Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, informon opinionin publik lidhur me vizitën “liturgjike” të paralajmëruar nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në lokalitetin ilir arkeologjik të Shasit, për ç’rast e kemi informuar me shkresë zyrtare kryeministrin e Malit të Zi z. Dushko Markoviq, të cilit i kemi kërkuar të marrë masa.
Në shkresën drejtuar kryeministrit, Këshilli Kombëtar ka shprehur shqetësimet, qëndrimet dhe reagimin e popullit shqiptar në Malin e Zi lidhur me provokimet e vazhdueshme të Kishës Ortodokse Serbe ndaj vendbanimeve shqiptare në Malin e Zi, trashëgimisë kulturore dhe siteve
arkeologjike.
Këshilli Kombëtar i bën apel të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të tregojnë maturi dhe të mos bien pre e provokimeve tendencioze, të cilat mund të plasohen në media dhe opinionin e gjerë si konflikte ndëretnike dhe ndërfetare e që mund të jetë edhe qëllimi kryesor i “manifestimeve” të tilla, të përsëritura.
Ne si popull kemi treguar durim e maturi edhe në raste e provokime më të rënda në të kaluarën, prandaj edhe këtë rast duhet të tregojmë nivelin tonë kulturor përmes qetësisë dhe pa provokime, sepse jemi të bindur se kështu i shërbejmë më së miri interesit tonë kombëtar.
Me respekt,
Kryetari,
Faik Nika