Shoqata “Malësia e Madhe” – NY, mbetët pa kryesi?

Shoqata “Malësia e Madhe” me seli në New York mbetët pa nënkryetarë, sekretarë dhe arkëtarë.

Nënkryetari Agron Lulgjuraj, sekretari Gjon Ivezaj dhe arkëtari Leonardo Berishaj kanë dhënë dorëheqje nga postet e veta në këtë shoqatë.

Ata kanë sqaruar se arsyet e dorëheqjes janë shkelja e Statutit, mungesa e transparencës, politika e brendshme e udhëheqjes së shoqatës, vendimet e njëanshme të ndikuara nga jashtë etj.

Në adresën e redaksisë së portalit tonë kemi pranuar shkrimet e dorëheqjes, të cilat janë bashkëngjitur më poshtë:


5 prill, 2018

Të nderuar,

Dua të shpreh mendimin tim personal dhe pakënaqësinë time për gjendjen e Shoqatës tonë, çështjet politike që po ndodhin kohën e fundit në Malësi dhe perfshirja jonë në këtë drejtim.

Fillimisht dua të them se jam krenar qe isha anëtar i Fondit Humanitar Malesia, që nga dita e parë e themelimit të tij dhe në vazhdim për më se dy dekada me radhë. Gjithashtu krenohem me kontributin tim në Shoqatën “Malësia e Madhe”. Krenohem dhe kam nder qe isha në mesin e disa burrave te sinqertë, patriotë, punëtorë, modestë dhe dashamirë të Shqiptarisë, kontributi i të cilëve është gjigant dhe i pazëvëndësuar për vendlindjen tonë, për të cilin Malësia është dhe do të jetë mirënjohëse dhe krenare.

Shoqata jonë, më herët Fondi Humanitar “Malësia”, Shoqata “Dedë Gjon Luli”, pra shumica e anëtareve te Shoqatës, më se dy dekada kemi ndihmuar vendin tonë; studentëve me bursa pa bërë dallime ndërfetare, por duke i perkrahur në të njëjtën mënyrë, infrastruktura dhe ndërtime të ndryshme, kemi perkrahur në kohën e luftës në Kosovë, gjatë përmbytjeve në bregun e liqenit të Shkodrës, lëvizjet e ndryshme kombëtare dhe shumë e shumë të tjera. Të gjitha këto janë gjëra pozitive që i kemi bërë dhe shpresoj që dikush të vazhdoj t’i bëj edhe në të ardhmen.

Ne si anëtarë të Fondit / Shoqatës historikisht kemi përkrahur partitë shqiptare dhe vetëm ato shqiptare.
Jam shumë i pakënaqur me përzgjedhjen që disa e kanë bërë, për përkrahjen e Alternativës Shqiptare, të cilët haptas shpallën se e përkrahin Millo Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale. Kjo gjë më shqetëson jashtë mase, që anëtarët tanë dhe një parti shqiptare direkt apo indirekt të përkrahë një gjë të tillë dhe e gjithë kjo është për interesa të tyre personale tue damtuar vendlindjen tonë.

Nuk e di se si një malësor apo një parti politike “nacionale” mund të përkrahë armikun e tij, armikun e vendlindjes sonë, armikun e krejt botës shqiptare, armikun e tyre që është duke i dërguar në një asimilim të përhershëm, në sllavë apo boshnjakë. Nuk e kuptoj si një parti “nacionale” mund t’a perkrah një armik tonin dhe të agjitojë që në tokën shqiptare, në shtëpinë tonë, të sundojë një i huaj që ia don shqiptarit vetëm të keqen.

Kështu, një bashkëanëtar i jonë e krahason liderin e kësaj partie “nacionale” dhe disa kolegë të tijë me kancelarë apo kryetar të Francës ose vendeve të tjera të Perëndimit.
Si mund të bëhet një krahasim i tillë, sepse ata (francezët apo gjermanët) kurrë nuk do e tradhëtonin popullin apo gjakun e vet, sikurse ky që ia shet sllavit dhe Millit çdo gjë për posta më të mira të punës në administrata të ndryshme.
Pakënaqësia ime zgjerohet edhe në fusha të tjera, ku një bashkëanëtar i yni e fyen apo e sulmon televizionin e parë dhe të vetëm shqiptar në Mal të Zi, që është televizioni i vetëm shqiptar në Malësinë tonë, duke munduar t’a përulë dhe mposhtë atë.

Pas gjitha këtyre sa i takon Shoqates “Malësia e Madhe”, unë nuk mbetem optimist, gati kam humbur shpresën. Megjithatë, me gjithë fuqinë time si anëtar i Shoqatës “Malësia e Madhe” apo Jasht Saj do të perkrahi të drejtin, do të ndihmoj vendin tim dhe Malësinë tonë që me mundin e të gjithë neve të dalim triumfues e jo dështues.

Me respekt,
Leonardo Berishaj

*********************************************************

11 prill, 2018

Të nderuar,

Ne si Fondi Humanitar “Malësia” dhe tani Shoqata “Malësia e Madhe”, për shumë dekada kemi vepruar, punuar dhe kontribuar për Malësinë tonë dhe bashkëvendasit e saj.
Tani unë personalisht jam shumë i zhgënjyer dhe i pakënaqur me rrethanat e brendshme që po ndodhin, duke ndikuar nga ato të jashtmet dhe ne si fond duke i treguar ato.
Nuk respektohet roli i sekretarit, arkatarit, dhe të tjerëve; nuk dëgjohet zëri i të gjithëve; shkrimet që na paraqiten janë të shkruara nga joanëtarët e Shoqates; nëse vendoset ndonjë vendim në mbledhje, ndryshohet jashtë mbledhjes brenda dy-tre personave; nuk u përmbahemi rregullave, si atëherë të ketë vlerë fjala jonë; nuk mund të shprehim mendimet dhe qëndrimet tona e tjerë.

Në zgjedhjet lokale treguam se përkrahim partitë shqiptare dhe se vetëm ato duhet të votohen nga malësorët tanë, por edhe kjo u tha (citim):
“Me këtë rast vlen të ceket se Diaspora vazhdimisht është distancuar edhe nga bashkëvendësit ithtarë të partisë dhe koalicionit ne pushtet (PDS) dhe partive tjera joshqiptare që veprojnë ne Malësi e që nuk ia duan të mirën asaj”.
Vijon:
“Besojmë se këtë e kanë të qartë të gjithë malësorët tanë, andaj u bëjmë qe t’i injorojnë këta servilë të pushtetit, të zhveshur plotësisht nga ndjenjat kombëtare, të cilët decenie me radhë, për përfitime personale, shkelën mbi çdo gjë që frymon shqip”.
Vijon:
“Shfrytëzojmë rastim te cekim se Diaspora nuk do të mirëpresë në rast se ndonjë parti nënshkruese ndërkohë ose pas zgjedhjeve, për çfarëdo arsyeje, do te braktisë marrëveshjen dhe eventualisht do të hyjë në koalicion me DPS-in ose ndonjë parti joshqiptare”.

Ku gjindemi ne tani? Nuk po ngrisim zërin, nuk po flasim, por po heshtim. Si të veprojë kështu Shoqata jonë? Kjo heshtje vetëm tregon se ne përkrahim zgjedhjen e Unionit Demokratik dhe Alternativës Shqiptare, të cilat përkrahin Millo Gjukanoviqin. Me plot bindje them se tani mund të vazhdojnë të flasin malësorët e Malësisë se ne Diaspora e përkrahim partinë në pushtet, sepse kjo e tregon këtë gjë.
Tani që zëri ynë duhet të dëgjohet, strukemi e nuk flasim.

Dua të ceki edhe një herë se jam tejmase i zhgënjyer dhe i pakënaqur me pasivitetin tonë, paangazhimin tonë dhe mossqarimim apo mosparaqitjen e qendrimeve tona.
Për arsye të mungesës së bashkëpunimit dhe transparencës të respektimit të Statutit, unë Leonardo Berishaj jap dorëheqje si arkatar dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Malësia e Madhe”.

Me respekt,
Leonardo Berishaj

******************************************************

12 prill, 2018

Nëse analizojmë mënyrën e mbrendshme organizative të çerek shekulli të Fondit, tani Shoqatës, qartë shihet se kohrave të fundit ka ndryshuar koordinimi i mirëfilltë në punën tonë për të cilën jemi zotuar se me ndërgjegje dhe koshiencë do t’a realizojmë. Jo transparenca, mosrespektimi dhe ignorimi i Statutit, ndikimi nga jashtë dhe pabarazia e anëtarëve të Këshillit Drejtues në marrjen e vendimeve etj., janë elemente që kohrave te fundit po sfidon kete Shoqate.

Çdo organizim, në rrethanat normale, ka rregullat e veta ku anëtarët e saj merrën vesh paraprakisht dhe zotohen se do t’i zbatojnë ato. Moszbatimi dhe ignorimi i kësaj marrëveshje tejet të rëndësishëme, e dizajuar për funksionimin efikas dhe të shëndoshtë, ashte me se e domosdoshme per nje funkcionim normal te cdo lloj organizimi.

Ne Shoqaten tone anetaret e saj nuk kane pase qasje ndaj rregullores sone, te aprovuar nga te gjithe, nuk e di pse!? Për këtë arësye ata jane ne nje situate te pavoliteshme dhe nuk janë të sigurtë krahas të drejtave, detyrimeve dhe kompetencave te veta ndaj Shoqatës. Poashtu, ata nuk ndihën të sigurtë për shkallën e implementimit të vendimeve të Shoqatës te marruna me “shumicë” në mbledhjet e saja të rregullta. Kto jane faktort elementare qe kushtezojne nje funkcionim normal dhe transparente te nje shoqate, e qe tek ne mungone.

Nisur nga këto fakte, klimën e formuar dhe metodën e punës mbrenda Shoqatës, unë Gjon Ivezaj jap dorëheqje të pa revokueshme nga posti i sekretarit dhe Këshillit Drejtues të kësaj Shoqate.

Shpresoj se do të gjeni mirëkuptim në mesin t’uaj, metodë pune dhe do te funkciononi pa rregullore, konsesus apo Web-faqe te Shoqates. Megjithese, unë mëndoj se këto janë bazamenti elementar i një organizimi te mirëfilltë te një shoqate bashkohore qe mundeson funkcionimin e saj normal.

Në kontekst të kësaj dëshiroj të ceki se unë dihem krenar me bashkëpuntorët e mi, shumica juaj, që për 25 vite pa ndërprerë mbrenda mundësive dhe kohës që kishim në disponim nuk kurrsyem asgje për t’a ndihmuar dhe t’i dale zot vëndlindjes.
Sidoqoftë, unë ju dëshiroj suksese në punën t’uaj dhe shpresoj se kontributi im nuk do te mungoj ne te ardhmen mbrenda mundesive ndaj vëndlindjes.

Me nderime,
Gjon Ivezaj

*******************************************************

28 prill, 2018

Të nderuar,

Në disa vitet e fundit, unë kam përkrahur çdo aktivitet të Shoqatës “Dedë Gjon Luli” dhe Fondit Humanitar “Malësia”, me të cilat krenohem. Duke menduar se mënyra e organizimit në Shoqatën “Malësia e Madhe” do të jetë e sinqertë, transparente kun do të sundonte harmonia, respektimi i regullores dhe mbi të gjitha patriotizmi, unë iu bashkangjita kësaj Shoqate.
Pas shumë tentimeve të disa anëtarëve të Kryesisë, duke më përfshirë edhe mua, dhe përpjekjeve të shumta që bëmë të bindim shtresën sunduese të Shoqatës, në menyrë që ajo të kthehet në rrugë të drejtë, të dëgjohet zëri i të gjithëve, të respektohen vendimet dhe vota e çdo njërit, të veprohet sipas regullores, por fatkeqësisht të gjitha përpjekjet tona përfunduan pa sukses.

Pse të lejohet që Shoqata “Malësia e Madhe” të jetë nën mbikqyrjen e një numri te vogël të anëtarëve dhe ata të veprojnë nën udhëzimet e disave nga jashtë? Qendrimi i Shoqatës “Malesia e Madhe” nuk guxon të jetë përkrahja e drejtpërdrejtë e ASH-së,dhe çdo vendimit që ata marrin.
Përkrahja e drejtepërdrejtë e ASH është përkrahje indirekte e DPS-it dhe Kralit të Malit të Zi.

Duke marrë parasysh mungesën e bashkëpunimit, mosrespektimin e Statutit të Shoqatës, mënyrën e ekzekutimit të “vendimeve”, unë Agron Lulgjuraj jap dorëheqje nga posti i nënkryetarit dhe Këshillit Drejtues të Shoqatës.

Sidoqoftë unë u dëshiroj të gjithve sukses në punën tuaj, dhe shpresoj që në të ardhmën kjo Shoqatë të punoj e të veproj me më shumë sukses, vetëm, e vetëm për të mirën e Malësisë.

Sinqerisht,
Agron Lulgjuraj


 

Furra Tahiri