Zëvendës-kryetari i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj në një postim në faqen e tij në facebook, ka reaguar ndaj deklaratës së Nikollë Camajt në lidhje me statusin e komunës së Tuzit.
Ligjin e aprovuar ditë më parë nga Qeveria, i cili parasheh që Tuzi të fitojë statusin e Komunës që nga 1 shtatori i vitit 2018, Camaj e kishte vlerësuar si një tjetër mashtrim të DPS-së.
Lexoni reagimin e Gjeloshajt:
“Po paraqitem në opinion me këtë deklaratë, JO për të debatuar me politikanë të dështuar, sepse nuk kam kohë të humb me ta, por vetëm për t’i sqaruar opinionit të gjerë disa çështje, gjegjësisht disa fakte që kanë të bëjnë me Komunën e Tuzit.
Sinqerisht, nuk më habisin “analistët e Fecebookut” nga Malësia e deri në Rozhajë, sepse vet ata janë ende të manipuluar nga eprorët e tyre manipulatorë, por jam shumë i habitur me kapacitetin e këtyre të fundit për “njohjen” që paskan për ligjet që mundësojnë formimin e komunës së Malësis.
Imagjinojeni një politikan me përvojë politike afro tre dekadash, që me aftësitë e tij manipuluese kalon të gjithë kufijtë e kodeve, jo vetëm politike, por edhe të tjera, për ta “bindur” opinionin e gjerë edhe në këtë mënyrë. Gjoja, ne që kemi marrë besimin më të madh të elektoratit shqiptar dhe që jemi pjesë e pushtetit, jemi duke punuar në dëm të shqiptarëve.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, personi në fjalë publikon edhe foto “fakte”, ndër tjera edhe nenin 16 të Ligjit mbi ndarjen territoriale të Malit të Zi, i cili nuk është në fuqi që disa vjet e sipas tij është “dyshimi më i madh për formimin e komunës së Tuzit” , imagjinojeni që një politikan i tillë t’i mbronte interesat e shqiptarëve…
Sinqerisht, pa hyrë në detaje tjera të deklaratës së tij “të famshme”, më duhet të konstatoj se është fat i madh që elektorati shqiptar çdo ditë e më shumë po e kupton se politikanëve të tillë u ka kaluar koha, edhe pse me “vepra të mëdha” e kanë dëshmuar veten dhe kohën e tyre!
Fare në fund dua ti them atij dhe atyre që ai vet i manipulon, se ne, në krahasim me ju përpara, e kemi marrë përgjegjësinë, që, me sinqeritet të plotë ta përmirësojmë statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. Ne po ashtu na vjen mirë që e kanë kuptuar se “nuk është problem të pritet një vit…”, kjo sido kudo, është dukshëm më pak se tri dekada!”, përfundon reagimi i Gjeloshajt.