Të Dielën e kaluar, Fondi Humanitar TRIESHI organizoi një darkë solemne me rastin e pesë vjetorit të veprimtarisë së tij, në një atmosferë të ngrohtë në prani të 300 bashkatdhetarëve dhe personaliteteve të ftuara nga Vendlindja dhe komuniteti shqiptar i New York-ut.
Me përshëndetjet e tyre, ky tubim u nderua nga famullitari i Kishës Katolike Shqiptare të Zojës së Shkodrës Dom Pjeter Popaj, Kongresmeni Richard Tores, i ftuar special – kryetari i bashkisë së Tuzit Nikë Gjeloshaj, këshilltari i Qarkut të Westchester-it David Tubiolo, avokati Martin Vulaj, Dr. Pashko Camaj, ish gazetari i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj studentja Nikoleta Lucaj etj.
Tubimin e kësaj mbrëmje e bënë të veçantë aktivistët e shumtë, të cilët me kontributin dhe bujarinë e tyre e bënë këtë tubim më madhështorë, si gjithmonë gjatë rasteve dhe nevojave të ndryshme që i kërkonte Vendlindja jonë.
Kjo mbrëmje u argëtua nën performancën e shkëlqyeshme “Gratis” nga këngëtarët e estradës shqiptare Vida Kunora dhe Gezim Nika.
Përveç donacioneve të shumta, Fondi Humanitar Trieshi u nderua me një mirënjohje, të paraqitur nga Këshilltari David Tubiola, një dhuratë Proklamacioni të cilën Legjislatura e Qarkut Westchester në kalendarin e saj 27 qershorin ka shpallur Ditën e Fondit Humanitar Trieshi.
Darkën e kësaj mbrëmje e udheheqën aktivisti Kolë Cacaj me moderatoret Diana Dukaj, gazetare nga Malësia dhe Lidija Curanaj, gazetare nga New York-u.
Falë donacioneve të kësaj mbrëmje dhe aktivistëve të ndryshëm, shifra e kontributit ka arritur afërsisht 45,000 dollarë.
Fondi Humanitar – TRIESHI, falënderon përzemërsisht të gjithë kontribuesit aktivistë që alokuan nga buxheti i tyre një pjesë të pasurisë së tyre, jo vetëm gjatë kësaj radhe, por gjatë pesë viteve të historikut së këtij fondi bamirës.
Ju informojmë se së shpejti do të dalim edhe me emëra të donatorëve, sepse kemi kontribute të tjera në vazhdim që i presim të vijnë në adresën tonë.
Fondi Humanitar -Trieshi