Nga Gjon Gjokaj NY
Mbrëmjen e së premtes, në ambientet e lokalit “Ciao” të bashkatdhetarit Zef Gjelaj, në Eastchester NY, shoqata Malësia e Madhe organizoi një takim për mbledhjen e fondeve me aktivistë malësorë nga komuniteti shqiptar i Nju Jorkut me rrethina.
Ne fillim takimin e hapi nënkryetari i shoqatës Malësia e Madhe z. Senad Lulanaj, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi pronarin e restorantit “Ciao” z. Zef Gjelaj.
Zoti Lulanaj tha se kur është fjala për ngjitje fondesh duhet falënderue gjithmonë malësorët për kontributin e tyre që kanë bërë dekada me radhë.
Ai personalisht falënderoi aktivistët e këshillit të shoqatës M.Madhe, dhe në veçanti z. Leke Gjolaj dhe z. Gjon Dedvukaj për kontributin e tyre të madh.
Z. Lulana falënderoi edhe anëtarin e Kryesisë z. Vasel Ulaj për kontributin e tij shumëvjeçar, i cili bashkë me familjen po zhvendoset në shtetin Arizona.
Ai gjithashtu falënderoi edhe Nikollë Camajn, koordinatorin e komunës së Tuzit, i cili ishte i pranishëm në këtë tubim.
Më pas fjalën e mbajti kryetari i shoqatës M. Madhe z. Nikollë Junçaj, duke përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit dhe mbështetjen e aktivistëve malësorë me donacione të ndryshme. Ai fillimisht përshëndeti mysafirin nga Malësia, prof. Fran Camaj, Pashko Camaj, Islam Gjokaj etj.
Më pas Nikollë Junçaj foli për kontributin 27-vjeçar të shoqatës M. e Madhe, të cilën e cilësoi si shoqatën më të suksesshme të komunitetit, e cila ndau mbi 800 bursa për studentë malësorë ne treven e Malësisë, si dhe në ndihmë të të varfërve dhe infrastrukturës në Malësi, duke shtuar se 800 bursa nuk i ka dhenë asnjë institucion shtetëror.
Nikolla tha se kur është fjala për kontributin material për bashkatdhetarët në Malësi, ndihma u është shpërndarë të gjithëve pa dallim feje, katolikë apo muslimanë, kemi dhënë pa ofenduar askënd, dhe gjithnjë duke ruajtur karakterin dhe dinjitetin e lartë të njerëzve që muaren ndihmë nga ne.
Junçaj shtoi se nuk kemi bërë dallime në bursa për studentët me mbiemra -viq apo -aj, të gjithë kanë marrë bursat tona në bazë të kualifikimeve dhe rregulloreve të shoqatës. Edhe pse si shoqatë i kemi ftuar publikisht të gjithë të ndryshojnë mbiemrin e tyre nga -viq në -aj, madje e kemi potencuar se do t’i ndihmojnë financiarisht për nevoja procedurale për rregullimin e kësaj çeshtje.
Z. Junçaj në vazhdim deklaroi se kemi dy shtylla që e ndihmojnë shoqatën tonë z. Gjon Dedvukaj dhe z. Lekë Gjolaj, si dhe shtylla e tretë e z. Gjekë Gjonlekaj, i cili nuk ishte i pranishëm sonte në këtë takim. Ai tha se e kemi edhe shtyllën e katërt, atë të pronarit të restorantit “Ciao”, z. Zef Gjelaj i cili jep gjithmonë kontributin maksimal për shoqatën e M. Madhë në forma të ndryshme.
Në fund, Nikollë Junçaj tha se i fton të rinjtë që të aktivizohen në këtë shoqatë sa më shumë dhe të marrin frenat e shoqatës Malësia e Madhe në të ardhmen.
Z. Zef Ujkaj përshëndeti të pranishmit me një letër, duke falënderuar shoqatën e M. Madhe, e cila prej vitesh ka dhënë kontributin e saj të çmuar në shërbim të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe Malësisë në veçanti. Ai shtoi se organizimi i kësaj mbrëmje është i një rëndësie të veçantë, sepse fokusohet në mbështetjen e brezit të ri në rrugën e gjatë të dijes dhe arsimit. Ai falënderojë kryetarin e emisionit z. Nikollë Junçaj, si dhe të gjithë anëtarët e kësaj shoqate. Ndër të tjera ai ka shtuar se zëri i diasporës do të jetë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve nën Malin e Zi.
Z. Kolë Gjelaj, pasi vleresoi aktivitetin e shoqatës M. e Madhe, tha se ka qenë prej kohësh anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe nënkryetar i shoqatës atdhetare”Ded Gjo ‘Luli”. Ai foli për bashkimin e mundshëm të shoqatave malësore ketu, duke pohuar se ne vijmë nga një vend i vogël më pas kaq shumë shoqata këtu. Duke folur për këtë çështje, z. Gjelaj shtoi se të gjitha këto shoqata mund të organizohen në një shoqatë me disa degë. “Komuniteti i mëlesorëve është më i madh në Miçigan, por kontribute më të mëdha vijnë nga Nju Jorku, kështu që ne mund të bashkohemi në një trup, duke përfshirë të gjitha shoqatat, përfshirë shoqatën e re në Miçigan -“Jehona e Malësisë”
Pas fjalës së z. Zef Gjelaj, e mori fjalën përsëri z. Junçaj, i cili theksoi gjithashtu nevojën e bashkimit të të gjitha shoqatave tona në Miçigan, Nju Jork dhe Kaliforni, duke pasur parasysh mundësinë që çdo shoqatë të ruajë autonominë e shoqatës së saj.
Tubimin e përshëndeti edhe prof. Fran Camaj, i cili përmendi kontributin e dy shoqatave Malësia e Madhe dhe Ded Gjo ‘Luli, të cilat për dekada kanë ofruar ndihma për malësorët e varfër dhe mbi të gjitha për studentët malësorë. Prof. Camaj tha se më kujtohen fjalët e shkrimtarit serb Dobrica Qosiq(apo të ndonjë serbi tjetër), se arma më e fortë që ua dhamë shqiptarëve është Shkolla -Universiteti, e cila më pastaj u realizua në pavarësinë e Kosovës. Pra, i tillë është aktiviteti juaj për edukimin e studentëve malësorë.
Ai përmendi emrin e një studenti malësor nga Malesia, Senad Gilajt, i cili më parë ka qenë bursist i këtyre shoqatave, i cili sot -pa fakultet do të ishte një bujk , ndërsa tani është gazetar në TV e Podgoricës.
Dr.Pashko Camaj, zavendës kryetari i Federatës pan -shqiptare dhe organizatës më të njohur dhe më të vjetër shqiptare në Amerikë “Vatra”, i cili është edhe anëtar i Këshillit të shoqatës Malësia e Madhe, foli për funksionimin 27-vjeçar të kësaj shoqate, duke theksuar që rinia jonë të përfshihet në këtë shoqatë, dhe kjo shoqatë të ketë zë të lartë për Bashkimin Kombëtarë dhe se vlera më e madhe është të kemi shqiptarë në vendlindje.
Administratori i Komunës së Tuzit, z. Nikollë Camaj, pas përshëndeti te pranishmit tha se ishte i kënaqur që e gjeta Malësinë këtu, në Detrioit dhe të tillë e gjeta edhe në Kaliforni. Dua të theksoj faktin se në Malësi nuk u bë asgjë pa aktivitetet e malësorëve të Amerikës, të cilët nuk janë as lokalistë dhe as egoiste. Serbët nuk mund të jenë serbë pa qenë ortodoksë, boshnjakët nuk mund të jenë boshnjakë pa qenë muslimanë, kroatët nuk mund të jenë kroatë pa qenë katolikë, ndërsa shqiptarët nuk duhet të tjerër përveç shqiptarë.
Duke iu drejtuar shoqatës Malësia e Madhe, z. Camaj konfirmoi se ajo që keni bërë ju nuk do të harrohet, përfshirë kontributin tuaj për të varfërit, studentët etj., por mbi të gjitha është ajo që keni bërë për të jetësuar komunën e Tuzit. E cila sot në buxhetin e saj ka 1.7 milionë euro në funksion.
Kryetari i Fondit Humanitar TRIESHI, z. Kolë Cacaj përshëndeti të pranishmit dhe aktivitetin e shoqatës Malësia e Madhe, duke theksuar se Fondi Humanitar TRIESHI nuk u krijua për të konkurruar me askënd, por për të ndihmuar në rindërtimin e rrugës në Trieshit.
Këtë tubim e përshëndetën edhe aktivistët z. Vasel Ulaj dhe z. Leonard Berishaj.
Në këtë mbrëmje vëllazërore për ngritje fondesh të shoqatës Malësia e Madhe, nga aktivistët bujarë malësorë, u mblodhën mbi 30,000 dollarë.