Ivan Ivanaj: Për Malësinë duhet të vendoset në Tuz e jo në Podgoricë

Të nderuar bashkvendas,
Bojkoti është mjet demokratik, i cili jep frytet e veta dhe është karakteristik për shoqëritë përparimtare dhe politikisht të pjekura. Me anë të bojkotit aktiv, ne si parti politike, por edhe si njerëz që Malësisë ia duan të mirën, përveç se i aktualizuam dhe ua rikujtuam qytetarëve të gjitha mashtrimet, padrejtësitë dhe hilet që vazhdimisht u bëhën, arritëm, edhe pse ky nuk ishte qëllimi ynë primar, ta ‘’zhveshim’’ politikisht një pjesë të atyre që edhe në këto zgjedhje po kërkojnë votën tuaj, sepse duket se harruan se çdo herë deri tani, ua keqpërdoren votën dhe besimin. Pra, ne u përcaktuam për bojkot, dhe në qoftë se dikush mendonte se ‘’do të rrim rahat’’, e kishte shumë gabim.
Për ne këto zgjedhje nuk kishin rëndësi të madhe. Idea dhe qëllimi ynë i mirë, që në këto zgjedhje të dalim të gjitha partitë shqiptare së bashku, me një kandidat të pavarur, dhe kështu përmes zërit të tij t’i aktualizojm çështjet e pazgjedhura shqiptare në Mal të Zi, hasi në vesh të shurdhët, dhe ata që sot po betohën se natë e ditë po digjën si qiriu për Malësinë, me një shkresë që na e dërguan në adresë të partisë, jo që nuk treguan interesim për një gjë të tillë, por qartas na e vun në dijeni se ata do të dalin vetëm, sepse mandatin e kan të sigurt, dhe se nga ne presin vetëm përkrahje të listës së tyre. Si asnjëherë më parë u ngutën me dorëzimin e listës, dhe me deklaratën e parë lajmëruan opinionin e gjerë se misioni i tyre i ‘’shenjt’’ ka përkrahjen e “të fortit”. Kush është “i forti” ende nuk e kanë sqaruar, por sa u ka ndihmuar do të shihet të diel në mbrëmje. Megjithatë, nuk mendojmë se është produktive, e as e moralshme, që të bashkohesh me “të fortin” e kundër të vetit!
Pra, Lidhja Demokratike Shqiptare, këto zgjedhje i pa vetëm si mundësi të unifikimit të faktorit shqiptar për proceset politike që do të vijnë, por pasi e kuptuam se të tjerët këto zgjedhje i shohin vetëm si shansë për t’u ‘’integrua’’ edhe më shumë nëpër zyra të Podgoricës, e kuptuam se Malësisë është duke iu luajtur edhe një lojë, se Komuna e plotë, është çdo ditë e më larg, dhe se kështu ata që fituan votat e Malësorëve duke prezantuar çështjën e komunës si të kryer, tani kanë fituar një detyrë tjetër, që ngadalë ta përgatisin votuesin malësorë se komunë edhe kësaj herë nuk do të ketë, dhe se si duket, Komuna në Kuadër të Kryeqytetit të mbetet si zgjidhja më e mirë për Malësinë, por kjoshim e pashim!!!
Sulmet mediatike, shpifjet e fyerjet që gjatë fushatës kanë pas vetëm një target-LDSH-në, për ne janë tregues se jemi në rrugë të drejtë, dhe se bojkoti është një mjet i fuqishëm demokratik, përmes të cilit e kanë kuptuar ata që duhet të kuptojnë, se në Malësi vepron edhe një subjekt që i intereson vetëm Malësia, subjekt i cili e di se me pjesëmarrje ne zgjedhjet për Kuvendin e Podgoricës legjitimohet ajo fraza e famshme ‘’se Malësia nuk mund të mbijetojë e vetme ‘’, subjekt që mendon se për Malësinë duhet të vendoset në Tuz e jo në Podgoricë !
Prandaj, të nderuar qytetarë, të dielën duhet t’u thoni JO të gjithë atyre që me votën tuaj duan të bëjnë pazare politike, ta shesin Malësinë dhe ta shpetojnë Podgoricën.
Asnjë votë as për pozitën, asnjë votë për satelitet e saj, asnjë votë për opozitën!
BOJKOTO – sepse Malësia nuk është në shitje, BOJKOTO – sepse ashtu e respekton vetën.

#bojkotoPG

Ivan Ivanaj -LDSH