Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitë zyrtare në Mal të Zi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar sot në Podgoricë, ku është takuar me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, me të cilin ka biseduar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme për të dyja palët.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Malit të Zi, ka biseduar për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për zhvillimet rajonale dhe për përpjekjet për forcimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe për të ardhmen euroatlantike të rajonit si tërësi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Sot pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në Podgoricë. Biseduam për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për thëllimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat institucionale dhe shoqërore. Diskutuam edhe për zhvillimet rajonale dhe për përpjekjet për forcimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe për të ardhmen euroatlantike të rajonit si tërësi. Ishte inkurajuese përkrahja e presidentit Gjukanoviq për përpjekjet e shtetit të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, që përmes negociatave dhe në mënyrë paqësore të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët. Marrëveshja ndërshtetërore Kosovë – Serbi do të jetë një kontribut shtesë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, si dhe për perspektivën e përbashkët evropiane. HTH”, ka shkruar Thaçi.

 

Furra Tahiri