Ajo çfarë ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë të enjten e kaluar ishte vërtetë dramatike, shumë rrëngjethëse, frikëse, shqetësuese, e trishtë, e papranueshme dhe aspak e denjë për një demokraci parlamentare. Përshkallëzimi kulmoi me zgjedhjen për herë të parë të një shqiptari , Talat Xhaferit ( ish komandant i Ushtrisë Kombëtare), në krye të Parlamentit të Maqedonisë. Ky lajm historik për shqiptarët e Maqedonisë prodhoi dhunë brutale të paparë ndaj deputetëve e gazetarëve. Mbështetësit rrebelë të dhunshëm me fantoma në kokë të VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit , siç mësohet nga mediat, kanë plagosur 102 persona, plagë të rënda i kanë shkaktuar kreut të LR – PDSH-së Ziadin Zelës dhe e kanë gjakosur edhe liderin e opozitës dhe të LSDM-së Zoran Zaevin.
Ngjarjet që u zhvilluan “ të enjten e përgjakshme “ në Kuvendin e Maqedonisë nuk i konvenojnë askujt. Sepse , ato ngjallën destabilitet në Maqedoni. Rrezikuan demokracinë e brishtë dhe thelluan krizën politike në këtë shtet multietnik, i cili assesi nuk po e merrë veten pas shpartallimit të ish- Jugosllavisë. Këto zhvillime të dhunshme, të vështira, të pakëndshme dhe të padëshirueshme atë ditë të zezë për vendin nxorën në pah edhe urrejtjen e theksuar të maqedonasve, që e mbështesin VMRO-DPMNE, ndaj shqiptarëve.
Fryma antishqiptare e shprehur në tempullin e demokracisë në kryeqytetin maqedonas më duket se është e ngjashme apo e përafërt me politikën e sanatizimit të shqiptarëve dhe shtrembërimimit (përvetësimit) të historisë tyre nga ana e akademikëve maqedonas të tubuar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë të cilët në Enciklopedinë e tyre të re jo vetëm se fyenë shqiptarët por nxitën urrrejte e ndarje mes bashkësive etnike. Kjo politikë famëkeqe e akademikëve maqedonas, siç është dëshmuar tashmë, ka lëshuar rrënjë të thella edhe tek politikanët maqedonas, të cilët nuk mund ta shohin shqiptarin në poste udhëheqesë shtetërore, duke harruar se ata janë të aftë dhe të zotët të kryejnë detyrat më të larta që u besohen.
Maqedonasit duhet të mburren se Shkupi është vendlindja e humanistes dhe shenjtores shqiptare Anjezë Gonxhe Bojaxhiut e njohur në gjithë botën me emrin Nënë Tereza . Ata po ashtu duhet ta pranojnë me mburrje se në Manastir të Maqedonisë , në Kongresin e Alfabetit, nga data 14 -22 nëntor 1908, u soll vendimi për alfabetin e gjuhës shqipe. Domethënë shqiptarët ndër shekuj i sollën vetëm famë e nder Maqedonisë, e asnjë të keqe. Të gjitha të këqiat që po i ndodhin Maqedonisë në dy dekadat e fundit vijnë nga politikanët maqedonas e jo nga shqiptarët. Prandaj kjo antishqiptari e qarqeve maqedonase dhe qasje e gabuar e faktorit sllavo-maqedonas ndaj shqiptarëve dhe çështjes shqiptare duhet të ndryshojë.
Qarqet politike maqedonase nuk duan ta kuptojnë se Maqedonia nuk mund të bëhet pa shqiptarë që jetojnë atje. Ajo duhet ta ketë të qartë se nuk mund të tejkalojë situatën ( krizën) e tensionuar politke, e cila mund të jetë shumë e rrezikshme, dhe s’mund të ekzistojë si shtet , nëse shqiptarëve nuk u jepet më shumë pushtet politik. Sa më parë ta pranojnë këtë fakt të pamohueshëm, aq më mirë do të jetë për ta dhe për popujt e tjerë konstituiv që jetojnë në këtë vend të çudirave ku ka një president pa shtet, e shtet pa institucione.