Me ndihmën e Republikës së Shqipërisë hapet libraria në Ulqin

Me ndihmën e Republikës së Shqipërisë sot u jetësua kërkesa dhe nevoja e qytetit të Ulqinit për librari e cila ofron libra në gjuhën shqipe.

U bë hapja e librarisë së parë në Mal të Zi me botime në gjuhën shqipe. Libraria Ulqini u realizua nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi me përkrahjen financiare të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, gjegjësisht Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ky aktivitet nisi si rezultat i mungesës së një librarie të mirëfilltë ku shqiptarët në Mal të Zi do të mund të blinin librin shqip dhe t’i rrisnin fëmijët e tyre me tekste shqipe që në hapat e tyre të parë.

Në këtë aktivitet fjalën përshëndetëse e morën: Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Shkëlqësiae Tij Ridi Kurtezi, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit-Tiranë Alda Bardhyli, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi Faik Nika, diplomatja pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës Ifete Çeku,  kryetari i Komunës së Ulqinit Aleksandar Daboviq, kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, Gjet Ndoj nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Mentor Llunji një ndër iniciuesit e këtij projekti.

Furra Tahiri