Kajoshaj: Zbatimi i marrëveshjes së firmosur, mbetet për t’u parë

Tuz – Kuvendi i Malit të Zi, në seancën pranverore do të duhej të diskutojë mbi ligjet për ndryshimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit, eventualisht që Tuzi të bëhet komunë e plotë si të gjitha komunat e tjerat në Mal të Zi. Mbi arritjen e kësaj të drejte të munguar prej disa vitesh, në nëntor të 2016-tës,  koalicioni “Shqiptarët e Vendosur“ ka arritur  marrëveshje me PDS-në që Tuzi të bëhet komunë e plotë si të gjitha të tjerat në Mal të Zi, gjatë vitit 2017, gjegjësisht 2018.

Kryetari i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, Fadil Kajoshaj në prononcimin për “Koha Javore” tha se pavarësisht arritjes së marrëveshjes mes dy palëve që janë edhe aleat në qeverisjen qendrore, mbetet për t’u parë nëse kjo marrëveshje e firmosur mes palëve do të zbatohet.

“Ky vendim në qoftë se vihet në jetë, ai do filloj të implementohet pas zgjedhjeve lokale që parashikohen të mbahen vjeshtën  e Vitit 2018.

Pra sipas kësaj marrëveshjeje që është firmosur Komuna e Tuzit duhet të jetë komunë e plotë si të gjitha të tjerat në Mal të Zi. Po ashtu në këtë marrëveshje figuron edhe përshpejtimi i implementimit për ndryshimin e statusit aktual nga Komunë Urbane në Komunë në Kuadër të Kryeqytetit që ka të bëjë me ndryshimin e Ligjeve mbi Organizimin Territorial të Malit të Zi”, u shpreh kryetari i kuvendit të KU të Tuzit, Fadil Kajoshaj.

Ai më tej theksoi se nuk ka filluar hartimi i statutit duke shtuar se gjatë këtij muaji do të duhej të zhvillohej seanca e kuvendit të KU të Tuzit, gjatë së  cilës do të formohet komisioni i cili do t’i hartojë ato.

Rikujtojmë se kërkesa për ndryshim statusi është vënë në jetë që nga vitet e 90-ta, që atëherë kur Tuzit i është privuar statusi i plotë që e kishte gëzuar deri në ato vite si të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi.

Nga ajo periudhë e deri me sot politikanët shqiptarë në Mal të Zi dhe ata në Malësi, siç është evidente, nuk kanë arritur të shënojnë progres në këtë drejtim por as në realizimin dhe zgjidhjen e shumë problemeve që ka edhe sot e  kësaj dite popullata shqiptare në Mal të Zi.

Koha Javore

Furra Tahiri