Populizmi si mjet politik

Në shoqërinë shqiptare, por edhe më gjërë, në korniza planetare, në veprimtari të ndryshme shoqërore, dhe në ciklet zgjedhore, shënohet një valë e një dukurie që sociologjikisht quhet “populizim”, dukuri kjo e mobilizimit dhe organizimit, e komunikimit politik që përqendrohet rreth kundërtisë mes “njeriut ose popullit dhe një grupi real të “elitave të priviligjuara”. Termi populizëm rrjedh nga fjala latine populus (populli) që nënkupton “një taktikë politike primitive, e cila ka për qëllim mashtrimin e turmave, manipulimin me to në saje të premtimit të gjërave që janë të parealizueshme dhe të filtrimit demagogjik me turmat”. Në literaturën politike bashkëkohore populizmi përkufizohet si “ideologji ose doktrinë politike që shoqërinë e sheh si të ndarë në grupe: njerëz të ndershëm dhe elita të koruptuara”.

Populizmi është një stil i retorikës politike i cili afirmohet nga ana e pjestarëve të partive politike dhe lëvizjeve sociale. Kjo formë e demagogjisë politike, bashkë me moralin politik të eroduar në mënyrë ekstreme, përbën një kombinim shumë të rrezikshëm me të cilin sundohet populli. Qasjet e tipit “ju veç votoni për mua (neve), e unë (ne) do t’i plotësojmë të gjitha dëshirat dhe nevojat e juaja”, është një qasje standarde-klasike e cila pothuajse nuk ka pësuar asnjë ndryshim gjatë këtyre viteve të tranzicionit dhe ka tendencë të vazhdojë edhe tutje për arsye se është opsion “fitues” i cili fatkeqësishtë ende jep rezultate. Për fajin e atyre që japin premtime nuk duhet të flitet, fajtorë janë edhe votuesit të cilët nuk i dënojnë populistët duke mos i votuar. Populistët nuk ndjejnë aspak përgjegjësi për mosrealizimin e premtimeve të veta, shpesh herë edhe manipulative dhe si të tillë mundohen “ti hedhin pluhur syve të votuesve” vetëm me një qëllim të vetëm-të jenë në pushtet.

Populizmi mund të definohet si niveli më i ulët i propagandës politike i cili më së shumti përdoret në vendet me standard mesatarisht të ulët soci-kulturor si dhe në vendet pa traditë demokratike. Disa nga premisat themelore të këtij principi joparimor politik janë: mosekzistimi i autokritikës, teoritë për komplot, ksenofobia; nacionalizmi, etnocentrizmi, kultura kuazinacionale; heroizmi, prodhim i armiqëve, ndarja në “ne”dhe “ata”; premtime joreale për rritje ekonomike, fushata parazgjedhore të bazuara në histeri, paraqitje e vazhdueshme në mediume, premtime revolucionare në vend të atyre evolutive;etj.

Siç shihet nga kjo që cekëm më lartë, populizmi nuk mund të konsiderohet si mjet i nevojshëm, por në praktikë kemi një pasqyrë tjetër, përdorimi i populizmit është në nivel maksimal. Për këtë gjendje deridiku fajtor është edhe profili mesatar i votuesit tonë vendor. Edhe pse ky profil ka përjetuar një evulim pozitiv kohëve të fundit, ende është shumë larg profilit mesatar të votuesit nga shtetet me traditë të theksuar të demokracisë. Kjo gjendje nuk do të zgjasë edhe shumë, me reformat të cilat dalëngadalë po zhvillohen dhe jetësohen në vend me qëllim të arritjes së standardeve për anëtarësim në institucionet dhe sistemet evro-atlantike, do të rritet niveli mesatar i vetëdijes dhe kulturës politike tek votuesit i ndjekur me rritje të nivelit të moralit politik të subjekteve politike. Pa dyshim se në një të ardhur të afërt do të kemi mundësi të ndjekim fushata politike të cilësuara me pjekuri dhe përgjegjësi të lartë në të cilat elektorati do të mund të identifikojë kualitetin dhe prosperitetin e vërtetë e jo premtime boshe. Elektorati duhet të mos lejojë që të manipulohet gjë që ka ndodhur në ciklet e kaluara zgjedhore, por duhet të jetë monolit në insistimin për plotësim të premtimeve të dhëna gjatë fushatave. Jam i paluhatshëm në mendimin se elektorati veç e “ka lexuar” strategjinë e manipulimit të kombinuar politiko-sentimental të masave të gjëra si dhe të demagogjisë socio-ekonomike të cilën në mënyrë të pamëshirshme e përdor establishmenti ekzistues politik për t’i arritur objektivat e veta.

Populizmi politik është ngushtë i lidhur edhe me shumë çështje dhe kategori tjera siç janë: morali politik, edukimi, niveli mesatar i ulët i kulturës së përgjithshme politike, gjendja socio-ekonomike dhe standardi jetësor, ideologjizimi dhe profilizimi i partive politike, zhvendosje e besimit në institucione në kahje pozitive, edukimi i elektoratit, sundimi i ligjit, etj. E njejta vlenëedhe për mediumet të cilët janë ana e tretë dhe jo më pak e rëndësishme e këtij sistemi. Ekzistonë nevojë urgjente për ristrukturim të brendshëm të vet mediumeve të cilitdo lloji me qëllim të informimit sa më objektiv, pa paragjykime dhe sterotipa të mbetura nga sistemi i kaluar. Demokratizimi i mediumeve, duke përjashtuar të gjitha ndikimet joparimore mbi veten, duhet të ndihmojë në procesin e eliminimit të populizmit nga agjenda politike e partive si dukuri e dëmshme për zhvillimin e përgjithshëm politiko-shoqëror të një vendi.

Morali politik është faktori kryesor i cili do të ndihmojë në çrrënjosjen e përdorimit të populizmit si mjet për të përfituar trupin votues. Vlerat e larta morale duhet të jenë atribute të të gjithë subjekteve serioz politik të cilët synojnë të udhëheqin shtetin në emër të popullit. Aspekti i moralit politik duhet të jetë princip themelor i fushatave dhe aksioneve postzgjedhore të partive politike. Nuk do të ishte e dëmshme edhe përfshirja e këtij parimi në platformat politike të partive me çka automatikisht do të rritej besimi i luhatur i votuesve ndaj partive si dhe numri i pakët i qytetarëve në format e ndryshme të participimit të tyre në jetën aktive politike.

Qani  Osmani

Furra Tahiri