur edhe për të gjithë ata të cilëve u interesojnë proceset shoqërore të qeverisjeve në shtetet moniste, por edhe në ato të demokracive parlamentare”.
Draga ka thënë se libri është i mirëseardhur edhe për partitë politike “sepse ofron të dhëna që janë të nevojshme për subjektet e tilla për të sfiduar fushatat, zgjedhjet, por edhe ekzistencën e tyre, qoftë si opozitë apo pozitë në pushtet”.
Publicisti Ali Salaj ka thënë se autori ka bërë përpjekje që t’i identifikojë problemet e pluralizmit politik në shtetin e Malit të Zi dhe të nxjerrë konstatime të qëndrueshme për problemet e realizimit të shumëpartizmit në këtë vend.
“Në mënyrë të veçantë ai merret me analizën e veprimit politik të partive politike shqiptare, duke argumentuar konstatimin se zhvillimi i tyre ende gjendet në fazën embrionale dhe nuk ka një ecuri të qëndrueshme. Autori me të drejtë pohon se partitë politike shqiptare në Mal të Zi nuk kanë arritur të krijojnë një demokraci të brendshme, por më tepër bazohen në personalitetin e liderit të partisë dhe egon e tij politike”, është shprehur ai.
Salaj ka thënë se, marrë në përgjithësi, libri “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” paraqet një kontribut të dalluar të autorit në studimin e fenomenologjisë së partive politike dhe rolet e tyre në demokraci.
“Ndonëse ky libër është i pari i kësaj natyre për autorin, ai ka arritur të dëshmohet si një studiues i zellshëm, me një aftësi burimore të qasjes, me një metodologji tipike shkencore, gjuhë të pastër dhe të kuptueshme. Andaj ky libër është i mirëseardhur si për opinionin e gjerë, ashtu edhe për strukturat politiko-partiake shqiptare në Mal të Zi e më gjerë”, ka theksuar recensenti i librit.
Autori Qani Osmani ka treguar arsyet që e kanë shtyrë për të shkruar librin.
“Arsyet kanë qenë të shumta që më kanë ngacmuar dhe më kanë bërë që të merrem me këtë problematikë. Por unë sonte do të veçoja atë që është më kryesore dhe ajo ka të bëjë me mungesën e studimeve në literaturën socio-politike në gjuhën shqipe, sa i përket demokracisë dhe veprimit të partive politike në përgjithësi e veçmas ato shqiptare në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Osmani ka thënë se demokracia përfaqësuese është pothuajse e pamundur pa partitë politike dhe zgjedhjet e lira, dhe se në këtë drejtim krijohet përshtypja se partitë politike dhe demokracia zhvillohen bashkërisht dhe se e ndihmojnë njëra-tjetrën, gjë që në parim është më se e vërtetë.
Megjithatë, sipas tij, “praktika e zhvillimit të shteteve partiake dëshmon se në raste të veçanta partitë politike mund të bëhen edhe pengesë serioze për zhvillimin e demokracisë dhe të shoqërisë përkatëse”.
Osmani ka pohuar se shpreson që libri i tij të jetë një kontribut modest në zhvillimin e mendimit teorik dhe shkencor sa i përket partive politike dhe demokracisë, duke mos pretenduar se në këtë punim i ka rrumbullakësuar të gjitha dilemat dhe aspektet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe partitë politike në Mal të Zi.
Në paraqitjen e librit, moderatori i përurimit, Gazmend Çitaku, ka thënë se “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” është një manual për ata që dëshirojnë të merren me politikë dhe se me botimin e këtij libri thyhet heshtja 27-vjeçare e pluralizmit.
Ai ka lexuar disa pjesë të zgjedhura nga libri, si dhe ka cituar thënie të politikanëve të njohur botërorë apo personaliteteve të shquara botërore dhe shqiptare.
Qani Osmani ka lindur në Gostivar në vitin 1960. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka kryer në vendlindje, kurse në Universitetin e Prishtinës ka mbaruar studimet në degën Filozofi – Sociologji, si një ndër studentët më të dalluar të gjeneratës, në vitin 1983. Një kohë të shkurtër punoi si mësimdhënës në gjimnaz në vendlindje, ndërsa për shkaqe objektive në vitin 1986 u zhvendos në Ulqin. “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” është libri i tij i parë.
Përurimi i librit është organizuar nga Qendra e Kulturës – Ulqin, kurse botimin e tij e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Ismet Kallaba