Kuvendi miratoi vendimin për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Tuz, vitin e ardhshëm

Kuvendi i Komunës së Tuzit miratoi me shumicë votash ngritjen e përmendores së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Tuz, në vitin 2023.


Në seancën e sotme, e fundit për këtë vit, Kuvendi gjithashtu aprovoi buxhetin për vitin 2023 në vlerë mbi 8.2 milion euro.

Për këto pika, pro votuan këshilltarët e Forumit Shqiptar (ASH-LDSH-UNSH), këshilltari i Demokratëve dhe dy këshilltarët e opozitës nga radhët e DPS-së, Elvir Kajoshaj dhe Danjela Gjelaj.

Këshilltari i UDSh-së, Enis Gjokaj, në fillim të seancës u largua me argumentin se nuk e sheh të arsyeshme pjesëmarrjen pasi që nuk kishte ndonjë konsultim apo koordinim me këtë parti sa i përket buxhetit, vendosjes së përmendores së Skënderbeut apo emërimin e kopshtit në Tuz.

Partia Boshnjake nuk votoi pro emërtimit të kopshtit të fëmijëve në Tuz, por mbeti e përmbajtur.

Ndërkaq, lokacioni i vendosjes së monumentit të Skënderbeut do të përcaktohet me një pikë të veçantë në të ardhmen.
Duke u nisur nga praktikat, monumenti i një krye-heroi gjithmonë vendoset në qendër dhe jo diku tjetër në periferi.

Rikujtojmë, vitin e kaluar Kryetari i Komunës, Nik Gjeloshaj, kishte thënë se realizimi i vendosjes së monumentit të Skënderbeut në Tuz, do të behët gjatë vitit 2022. Ndërkaq, tashmë shpresojmë se kjo do të realizohet në vitin 2023.

/MALESIA.ORG/