Genci Nimanbegu në përkrahje të familjes Nikaj

Policia malazeze para dy ditë (14 qershor) kishte dhanë urdhër për largimin e flamurit shqiptar nga shtëpia e Xhemal Nikajt në fshatin Dinoshë të Malësisë, por një gjë e tillë u refuzua nga familjarët.

I njoftuar për këtë incident, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe njëherit kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Genci Nimanbegu bashkë me këshilltarin e tij Nikollë Berishaj e vizituan sot familjen Nikaj.

Nimanbegu në faqen e tij të facebook-ut sot ka shkruar se është në përkrahje të familjes Nikaj.

E sigurova familjen Nikaj se përdorimi i simboleve kombëtare është i lirë si me Kushtetutë, ashtu edhe me Ligjim mbi të drejtat dhe liritë e pakicave dhe Ligjin mbi përdorimin e simboleve kombëtare (si aktet më të rëndësishme juridike për ne), se flamuri shqiptar është flamuri i vetëm yni dhe si i tillë është simbol i shqiptarëve në Mal të Zi. Lidhur me këtë  edhe si Këshill Kombëtar i Shqiptarëve e kemi lajmëruar  zyrtarisht dy herë Ministrinë e Punëve të Brendshme (më 2011 dhe 2015)”, shkruan Nimanbegu.

Ai tha se është në dispozicion për probleme eventuale të kësaj natyre edhe si person, edhe në emër të funksioneve që kryen.

Për mua është tejet zhgënjyese që Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk e ka të qartë se Kushtetuta, Ligji mbi të drejtat dhe liritë e pakicave dhe Ligji mbi përdorimin e simboleve kombëtare, që mundësojnë përdorimin e lirë të simbolit kombëtar, janë në hierarki  juridike më lart se Ligji mbi  rendin publik, e posaçërisht kur çdo polic në rrugë e di mirëfilli se cili është simboli ynë”, përfundon Nimanbegu.

Gjithsesi që përkrahja e Nimanbegut është më se normale, por përfaqësuesit politik shqiptar, sidomos ata që janë pjesë e pushtetit duhet të punojnë konkretisht që incidente të tilla mos të ndodhin më, dhe përdorimi i flamurit të jetë i lirë, ndërkaq të hiqen nga fuqia Ligjet të cilat e sanksionojnë përdorimin e flamurit.

Në vitet e fundit, janë më së pakut dy raste kur për shkak të flamurit shqiptar, policia malazeze ka ndërhy dhe ka dërguar në Gjykatë persona e pastaj janë dënuar me gjobë. /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri