KKSH- Iniciativë për hapjen e zyrës për përkthime

KUVENDIT TË MALIT TË ZI
n/d Kryetarit, Aleksa Bečić
P O D G O R I C Ë

Lënda: Kërkesë për themelimin e sektorit për përkthime nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas (Zyra për përkthime MNE-AL /AL-MNE) në kuadër të Kuvendit të Malit të Zi.

I nderuar kryetar i Parlamentit,  Bečić,

Bazuar në dispozitat kushtetuese mbi gjuhën zyrtare dhe gjuhët në përdorim zyrtar; në bazë të deklarimin e Malit të Zi si shtet multietnik; si dhe në bazë të obligimeve e marra nga ana e tij në pajtim me dispozitat e  Konventës ndërkombëtare për ruajtjen e gjuhëve rajonale, Ju drejtohem në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me kërkesën që të gjeni  mundësitë që në kuadër të Kuvendit të Malit të Zi, të themeloni një njësi të përhershme (Zyrën për përkthime), detyra e të cilës do të ishte përkthimi nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe të akteve të ndryshme normative duke filluar nga Kushtetuta, ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve, vendimet, urdhrat e institucioneve publike, të cilat i referohen të gjithë shtetasve të Malit të Zi, por që deri tani janë në dispozicion vetëm në gjuhën malazeze. Përndryshe, gjuha shqipe në Mal të Zi është e vetmja gjuhë josllovene e pakicave (pra, e ndryshme nga gjuhët e tjera).

Po ashtu, kjo njësi do të ishte në funksion të Kuvendit të Malit të Zi apo Qeverisë, pse jo edhe të institucioneve të tjera publike, në rastet e vizitave të delegacioneve të ndryshme që vizitojnë Malin e Zi apo bashkëpnimit në sfera të ndryshme me vendet fqinje dhe mike të Malit të Zi, Shqipëria dhe Kosova.

Nuk është nevoja t’ua përkujtojmë, se me Kushtetutën e Malit të Z, gjuhë zyrtare është gjuha malazeze, ndërsa në përdorim zyrtar janë: gjuha serbe, ajo boshnjake, shqipe dhe gjuha kroate. Komiteti i ekspertëve të Këshillit të Evropës për Monitorimin e Gjuhëve të Pakicave, në raportin e tyre të rregullt kanë konstatuar se gjuhë të veçanta në  Mal të Zi janë gjuha shqipe dhe gjuha rome, të cilat janë të rrezikuara dhe ndaj të cilave duhet treguar vëmendje e veçantë për ruajtjen e tyre. Shteti i Malit të Zi e ka pranuar këtë nismë dhe ka marrë përsipër mbrojtjen e atyre dy gjuhëve si gjuhë rajonale në kuptimin e Konventës ndërkombëtare.

Edhe pse sipas Kushtetutës gjuha shqipe është gjuhë në përdorim zyrtar në Mal të Zi, përdorimi i saj në praktikë nuk është i nivelit të duhur. Aktualisht në Mal të Zi, në gjuhën shqipe, me përjashtime të vogla, nuk mund të gjesh akte normative ose publikime nga institucionet publike, siç janë ligjet, vendime, aktvendime, urdhra administrative, shpallje, konkurse publike për aplikim me projekte, broshura etj.

Propozojmë që Ju si Kryetar, të merrni vendimin, që në kuadër të Kuvendit të Malit të Zi, të themelohet njësia e Zyrës për përkthime mne-alb me buxhet të caktuar vjetor, e cila do të funksiononte si njësi e pëhershme pune në kuadër të Kuvendit të Malit të Zi, ku do të angazhoheshin përkthyesit më kompetent që kemi (3-5 persona), njohës të mirë  të të dyja gjuhëve, dhe kështu kjo zyrë do të ishte në shërbim të Kuvendit për përkthimin e materialeve të caktuara apo për përkthime simultante gjatë seancave në Kuvendin e Malit të Zi dhe në raste të tjera sipas nevojave.

Jemi të bindur se një gjest i Juaj i tillë do ta nderonte Malin e Zi dhe se prej partnerëve ndërkombëtarë do të pranohej me simpati të thella, si një hap i rëndësishëm dhe i duhur drejt anëtarësit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian sa i përket plotësimit të së drejtave të pakicave kombëtare, në këtë rast të shqiptarëve në Mal të Zi, që, siç cekëm më sipër, paraqesin pakicën e vetme gjuhësore në shtet.

Ju urojmë punë të mbarë e suksese!

Kryetari,
Faik Nika

Furra Tahiri