Nga Gjekë Gjonaj
Plejadës së mësuesve pishtarë e veteranë trieshianë të gjysmës së shekullit të kaluar, të cilët mbi dyzet vite punuan pa u lodhur dhe me entuziazëm e dashuri në arsimin e gjeneratave të tëra shkollarësh, i përket edhe mësuesi Gjergj Gjokaj, siç e thirrnim ne të gjithë pa përjashtim, ish-nxënësit, intelektualët dhe miqtë e tij.
Epitetin “Mësues” e fitoi në shtator të vitit 1957 , kur u diplomua në Shkollën Normale të Prishtinës dhe e mbajti me nder deri më 22 prill 2006, kur mbylli sytë përgjithmonë, duke kultivuar te brezat tanë, ndjenjën arsimdashëse, kulturë dhe vetëdije kombëtare. Kjo figurë e pakontestueshme e arsimit shqip, cili pesë vite punoi në fshatin Golesh ( Lipjanë) në Kosovë e më pastaj deri në pension në vendlindjen e tij në Triesh – Malësi do të mbetet udhërrëfyes dhe frymëzues i brezave tanë për përparimin dhe zhvillim shoqëror për mes dijes, kulturës dhe arsimit.
Mësuesi Gjergj, gjatë tërë jetës zhvilloi betejë të pa kompromis për shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe të diturisë kombëtare shumë brezave shqiptarë. Pra, në historinë e lavdishme të arsimit shqiptar, të përpjekjeve për t’i dhënë dije dhe mësim kombëtar popullit tonë të shumëvuajtur.
Emri i tij dhe i pishtarëve të tjerë veteranë të arsimit shqip nuk do të harrohet kurrë. Por gjithmonë do të mbeten në zemrat e gjirit të popullit që lindi. Ata janë meteorët që prijnë si fanari, duke ndriçuar rrugën që e trasuan me dekada. Andaj ne edhe pas njëmbëdhjetë vitesh që nuk është më në mesin tonë, e përkujtojmë me respekt emrin dhe veprimtarinë e tij arsimore-edukative.
Jeta, veprat, virtytet, karakteri, sinqeriteti, humanizmi, mirëkuptimi, toleranca, shpirti i madh i tij, janë një grusht i vogël epitetesh që mund të thuhen për të.
Mësuesin tim të parë Gjergjin e kujtoj gjithmnonë me shumë respekt e admirim për punën e tij dyzetvjeçare në fushën e arsimit. E adhuroj me po aq dashuri e mirësjellje që na jepte ai në procesin arsimor, duke u përpjekur që tek ne të zgjojë dashurinë për gjuhën shqipe dhe për popullin shqiptar.
Më kujtohet si sot takimi me mësuesin tim tek dera e shkollës. Sa të bukur më dukeshin sytë e tij të bukur dhe buzëqeshja e tij e ëmbël. Sa të bukura më dukeshin rrobet e tij të pastra dhe këpucët e tij të ilustruara. Edhe këmisha e tij e bardhë e hekurosur ishte në qendër të vëmendjes sime. Atëherë më e kisha të qartë. Ky do të jetë mësuesi im i parë, me të cilin do t’i kaloja ditët e vitit të parë të shkollimit tim. Dhe ashtu ishte. Na përqafoi të gjithëve me radhë. Kurrë nuk do t’i harroj ata gishtërinj, të cilët lehtë -lehtë e ledhatuan fytyrën time të njomë që ishte e përshkuar nga të dridhurat. E kisha të qartë se do ta kem një mësues të dashur, i cili do të na dojë dhe ne do ta donim edhe më shumë. Nga ai do të mësonim shkronjat e para. Dhe me kënaqësi të madhe filluam me tingullin dhe shkronjën A.
“ A e madhe e dorës. A e vogël e dorës. A e madhe e shtypit, A e vogël e shtypit” , tingëllonin fjalët e ëmbla të mësuesit. E unë isha i habitur. Mendoja se është vetëm një A, e jo katër sosh, aq sa dëgjoja nga goja e ëmbël e mësuesit tim të parë, i cili shpejtë me hyri në zemër, nga e cila nuk doli kurrë më. Nga ai nuk mësuam vetëm të shkruajmë e të lexojmë. Po edhe shumë gjëra të reja, pa të cilat nuk mund të bëhesha ai që jam sot.
Edhe tani e kujtoj shpesh fytyrën e tij të bukur e fisnike. Është kjo një dashuri e veçantë, e pashpjeguar. Dashuri e pashuar. Tiparet e fizionomisë së tij kurrë nuk do të hiqen nga kujtimet e mia.
Gjatë viteve në vazhdim kam pasur shumë mësues të tjerë, arsimtarë e profesorë. I kam dashur edhe ata, por kurrë sa mësuesin tim të parë, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time, në jetën time..
Edhe kolegët, të gjithë nxënësit, kushdo e takoi atë në jetë, të gjithë e kujtojnë me mallëngjim e dashuri këtë mësimëdhës të dashur e të urtë, këtë njeri të qetë, zemërgjërë, bujar… Mirëpo, mirënjohja më e mirë janë vet gjeneratat e nxënësëve të cilët u edukuan, të cilët morën mësimet e para të gjuhës shqipe, të atdhedashurisë e mësimet jetësore nga mësuesi Gjergj, i cili i deshti ata të rinjë e të reja sikur fëmijët e vet , sikur jetën e tij.