Mandatari për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, ka publikuar emrat e kandidatëve për postet ministrore. Shumica dërrmuese e këtyre emrave janë pak apo aspak të njohur për opinionin publik, edhe pse disa vlerësohen si ekspertë në fushat përkatëse.
Përveç liderit të URA-së, Dritan Abazoviq i cili është propozuar për Ministër të Mbrojtjes, asnjë emër tjetër për ministër nuk vjen nga partitë politike të shumicës së re parlamentare.
Liderët e Frontit Demokratik haptas e kanë kritikuar lënien jashtë të tyre nga qeveria.
Lista shqiptare “Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj” para disa javësh kishin filluar bisedimet me mandatarin Krivokapic për pjesëmarrje në Qeveri, me çrast paraqiten kushtet e tyre për pjesëmarrje. Ndërkaq, mandatari Krivokapic, disa ditë më vonë kishte deklaruar se kërkesat e Listës shqiptare janë të pranueshme.
Nik Gjeloshaj, njëri ndër përfaqësuesit e Listës shqiptare, më 21 tetor, kishte deklaruar se vendimi i listës për pjesëmarrje në Qeveri do të bihet së shpejti.
“Lista Shqiptare, në dy ose tre ditët e ardhshme do të marrë vendimin përfundimtar nëse do të jetë pjesë e qeverisë. Pakicat duhet të jenë pjesë e qeverisë nëse ato mund të jenë faktor”, kishte deklaruar Gjeloshaj.
Përfaqësuesi tjetër i Listës shqiptare, Nikollë Camaj pati deklaruar se mandatari Krivokapic, Listës shqiptare i kishte ofruar dy ministri.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar disa javë, ende nuk ka ndonjë prononcim rreth pjesëmarrje se Listës shqiptare në Qeveri, ndërkaq në listën emrave të propozuar për ministra, nuk ka asnjë nga partitë shqiptare.
/MALESIA.ORG/